Bankat heqin tarifën për kuponët fiskalë

Ekonomia May 05, 2016 - 14:18

Me qëllim të raportimit për të hyrat e periudhës janar-prill të këtij viti, si dhe të arriturat e tjera gjatë kësaj periudhe, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka organizuar një konferencë për medie, në të cilën është thënë se arkëtimet për këtë periudhë janë 132.1 milionë euro tatime ose 4.5 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se trendi i të hyrave po vazhdon të jetë pozitiv si në ATK, po ashtu edhe në Dogana.

Ai ka thënë se gjatë këtyre katër muajve kanë pasur një rritje prej 5.7 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Mosarritjen e projeksionit Hoti e ka arsyetuar duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të uljes së TVSh-së për shërbime publike dhe heqjen e TVSh-së për importimin e lëndës së parë.

“Trendi pozitiv i të hyrave po vazhdon në Administratën Tatimore. Gjatë këtyre katër muajve kemi pasur rritje prej 5.7 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Po vazhdojmë përmirësimin e ambientit për biznes pasi aktivitetet që i kryen ATK-ja lidhen shumë me kushtet e të bërit biznes. Presim që të kemi vlerësime pozitive nga raporti i Bankës Botërore sa iu përket kushteve të të bërit biznes në Kosovë”, ka deklaruar Hoti.