Stacioni i Autobusëve i shpëtoi privatizimit

Ekonomia February 09, 2016 - 07:53

Dikur e njohur si ndërmarrje me emrin “Kosovatrans” dhe që mbante linjat me autobusë kudo nëpër Kosovë, e madje edhe jashtë saj, që nga paslufta e këtej ndërmarrja e “Stacionit të Autobusëve” është përcjellë me probleme të shumta gjatë menaxhimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) e më pas edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por edhe në menaxhimin e mëvonshëm që e ka futur këtë ndërmarrje në borxhe të mëdha ndaj kompanive të tjera publike, por edhe ndaj Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK).

Stacioni i Autobusëve në Gjilan për pak i kishte shpëtuar privatizimit, të cilit shumë pak iu pa hairi në Gjilan, ngase shumica e ndërmarrjeve që u privatizuan më shumë u shndërruan në qendra të mëdha tregtare e hoteliere sesa në ndërmarrje prodhuese, ku do të mundë të punësoheshin shumë të papunë të kësaj ane. Pas shumë shtyrjeve, më në fund Gjilani arriti që ta ruajë ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve” dhe përfundimisht kjo ndërmarrje me interes për qytetarët e Gjilanit u vu nën menaxhimin e Komunës. Tash ndërmarrja “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan operon me rreth 50 operatorë të ndryshëm, kurse brenda ditës përafërsisht 250 autobusë hyjnë e dalin nga stacioni.

Problem për këtë ndërmarrje ishin borxhet e trashëguara, sikurse edhe kontestet gjyqësore e problemet me qiraxhinjtë, të cilët nuk janë të rregullt në pagesa, kurse sa herë që kjo ndërmarrje është vizituar nga krerët e Komunës i është premtuar përkrahje, gjë të cilën ua kishte premtuar edhe kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se Komuna do t’i dalë në ndihmë kësaj ndërmarrjeje me qëllim që ta ketë më të lehtë funksionimin. Kryesuesi i Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike të Stacionit të Autobusëve, Avdyl Jerliu, thotë se është fat i mirë është që pas pavarësimit nga AKP-ja nuk janë krijuar borxhe të reja, por që ka pranuar se edhe më tej kjo ndërmarrje përballet me vështirësitë, sfidat, problemet dhe të ardhmes që ka kjo kompani. “Sfidë mbeten edhe më tutje obligimet ndaj AKP-së, obligimet ndaj punëtorëve, ish-punëtorëve dhe kompanive e ndërmarrjeve publike që kanë kryer shërbime, ku këto të fundit e kanë paditur ndërmarrjen edhe në gjykatë dhe problemet janë shtuar edhe më shumë”, ka thënë Jerliu që ka potencuar angazhime konkrete në përmirësim të gjendjes.

Jerliu ka thënë se gjatë vitit 2015 është bërë edhe ndërrimi i titullarit dhe tashmë kjo ndërmarrje është në pronësi të Komunës së Gjilanit dhe ai beson se me mbështetjen e kryetarit Haziri për vitin 2016 gjendja në këtë ndërmarrje do të ndryshojë edhe më shumë në funksion të lëvizjes përpara drejt sukseseve dhe zgjerimit të saj drejt krijimit të kushteve më të mira në shërbim të kompanive që operojnë në stacion dhe krijimit të kushteve më të mira për udhëtarët. “Presim që në këtë vit në nivel vendi të merret një vendim i përbashkët për të gjitha ndërmarrjet e po ashtu edhe për “Stacionin e Autobusëve”, sepse gjendja me obligime të shumta dhe me borxhe pothuajse është e njëjtë në të gjitha komunat e Kosovës”, ka thënë Jerliu.