S’ka autobusë deri në fund të vitit

Ekonomia May 24, 2016 - 08:41

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se edhe më tutje Ministria e Financave po i zvarrit procedurat e garancionit për blerjen e autobusëve të rinj për komunën e Prishtinës

Zvarritja e projektit për blerjen e 51 autobusëve në Komunën e Prishtinës po vazhdon edhe pas zhbllokimit në Kuvendin Komunal, pasi ministri i Financave, Avdulla Hoti, ende nuk e ka nënshkruar garancionin. Zyrtarë nga Ministria e Financave thonë se vendimi i aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës do të hyjë në fuqi 15 ditë nga data e aprovimit, dhe pas kësaj MF-ja do të procedojë në Qeveri propozim-vendimin, me pas do t’i rekomandohet presidentit të Kosovës, ku pas aprovimit ministri do ta nënshkruajë garancionin. Por, këto procedura po i konsiderojnë si të qëllimshme zyrtarë të Komunës së Prishtinës.

Akuza për ministrin

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sjediu, i ka thënë gazetës se këto procedura të thirrura nga Ministria e Financave janë kompetencë e tyre dhe mund të kryhen brenda një dite, por që siç thotë ai po mungon vullneti politik për ta realizuar projektin në fjalë.

Sejdiu akuzon ministrin se edhe pas aprovimit në Kuvendin Komunal, ai po e zvarrit projektin qëllimisht. “Ato procedura janë të gjitha kompetencë e Ministrisë së Financave. MF-ja mund qysh sot të procedojë në Qeveri dhe Qeveria ta aprovojë këtë garancion, pra këto janë procedura që mund të kryhen për një ditë nëse ka vullnet. Nëse për 15 ditë bëhet i vlefshëm vendimi le ta vendosin në datën e parë të qershorit. Por, tash po presin të ndodhin 15 ditë dhe mbas 15 ditëve të vendosin në mbledhje të Qeverisë kurdo që mbahet mbledhja e Qeverisë. Pra, ministri Avdullah Hoti, fatkeqësisht, është një hipokrit politik, i cili për një vit një fjalë të vetme nuk e ka thënë, mbas një viti fjalën e parë që e ka thënë ia kemi realizuar për 24 orë, dhe tash mbasi është realizuar të japë arsyetime procedurale për datën se kur do ta procedojë në Qeveri”, ka thënë Sejdiu. Sejdiu thotë se ministri kishte ardhur në Kuvendin Komunal, ku kishte kërkuar garancion për kredinë nga Komuna e Prishtinës në rast se “Trafiku Urban” nuk mund ta kthente atë. Por, që sipas Sejdiut, të njëjtën shkresë Komuna ia kishte dërguar me datë 22 prill 2015.  

 Komuna garanton për kredinë

“Të njëjtën ne ia kemi thënë edhe në shkresën e dërguar me datë 22 prill 2015, ku është bërë kërkesa për garancion të sovranitetit, ku i kemi thënë kështu: ‘Trafiku Urban’ është i obliguar ta kthejë kredinë, mirëpo në rast pamundësie Komuna e Prishtinës zotohet që do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur me BERZH-in. Dhe kjo fjali një vit më vonë kërkohet nga ministri i Financave ndonëse kishin nënshkruar vetë që do të jetë garantues, ndonëse krejt dokumentacionin që ia kemi dërguar e ka kërkuar një ditë pas shkresës së tij”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se nëse ministri e nënshkruan garancionin gjatë kësaj jave, deri në fund të vitit Prishtina do të bëhet me autobusë, por, siç thotë ai, sa “më shumë që t’i zvarritë ministri procedurat aq më shumë vonohen autobusët”.

Shahini: Vendimi hy në fuqi brenda 15 ditësh

Në anën tjetër, Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave, ka thënë se vendimi i aprovuar nga Kuvendi Komunal, hyn në fuqi tek pas 15 ditëve që nga data e aprovimit. “Vendim i aprovuar nga Kuvendi Komunal, sipas nenit 3 të këtij vendimi, hyn në fuqi tek pas 15 ditëve; Pas kësaj Ministria e Financave do të procedojë për Qeveri propozim-vendimin për dhënien e garancisë shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Ndërmarrjes Publike ‘Trafiku Urban’ dhe propozim-vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës nga Qeveria e Republikës së Kosovës për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes. Pas aprovimit në Qeveri dhe marrjes së autorizimit nga presidenti i vendit, ministri i Financave në emër të shtetit të Kosovës nënshkruan Marrëveshjen Ndërkombëtare për Garancinë Shtetërore me BERZH-in për projektin e Ndërmarrjes Publike ‘Trafiku Urban’”, ka thënë Shahini. Pas aprovimit në Qeveri të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Garancinë Shtetërore Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZH-it për projektin e ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”, ligji nga Qeveria procedohet në Kuvend, ku aty duhet të aprovohet me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por, procedurat e gjata ligjore pamundësojnë ardhjen e autobusëve deri në përfundim të vitit.