Shëndetësi

Numri i vdekjeve të fëmijëve në Kosovë çdo vit më i vogël

Numri i vdekjeve të fëmijëve në Kosovë çdo vit më i vogël
22 nëntor 2017 • 10 : 22

Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë, që përfshinë moshat nga lindja deri në pesë vjeç, ka rënë dukshëm ndër vite. Këtë e thonë profesionistë shëndetësorë, sipas të cilëve numri i vdekjeve të fëmijëve në vitin 1985/86 në Kosovë ka qenë rreth 1600, derisa pesë vitet e fundit numri i fëmijëve që vdesin në vit është më pak se 40 sosh.

Muharrem Avdiu, pediatër, njëherësh drejtor i Klinikës Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë ndikuar shumë faktorë që vdekshmëria e fëmijëve të bie në masë të madhe, ndonëse përmend faktin se humbja e mbi 30 fëmijëve në vit është shqetësuese.

“Numri i vdekjeve të fëmijëve në Kosovë është çdo vit më i vogël. Këto pesë vitet e fundit numri i vdekjeve të fëmijëve sillet deri në 38 fëmijë”.

“Në uljen e vdekshmërisë kanë ndikuar shumë faktorë, ndër të tjera, numri më i madh i specialistëve të pediatrisë, dija e përgjithshme e nënës, kushtet ekonomike në familje, ku janë relativisht më të mira çdo vit, si dhe avancimi i shëndetësisë në përgjithësi”, tha Avdiu.

Zyrtari për shëndetin e nënës dhe fëmijës në zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Sami Uka, tha se ngritja e cilësisë së punës, njohurive dhe shkathtësive të punëtorëve shëndetësorë, por dhe trajnimeve të ndryshme që janë bërë edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të gjithë mjekët e tre niveleve, ka ndikuar në rënien e numrit të vdekshmërisë së fëmijë në Kosovë.

“Është evidente që ka rënë numri i vdekjeve të fëmijëve që nga lindja e deri në moshën pesë vjeçare. Fillimisht është realizuar programi i menaxhimit të integruar të sëmundjeve të fëmijëve që ka pasur efektin fillestar, pastaj programe globale, si kujdesi esencial për të porsalindurit, e më vonë edhe vlerësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore për fëmijët spitalor. Kjo ka pasur efektin e vet pozitiv në uljen e vdekshmërisë”, tha Uka.

Tutje, ai tha po ashtu se në të kaluarën në Kosovë vdekshmëria perinatale ka qenë më shumë si pasojë e infeksioneve, ndonëse nuk ka pasur asnjëherë ndonjë hulumtim të detajuar. Tash kujdesi që ofrohet për fëmijët i parandalon vdekjet e tilla, vlerëson ai.

Ndërkohë, Muharrem Avdiu thotë se trajnimet e mjekëve specialist të lëmit të pediatrisë kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e cilësisë së shërbimeve në vend.

“Organizatat kanë ndihmuar shumë me trajnime të ndryshme ku nxirren përfundime të dobishme që na ndihmojnë ta ndryshojmë gjendjen dhe të bie numri i vdekjeve, sidomos në repartin intensiv, por edhe në Klinikën Pediatrike”,tha Avdiu.

Ndryshe gjatë 25 viteve të fundit, bota ka bërë përparim të jashtëzakonshëm për të shpëtuar jetët e fëmijëve të vegjël.

Për herë të parë, shifra e vdekjeve ka rënë nën gjashtë milionë në nivelin global. Por, sipas një raporti më të fundit të Kombeve të Bashkuara, shumica e këtyre vdekjeve mund të parandalohen.

Bazuar në raportet ndërkombëtare, në vitin 1990, çdo ditë vdisnin 35 mijë fëmijë. Vitin e kaluar, për shkak të një përpjekje të jashtëzakonshme botërore, vdekshmëria u ulë ndjeshëm, në 15 mijë fëmijë e foshnje në ditë.

© zëri.info