19.5 milionë euro investime

Ekonomia May 06, 2016 - 08:13

Përfaqësues të 21 bizneseve, vendore e ndërkombëtare, që do të investojnë në Parkun Industrial, respektivisht në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili që në fillim i ka njoftuar se Komuna e Mitrovicës po bën maksimumin që të krijojë kushte sa më të mira për investime për bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilat duan të investojnë në Mitrovicë. Në këtë formë, tha Bahtiri, gjenerojnë vende të reja të punës dhe ngritje të mirëqenies për të gjithë.

"Çdo investitor do të ketë rrugën e hapur dhe çdo lehtësi për të investuar në komunën e Mitrovicës, sepse ne mendojmë që biznesi sot është shtylla e zhvillimit ekonomik të qytetit tonë dhe ngritjes së cilësisë së jetës për secilin qytetar. Në kemi bërë të pamundurën që të krijojmë kushte për ju, prandaj edhe për 7 nga 21 biznese që kanë aplikuar tashmë kemi ndarë parcelat e nevojshme dhe punët mund të fillojnë menjëherë për implementimin e projekteve. Kjo është një formë e re e gjenerimit të vendeve të punës, gjë që nuk është bërë më parë”, theksoi Bahtiri.

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka nënshkruar kontratat me 7 biznese, vendore e ndërkombëtare, për dhënien e parcelave dhe fillimin e investimeve. Takimin me bizneset dhe nënshkrimin e kontratave, Bahtiri e cilësoi si një nga takimet më të rëndësishme të tij gjatë punës së tij si kryetar i Mitrovicës. 

“Kjo për arsyen se po takojmë përfaqësuesit e bizneseve që sot janë shtylla e zhvillimit ekonomik. Tani nënshkruam kontratat me zotimin që secili nga ne do të bëjmë maksimumin që t’i përmbushim ato pikë për pikë, aq sa na takon dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës”, tha Bahtiri. 

Po ashtu, edhe përfaqësuesit e bizneseve u shprehen me mirënjohje për Komunën e Mitrovicës për krijimin e mundësive për investime në lëmi të ndryshme dhe për lehtësirat. Ata prezantuan edhe fushat në të cilat do të bëhen investime, vlera e të cilave arrin në 19.5 milionë euro dhe të cilat sigurojnë 1500 vendeve të reja të punës. 7 nga këto biznese tashmë kanë nënshkruar kontratat dhe do të fillojnë menjëherë punën për implementimin e tyre, kurse 12 të tjera janë në procedurë të aplikimit dhe përcaktimit të parcelave. Ky  projekt është një ndër projektet më të mëdha në fushën e zhvillimit ekonomik të komunës së Mitrovicës.