Shteti favorizon biznesmenin nga Buroja në tenderin 9 milionësh

Ekonomia May 30, 2016 - 07:51

Kompania “Ada Group”, pronë e biznesmenit Avni Kastrati, nga Buroja e Skenderajt, ka fituar tender në vlerë prej rreth 9 milionë eurosh, pavarësisht se në dy lote ka qenë më e shtrenjtë se kompanitë konkurrente për rreth 1 milion euro.

Kjo kompani, pronë e bashkëvendësit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fituese e tri loteve nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) për furnizim me artikuj ushqimorë, përkatësisht me bukë, mish dhe ujë për burgjet e Kosovës, Qendrën Klinike dhe Universitare, Mezenë e Studentëve, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime.

Lotin për furnizimin e institucioneve me bukë, “Ada Group” e ka fituar, pasi që ka ofertuar një çmim prej rreth 3 milionë e 455 mijë eurosh, përderisa një kompani tjetër “Premium Bakery” është eliminuar nga gara, ndonëse ka qenë për rreth 118 mijë euro më e lirë se kompania fituese.

Sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, del se “Ada Group” ka qenë më e lirë se kompanitë tjera vetëm në lotin për furnizimin e institucioneve me ujë, ku është shpallur fituese, pasi që ka ofertuar me një çmim prej rreth 950 mijë eurosh, ndërsa në dy lotet tjera për furnizim me bukë dhe mish buxheti i shtetit është dëmtuar për 900 mijë euro, sepse oferta e saj ka qenë dukshëm më e shtrenjtë.

Furnizimi me bukë, diskualifikohet kompania më e lirë për 120 mijë euro

AQP-ja, pavarësisht ofertës më të lirë prej rreth 120 mijë eurosh, kompaninë “Premium Bakery” e ka eliminuar nga gara, me arsyetimin se është e papërgjegjshme.

Mirëpo, e njëjta kompani ka kontratë me një institucion tjetër shtetëror për furnizimin e nxënësve me kifle, Komunën e Prishtinës, ku kjo e fundit është shprehur e kënaqur me kualitetin e prodhimit të kifleve, si dhe me shërbimet e ofruara.

“Keni prezantuar një referencë për kontratën e nënshkruar më 15.10.2015 me Komunën e Prishtinës, e cila kontratë nuk është e përfunduar dhe nuk është në përputhje me dosjen e tenderit”, thuhet në letrën e AQP-së drejtuar kompanisë “Premium Bakery”, duke e njoftuar me këtë rast për eliminimin nga gara.

Në anën tjetër, e njëjta kompania ka prezantuar në dosjen e tenderit edhe një letër nga Fitore Pacolli, menaxhere e projektit në Komunën e Prishtinës, e cila konfirmon se deri në janar 2016 kompania “Premium Bakery” ka bërë furnizimin me shujta në vlerë prej 162 mijë eurosh dhe se janë të kënaqura nga shërbimet që ka ofruar ajo.

Kompania po ashtu e ka prezantuar një listë prej 8 kontratave me hipermarkete për furnizim me bukë, përderisa Komisioni Vlerësues i AQP-së i ka njohur vetëm 3 prej tyre me dëshmi të prezantuara në vlerë prej 490 mijë eurosh.

Derisa “Premium Bakery” është eliminuar nga gara, duke mos ia njohur disa dëshmi të prezantuara, kompania “Ada Group” nuk ka dorëzuar kurrfarë dëshmie (fatura) dhe është shpallur fituese e tenderit.
“Në rast se fitojmë punën për kontratë kornizë për furnizim me artikuj ushqimorë ne japim garanci se mund të dëshmojmë për të gjitha llojet e furnizimeve ndaj operatorëve. Arsyeja që nuk i kemi në dosje dëshmitë (faturat) është për shkak të volumit të madh të tyre”, thuhet në deklaratën me shkrim të “Ada Group” që i është bashkangjitur dosjes së tenderit, të cilën e posedon gazeta “Zëri”.

Teknologut i njihet Bachelori, jo Masteri!

Valon Voci, drejtor i kompanisë “Premium Bakery”, thotë për “Zërin” se paradoksi më i madh në këtë tender është se institucioni që nuk e njeh institucionin, përkatësisht AQP-ja apo Ministria e Financave, nuk e njeh kontratën e tyre me Komunën  e Prishtinës.

Po ashtu, sipas Vocit, AQP-ja qëllimshëm e ka eliminuar nga gara kinse teknologu i prezantuar nga kjo kompani fakultetin bazë e ka të Bujqësisë, Dega Agronomi, Drejtimi Lavërtar dhe master i shkencave të ushqimit. “Ne konsiderojmë se kjo kërkesë nuk është plotësuar siç kërkohet me dosjen e tenderit”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e AQP-së.
Mirëpo, Sipas certifikatës së diplomës së vitit 2014 të UP “Hasan Prishtina”, teknologu i prezantuar nga “Premium Bakery”, Nexhmedin Isuf Osmani, është master në teknologjinë e prodhimit të bukës dhe pjesëmarrjes së tharmeve në këtë proces.

Voci ankohet se AQP-ja qëllimshëm i kishte njoftuar për diskualifikim nga gara një ditë para skadimit të afatit të ankesës, duke tentuar në këtë mënyrë ta favorizojë kompaninë më të shtrenjtë.

“Ne kemi traditë të gjatë në prodhimin e bukës, ku i kemi të punësuar 100 punëtorë, të cilën përvojë nuk e ka kompania fituese”, potencon ai.

