Larg normalizimit të marrëdhënieve

Ekonomia February 09, 2016 - 07:55

Vizitat e shumta të përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës në Serbi, nuk kanë rezultuar me një përmasim të marrëdhënie ekonomike ndërmjet dy vendeve. Serbia vazhdon të vendosë barriera tarifore e jotarifore për prodhimet kosovare, përderisa  mallrat e Serbisë hyjnë në Kosovë pa asnjë problem.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importet e Serbisë kapin vlerën rreth 320 milionë euro, derisa eksporti i Kosovës është vetëm mbi 30 milionë euro.  

Përfaqësues të shoqërisë civile në vend kanë thënë se pa marrë parasysh bashkëpunimin e mirë ndërmjet odave të Kosovës dhe Serbisë ato nuk mund të zgjidhin barrierat ekonomike derisa nuk kanë një status të barabartë ndërmjet tyre.

Ibrahim Rexhepi nga organizata joqeveritare “STRAS” ka thënë se në asnjë mënyrë odat nuk mund t'i zgjidhin barrierat, meqenëse ato as që kanë kompetencë ligjorë që ta bëjnë këtë.

Sipas tij, ato vetëm mund të bëjnë presion te qeveritë e tyre që të gjejnë zgjidhje, por në të njëjtën kohë të ndërtojnë një klimë bashkëpunuese dhe korrektësie ndërmjet bizneseve. 

“Takimi i bizneseve të Kosovës me ato të Serbisë duhet kuptuar si një përpjekje për normalizimin e raporteve ndërmjet këtyre dy vendeve, e që më së paku varet nga bizneset. Se faktorët e tjerë, kryesisht ata politikë, ndikojnë në relacionet ekonomike duket qartë, nëse analizoni shkëmbimet tregtare gjatë viteve. Madje, kisha thënë se Kosova në këtë rrafsh ka qenë më tolerante, meqenëse asnjëherë nuk e ka zvogëluar importin nga Serbia”, ka thënë ai. Sipas tij, problemi qëndron tek institucionet e vendit.

“Problemi qëndron diku tjetër - sa ka influencë OEK-u te Qeveria? Mund të them se Qeveria mundohet të bëjë një lojë jo aq të ndershme, meqenëse për secilin vendim apo ligj, thotë se ka konsultuar edhe bizneset, ka pranuar vërejtjet e tyre, kurse në anën tjetër vepron sipas vullnetit të vet. Në raportet Qeveri - biznese, mendoj se të gjitha bizneset, përkatësisht asociacionet e biznesit, duhet të kenë qëndrim të përbashkët dhe në këtë mënyrë presioni i tyre është më i fuqishëm dhe me efekt”, ka thënë ai.

Edhe Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se Kosova duhet të sigurojë se në këso takime ka status të barabartë dhe të sigurojnë bizneset kosovare kanë trajtim të njëjtë sikurse ato serbe që eksportojnë në Kosovë.

“Tani e shumë vite shteti serb ka bllokuar në forma të ndryshme produktet kosovare për t’u eksportuar në Serbi apo edhe për të përdorur territorin e Serbisë si transit për eksport në vendet e BE-së. Andaj, në shkëmbimet tregtare në mes dy vendeve, Kosova është në disavantazh të madh. Përderisa bashkëpunimi në mes odave ekonomike është i mirë, Kosova duhet të sigurojë se në këso takime ka status të barabartë dhe të sigurojnë bizneset kosovare kanë trajtim të njëjtë sikurse ato serbe që eksportojnë në Kosovë”, ka thënë ai.