Shëndetësi

Për një muaj 127 kosovarë u diagnostifikuan me kancer

Për një muaj 127 kosovarë u diagnostifikuan me kancer
03 tetor 2017 • 14 : 52

“Frikës sime po i shtohet edhe forca për ta mundur këtë sëmundje”, tregon vullnetin e saj një 53 vjeçare nga Gjilani, e cila është diagnostikuar me sëmundjen e kancerit disa muaj më parë. Ajo priste rendin për t’iu nënshtruar kontrolleve në Klinikën e Onkologjisë që gjendet në QKUK. Në këtë institucion thonë se brenda muajit 127 kosovar janë me këtë sëmundje të rëndë.

Nga analizat që kishte bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kishte dalë se kishte kancer në mitër. Thotë se po i ndjekë me përpikëri të gjitha rrezatimet të cilat, sipas saj, çojnë në fundin e kësaj sëmundjeje.

Fat të njëjtë si të 53 vjeçares kanë edhe qindra kosovarë të tjerë. Madje numri i tyre po del të jetë shqetësues. Veç për muajin shtator 127 kosovarë janë dignostifikuar me kancer.

Ndërkohë, që për nëntë muaj të këtij viti kanë qenë rreth 1 mijë e 128 raste të reja të kosovarëve që vuajnë nga sëmundja e kancerit, shifër kjo më e lartë për 363 raste të reja të pacientëve krahasuar me nëntë mujorin e vitit paraprak.

Drejtori i Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë të martën për Gazetën Express se e kjo Klinikë ka pasur furnizim stabil me barna për mjekim me kimioterapi dhe radioterapi pacientëve në nevojë
“...në Klinikën e Onkologjisë Mjekësore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në nëntëmujorin e vitit 2017, ka pasur 1 mijë e 128 raste të trajtuara nga kanceri” thekson ai.

Thotë se prijnë rastet e kancerit në gji, dhe ai i mushkërive dhe kanceri i zorrëve. Drejtori Hyseni, ka treguar se Klinika e Onkologjisë është duke ofruar shërbime të kimioterapisë venoze, intrapleurale dhe intratekale, radioterapisë, transfuzionit, mjekimit ditor suportiv dhe mjekimit paliativ ditor.

Cilat barna mungojnë në QKUK për trajtimin e kancerit?

Drejtori i klinikës Onkologjike, Ekrem Hyseni, ka thënë se furnizimi me barna për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundja e kancerit në përgjithësi është stabil. Por në këtë klinikë sipas tij mungojnë dy produkte për sëmundjen e kancerit

“Kliniks e Onkologjisë e ka një furnizim relativisht stabil. Janë disa produkte që mungojnë. Janë dy-tre produkte me të ciklat herë pas here kemi pas furnizim të rregullt, por prap ky është furnizim stabil. Produkti ‘Zoladec’ mungon për momentin që përdoret tek kanceri i gjirit dhe një produkt tjetër”, ka thënë Hyseni.

E ndërkohë në Klinikën e Onkologjisë edhe aparaturat e radioterapisë po kanë defekte duke bërë kështu që lista e pritjes së pacientëve për radioterapi gjatë tremujorit të dytë të këtij viti të jetë më e gjatë.

Tutje, drejtori i Onkologjisë, Ekrem Hyseni thotë se kosovarët duhet të jenë më të kujdesshëm mënyrën e jetesës në mënyrë që t’a anashkalojnë këtë sëmundje.
“Jeto shëndetshëm. Që nënkupton jetë pa duhan, alkool, me ushqim të kontrolluar dhe sa më pak yndyra”, ehte mesazhi i doktor Ekremit për kosovarët.

Ndërkaq, rreth 210 kosovarë kryejnë terapinë e Kimioterapisë për vetëm një ditë në klinikën e QKUK’së.

© zëri.info