Në Zvicër panair për kompanitë nga Kosova dhe rajoni

Ekonomia May 05, 2016 - 14:00

Kompania “Albpress” me seli në Winterthur të Zvicrës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Oden Ekonomike të Maqedonisë, organizon në Zvicër Panairin e përgjithshëm ndërkombëtarë  “Zvicra – 2016”.

Panairi do të mbahet më 18,19 dhe 20 qershor në Markthalle Langenthal Herzogstrasse 6, 4900 Langenthal në një hapësirë prej 1.800 m/2. Në Panair marrin pjesë ndërmarrjet nga Kosova, Maqedonia Shqipëria, Zvicra dhe më gjerë.

Me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit Kompanisë “Albpress”, me seli në  Winterthur të Zvicrës dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi me pikësynim organizimin e Panairit për përkrahjen dhe zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.  Me këtë memorandum OEK-u  dhe Kompania “Albpress”, pajtohen që për interesa të përbashkëta të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe të ngritin nivelin e bashkëpunimit reciprok në mes tyre.

Ndër të tjera me këtë memorandum bashkëpunimi OEK-u dhe Kompania “Albpress”, së bashku do të kontribuojnë në drejtim të zhvillimit, përkrahjes dhe promovimit  të produkteve vendore që t’i nxjerrin në tregun ndërkombëtar dhe ofrimit të shërbimeve përkatëse për  ndërmarrjet e interesuara.

Drejtori i kompanisë, “Albpress”, Sulejman Sulejmani, ka thënë se qëllimi i organizimit të Panairit është sensibilizimi i kompanive që produktet e tyre t’i nxjerrin në tregun ndërkombëtar.

“Kompanitë pjesëmarrëse do të kenë mundësi që nëpërmjet këtij panairi të lidhin kontrata biznesore me kompani nga shteti helvetik. Misioni i yni si kompani, bashkë me partnerët tanë, është që ta rrisim interesimin për produktet tjera që nuk janë në tregun zviceran. Kjo nënkupton që produktet dhe shërbimet cilësore që ekspozohen në panair të bëhen pjesë e kompanive dhe familjeve në Zvicër”, ka deklaruar Sulejmani.

Sipas tij, mision tjetër i këtij panairi është edhe mundësia që kompanitë pjesëmarrëse të kontaktojnë direkt me përfaqësues të kompanive të mëdha zvicerane, të cilët për tri ditë rresht do të jenë të pranishëm në panair. Vlen të theksohet se në këtë panair kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe përfaqësues të kompanive që shumë produkte të ndryshme nga Ballkani i kanë futur në tregun zviceran.