Ministria e Financave nënshkruan Garancinë Shtetërore për Trafikun Urban

Ekonomia June 24, 2016 - 14:50

Pas përmbushjes së të gjitha kërkesave dhe procedurave ligjore, Ministri i Financave Avdullah Hoti sot nënshkroi marrëveshjen për Garanci Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me anë të së cilës mundësohet marrja e kredisë për Trafikun Urban për blerjen e 51 autobusëve. Ministri Hoti dhe Drejtoresha e BERZH-it sot nënshkruan marrëveshjen për Garanci Shtetërore, e cila garanton kredinë në shumë prej 10 milion eurove, para këto të cilat do t’i vihen në dispozicion Ndërmarrjes Publike Komunale Trafiku Urban.

Kjo kredi do të shfrytëzohet për blerjen e 51 autobusëve të ri, të cilët do t’i shtohen flotës së Trafikut Urban dhe do ta ndihmojnë ndërmarrjen në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. Ky investim pritet të të përmirësojë gjendjen financiare të ndërmarrjes me flotën e re dhe moderne, por të njëjtën kohë edhe të reduktojë ndjeshëm ndotjen e ajrit në qytet, marrë parasysh që autobusët do të kenë standardin e emetimit Euro 6.

Ofrimi i Garancisë Shtetërore nga ana e Ministrisë së Financave e mundëson marrjen e kredisë dhe siguron kushte më të volitshme financiare, të cilat përkthehen në periudhë kthimi prej 12 viteve dhe normë interesi prej 1% + Euribor. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria e Financave do të procedojë për miratim në Qeveri Projektligjin i cili pastaj dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.