Tenderi për furnizim me mish, fituese kompania më e shtrenjtë për 700.000 €

“Ada Group” është shpallur fituese edhe e lotit për furnizim me mish në vlerë prej rreth 4 milionë e 550 mijë eurosh, ndonëse në garë ishin edhe dy kompani më të lira.

 Konsorciumi “Hajdini comerc & Drena dhe Ntsh Kualiteti” për këtë lot kanë ofertuar me një çmim prej 3 milionë e 857 mijë eurosh apo rreth 700 mijë euro më e lirë se kompania fituese “Ada Group”.

Edhe “Albi Comerce” për 70 mijë euro ishte më i lirë në lotin për furnizimin e institucioneve me mish se kompania fituese “Ada Group”.

Musa Leku, nga kompania “Hajdini Comerce”, ka thënë për “Zërin” se kanë qenë më të lirë se kompania që ka fituar lotin për furnizim me mish. Sipas tij, edhe më herët i kishin furnizuar të gjitha këto institucione me mish.

“Ne më herët i kemi furnizuar me mish burgjet, Mezenë, spitalet, ndërsa edhe këtë herë pavarësisht se kemi qenë më të lirë nuk jemi shpallur fitues”, thotë Leku për gazetën “Zëri”, duke shtuar se konzorciumi i tyre qarkullimin vjetor të prezantuar në tri vjetët e fundit e ka pasur rreth 9 milionë euro.

Racaj: Kriter ishte tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët

Në anën tjetër, Mursel Racaj, drejtor i Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), thotë për “Zërin” se kriteri për dhënie kontrate ka qenë tender i përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Ai shton se sipas rekomandimit të Komisionit Vlerësues të Ofertave dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit, ofertat e operatorit ekonomik të rekomanduar për dhënie kontrate kanë qenë oferta të përgjegjshme, si në aspektin administrativ, ashtu edhe në aspektin tekniko profesional. “Ndërsa ofertat e operatorëve ekonomikë me çmimin më të ulët kanë qenë të papërgjegjshme. Jemi në fazën e ankimimit nga ana e operatorëve ekonomikë dhe ky aktivitet i prokurimit nuk konsiderohet si procedurë e mbyllur”, shprehet Racaj për “Zërin”.

Ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile në vend thonë se “Ada Group” për shkak të lidhjeve të saj me politikën po shpërblehet me tenderë institucionalë.

“Kompani të tilla të cilat konsiderohen se janë të afërta me politikën ose me partitë politike që janë në pushtet, po përfitojnë tenderë madje edhe me çmime dukshëm më të larta sesa konkurrentët e tjerë e kjo gjithnjë po ndikon në dëmtimin e buxhetit”, thotë për “Zërin” Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”.

Po ashtu, sipas tij, pavarësisht çmimeve më të larta, kompanitë e afërta me politikën në vazhdimësi nuk po e kryejnë punën si duhet dhe kanë probleme edhe sa i përket kualitetit të shërbimeve të ofruara.

“Kjo për arsye se për shkak të ndikimeve politike nuk po funksionin ose nuk guxon të funksionojë sistemi i mbikëqyrjes së punëve ose shërbimeve të ofruara. Megjithëkëtë, nuk nënkupton gjithnjë që çmimi më i ulët duhet të fitojë tenderin, sepse qëllimisht ose jo vendosen edhe kushte të tjera në bazë të të cilave edhe i rrëzojnë nga konkurrenca konkurrentët e tjerë edhe pse me çmime më të ulëta”.

Ndërkaq, Artan Canhasi, nga KDI-ja, thotë se Agjencia Qendrore e Prokurimit ka për synim zhvillimin e prokurimeve të përbashkëta për institucione me qëllim të uljes së kostos dhe rritjes së efikasitetit në prokurim publik. Por, sipas tij, këtë synim Agjencia jogjithmonë e arrin.
“Dy kontrata janë monitoruar në detaje nga ana e KDI-së. Në njërin rast synimi i uljes së kostos është arritur, kurse në rastin tjetër është vërejtur se AQP-ja ka nënshkruar një kontratë që shkakton humbje të buxhetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Lidhjet e “Ada Consulting Group” me SHIK-un

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronar i kompanisë “Ada Group” është “Ada Consulting Group”, përderisa pronar i vetëm i kësaj të fundit është biznesmeni nga Buroja, Avni Kastrati.

“Ada Group”, sipas të dhënave të ARBK-së, i ka vetëm 5 punëtorë, ndërsa kapitali i saj është 10 mijë euro.

Në vitin 2012 gazeta “JNK” kishte raportuar se në kompaninë “Ada Consulting Group” kanë qenë të angazhuar edhe zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), të cilin e kishte udhëhequr Kadri Veseli.

Sipas gazetës “JNK”, deputeti Fadil Demaku, i cili ishte drejtor i Njësisë Kundërterrorizmit në SHIK, pas mbylljes zyrtare të kësaj organizate ishte angazhuar si zyrtar në kompaninë private “Ada Consulting Group”, që ka dalë fituese në tenderët e Komunës së Drenasit. Kjo Komunë vazhdon të udhëhiqet nga vëllai i tij, Nexhat Demaku.
“Unë kam qenë punëtor i thjeshtë në ‘Ada Consulting Group’. Kam pasur pozitën e koordinatorit. Pata mbetur pa punë kur u mbyll SHIK-u në vitin 2008 dhe miqtë e mi më ofruan punë. Ajo ishte një pagë prej 300 eurosh e dikur ma rritën në 500 euro. I koordinoja punëtorët përmes telefonit. Thjesht, një punë sa për të marrë një rrogë të cilën ma ofruan shokët e mi”, pati thënë Fadil Demaku për “JNK”-në.