Ekskluzive: Bedri Selmani largohet nga Kosova

Ekonomia April 18, 2016 - 08:19

Biznesmeni i fuqishëm kosovar, Bedri Selmani, emri i të cilit ka figuruar në listat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si uzurpatori më i madh i pronës shoqërore në vend, është larguar nga Kosova. Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Selmani ka disa muaj që po e zhvillon aktivitetin e tij biznesor në Kroaci, pasi AKP-ja ia mori 12 pikat e shitjes së derivateve të naftës “Kosova Petrol” në qytetet kryesore të vendit.

Sipas listës së AKP-së me emrat e uzurpatorëve, Selmani ka pasur të uzurpuara pika të derivateve të naftës në Prishtinë, në Prizren, në Ferizaj, në Vushtrri, në Istog, etj.

Selmani që nga paslufta, falë lidhjeve të tij me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), kishte arritur të marrë në shfrytëzim rrjetin e pompave të derivateve “Ina” dhe “Jugopetrol” falë një kontrate të nënshkruar gjatë administratës së UNMIK-ut, të cilat i kanë siguruar një qarkullim prej qindra miliona eurosh.

Selmani, i cili kishte qenë edhe deputet i PDK-së gjatë periudhës 2001-2004, kur kjo parti drejtonte Qeverinë e Kosovës, e kishte lënë shpeshherë në dispozicion edhe hotelin e tij në Prishtinë “Hotel Victory” për organizimin e aktiviteteve partiake.

Mbi 8 milionë euro borxh AKP-së

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Selmani i ka borxh Agjencisë Kosovare të Privatizimit më shumë se 8 milionë euro në emër të qirasë së papaguar për pikat e shitjes së derivateve që ka pasur në shfrytëzim për më shumë se një dekadë.

“Ndaj personit në fjalë tashmë janë bërë disa padi. Borxhi i këtij personi ndaj AKP-së është më i madh se 8 milionë euro”, bëjnë të ditur burime të besueshme të gazetës brenda AKP-së.

Gazeta për ditë të tëra ka bërë përpjekje që të kontaktojë direkt më Bedri Selmanin, por kontakti më të ka qenë i pamundur. Gazeta ka kontaktuar edhe familjarë të tij, ku ata kanë konfirmuar se Selmani është duke jetuar në Kroaci, por nuk kanë dhënë ndonjë numër kontaktues.

Selmani kërkon kompensim 5.5 milionë euro

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bedri Selmani, i cili llogaritet si njëri prej uzurpatorëve më të mëdhenj të pronave shoqërore, po synon që t’ia marrë shtetit afër gjashtë milionë euro për rrënimin e pompës, që sipas AKP-së, e ka mbajtur për 17 vjet të uzurpuar. Selmani ka paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës me kërkesë për kompensim dëmi. Vlera që i është caktuar këtij dëmi është 5.667.445 euro.
Në këtë padi të dorëzuar në Gjykatë nga avokati i Selmanit, Tahir Rrecaj, pretendohet se Qeveria nuk e ka bërë identifikimin e drejtë të pronarëve të pronës së shpronësuar në vendimin përfundimtar.

“Si pronar të aseteve të shpronësuara, përveç sipërfaqes së tokës së shpronësuar në emër të Auto-Moto e Kosovës dhe ‘INA Zagreb’ - ndërmarrja në Prishtinë, nuk e ka përfshirë në procedurën e shpronësimit ndërmarrjen ‘Kosova Petrol’, me pronar Bedri Selmanin, për pjesën tjetër prej rreth 80% të aseteve, ku hyjnë objekti afarist i ndërmarrjes, mjetet e punës, afarizmi dhe 12 vende pune”, thuhet në padinë që ka “Insajderi”. Pompa e rrënuar dhe toka e shpronësuar është tek rrethi i ri në Prishtinë. Shpronësimi është bërë për shkak të ndërtimit të rrethrrotullimit dhe zgjerimit të rrugëve. Për shkak të procedurave për shpronësim, ndërtimi i rrugës ishte vonuar me muaj të tërë.

Selmani: AKP-ja, e kriminalizuar

Më 16 shkurt të këtij viti përmes një reagimi publik kompania “Kosova Petrol” kishte lëshuar akuza të rënda ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Në reagim, dërguar mediave, thuhet se AKP-ja, e kriminalizuar, investitorin legjitim e shpall uzurpator, kurse uzurpatorët i legalizon. “Linçimi i investitorit Bedri Selmani dhe ndërmarrjes që ai drejton, ndërmarrje kjo e cila ka ushtruar veprimtarinë legalisht, bazuar në kontratën juridikisht valide të bërë me Misionin e Kombeve të Bashkuara, që nga janari i vitit 2000, pas 15 viteve të periudhës legjitime të investimeve, punësimeve, afarizmit dhe kontributit që i është bërë buxhetit të Kosovës, është skandaloz dhe i paparë në rrjedhat e afarizmit bashkëkohor”, thuhet në reagim. Më tej në reagim thuhet se investitori Bedri Selmani në janar të vitit 2000 ka bërë kontratë me Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe ka fituar të drejtën për menaxhim dhe administrim të ish-pronave të “Jugopetrol”-it dhe “Beopetrol”-it.

“Në këtë kontratë atij i është njohur e drejta legjitime e investimeve dhe e afarizmit. Gjatë kësaj periudhe të veprimtarisë kompania ‘Kosova Petrol’, e drejtuar nga Selmani, ka bërë investime shumëmilionëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës. Më konkretisht, në kontratën me Misionin e Kombeve të Bashkuara, në pikën 6 theksohet qartë si vijon: ‘Pranohet se është e nevojshme që të gjitha investimet që janë bërë deri më tani dhe që do të bëhen në të ardhmen të natyrës kapitale, e që i ka bërë zotëri Bedri Selmani, të verifikohen dhe atyre t’u jepet vlera reale afariste e tregut dhe vlera monetare’”, thuhet në reagim.

Më tej aty thuhet se kontrata e “Kosova Petrol”-it me Misionin e Kombeve të Bashkuara asnjëherë nuk është anuluar, as revokuar nga asnjë institucion dhe si e tillë është plotësisht e vlefshme si akt juridik.
 “Për të gjitha këto parregullsi ligjore që janë bërë nga grupe të caktuara kriminale të interesit, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Uashington DC me verdiktin e vet do të dëshmojë të vërtetën, që është interes jo vetëm i investitorit Bedri Selmani, por është edhe në interes të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në fund të reagimit të kompanisë “Kosova Petrol”.