Boselli, i befasuar me 'Kosovatex'-in (VIDEO)

Ekonomia February 08, 2016 - 07:55

Drejtori i “Javës së Modës” në Milano, Mario Boselli, i cili po qëndron këto ditë në Kosovë, të dielën vizitoi fabrikën e tekstilit “Kosovatex”, në Prishtinë. Pas vizitës Boselli mbeti i befasuar nga kapacitetet dhe teknologjinë që ka kjo

fabrikë. Duke parë nga afër të gjithë atë që prodhohet në këtë fabrikë, Boselli shihej tejet i interesuar për gjithçka çfarë prodhon “Kosovatex”.

Gjatë vizitës së tij, Mario Boselli vuri në pah aftësinë dhe përvojën e tij prej kreatori, pasi që në çdo detaj i kontrollonte xhinset që tashmë ishin të përfunduara në “Kosovatex”.

Madje, ai tha se pas asaj që pa në këtë fabrikë, do ta shqyrtojë mundësinë që “Kosovatex” të zgjerohet edhe më tepër në tregun e industrisë së modës. “Më ka lënë shumë mbresa kjo fabrikë sepse ky lloj prodhimi nga kjo fabrikë specializon në xhinse dhe besoj se në të ardhmen do të bëhet e mundur që një fabrikë e njëjtë të furnizojë brende evropiane apo internacionale, sepse niveli i kualitetit është absolutisht i klasës së parë”, ka thënë Boselli.

Po ashtu edhe kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se “Kosovatex” është dëshmi që në Kosovë ka kapacitete për fabrika të tilla. ‘Kosovatex’ është fabrika më moderne e konfeksioneve që kemi në Kosovë. Sinqerisht është për të falënderuar pronarin, përndryshe mik imi, i cili ka sakrifikuar çdo gjë për ndërtimin e kësaj fabrike, duke e ditur se problemet janë të mëdha. Problemet fillojnë prej fuqisë punëtore, të cilët është vështirë për t’i gjetur dhe t’i bësh mbi 350-400 njerëz që të punojnë dhe të nxjerrësh në treg një prodhim kualitativ, siç është ky këtu tani që e pamë, është mrekulli. Prandaj ne nuk duhet të ndalemi, duhet të ecim përpara. Është një dëshmi që edhe kosovarët dinë të punojnë e të respektojnë normat e punës dhe dashtë Perëndia që ne të kemi edhe fabrika të tjera të këtij lloji ”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, “Kosovatex” është hapur në shtator të vitit 2010 dhe është fabrika e parë në Kosovë që merret me prodhimin e xhinseve dhe konfeksioneve. Kjo fabrikë numëron rreth 400 punëtorë dhe është pajisur me teknologji bashkëkohore të avancuar në fushën e tekstilit me çka mundësohen kapacitete të larta të prodhimit dhe kualitetit sipas standardeve më të larta në këtë industri.