Kontrata 6.5 milionëshe në Prokurori

Ekonomia February 08, 2016 - 07:49

Me dyshimin se Komuna e Drenasit po e keqpërdor autoritetin e saj, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetim ndaj Komunës dhe kompanisë “Vëllezërit Thaqi” për një keqpërdorim të mundshëm që ka ndodhur gjatë implementimit të kontratës për shfrytëzimin për 40 vjet të Stacionit të Autobusëve në Drenas

Me dyshimin se Komuna e Drenasit po e keqpërdor autoritetin e saj, Prokuroria Themelorë në Prishtinë ka nisur hetim ndaj Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Vëllezërit Thaqi”, për një keqpërdorim të mundshëm që ka ndodhur dhe është duke ndodhur gjatë implementimit të kontratës për shfrytëzimin për 40 vjet të Stacionit të Autobusëve në Drenas. Më 27 shkurt 2015 Kuvendin Komunal i Drenasit mori vendim që t’ia shkëputë kontratën kompanisë “Vëllezërit Thaqi”, e cila menaxhonte me kompaninë publike të Drenasit, Stacioni i Autobusëve. Por, që gati një vit, kjo kompani akoma është duke vjelë të hyrat në Stacionin e Autobusëve. Gazeta “Zëri” posedon disa bileta që e dëshmojnë këtë, ku për çdo nisje autobusi paguan dy euro kompania nuk kishte arritur të realizonte zotimet që dalin nga kontrata për investime, siç ishin marrë vesh palët. Dhe, siç merr vesh gazeta, prokuroria po heton dy palët për mospërmbushjen e kontratës që ishte lidhur përreth investimeve në Stacionin e Autobusëve, përkatësisht për abuzimin që kanë bërë zyrtarët komunalë në mbikëqyrjen e kontratës. Kallëzimin penal në prokurori e ka bërë asamblisti i PDK-së në Drenas, Xhavit Drenori.

Kompania shkeli kontratën

Më 04.01.2013 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet Komunës së Drenasit dhe kontraktuesit “Vëllezërit Thaqi”. Autoritetin kontraktues e kishte përfaqësuar kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, ndërsa kontraktuesin, drejtori i kompanisë “Vëllezërit Thaqi”, Mehdi Thaqi. Gazeta “Zëri” posedon kontratën dhe ajo parasheh që dhënia me koncesion e Stacionit të Autobusëve dhe objekteve përcjellëse të bëhet për 40 vjet. Në këtë kontratë është specifikuar shuma e investimeve prej gjashtë milionë e pesëqind mijë eurosh për vitet 2013-2018 në Stacionin e Autobusëve. Për vitin 2013, kontrata e obligonte operatorin ekonomik të investonte shumën prej gjashtëqindepesëdhjetë mijë eurosh, ndërsa për vitin 2014 një milion e nëntëqindedhjetë mijë euro. Kompania “Vëllezërit Thaqi” në një letërkëmbim me Komunën, të cilën e posedon gazeta, që mban datën 14.11.2014, vetëm 8 ditë pas kërkesës së kryetarit të Komunës së Drenasit për “Informata me shkrim rreth realizimit të detyrimeve sipas Marrëveshjes, thotë se për këtë periudhë (2013-2014), operatori ekonomik “Vëllezërit Thaqi” ka investuar shumën prej 526.114,27 euro. Pra, në vend që të investoheshin dy milionë e pesëqindegjashtëdhjetë mijë euro, operatori ekonomik “Vëllezërit Thaqi” pohon se ka investuar vetëm pesëqindenjëzetegjashtë mijë e njëqindekatërmbëdhjetë euro e njëzeteshtatë centë. Ndërkaq, neni 6 i kontratës, që flet për “Shkeljen e detyrimeve”, respektivisht pika 2, nenit 6, e precizon që: “6.2 Pala që nuk arrin t’i kryejë si duhet detyrimet e veta sipas Marrëveshjes, do të jetë përgjegjëse ndaj palës tjetër për dëmin që ka rezultuar nga dështimi i saj”. Prandaj rrjedhimisht nga kjo shihet se kompania “Vëllezërit Thaqi” me mospërmbushje të kontratës e ka dëmtuar palën kontraktuese me rreth dy milionë euro mosinvestim.

Komuna nuk e ndëshkoi kompaninë

Pastaj me kërkesë të kompanisë “Vëllezërve Thaqi”, ishte marrë vendim që më 27 shkurt 2015 të shkëputet kontrata. Dhe nga kjo datë Stacioni i Autobusëve do duhej t’i kthehej nën menaxhim Komunës. Asamblisti i PDK-së në Drenas, Xhavit Drenori, ka thënë për “Zërin” se në mbledhjen e Kuvendit Komunal, të datës 29.04.2015, nga kryetari i Komunës ishte dërguar propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të Stacionit të Autobusëve dhe se vendimi me shumicë votash nuk kishte kaluar në këtë mbledhje. “Anëtarët e Kuvendit kërkuan që së pari në Kuvend të sillet raporti i shkëputjes së kontratës ndërmjet Komunës sonë dhe kompanisë së lartcekur (prerja), e më pas në mbledhjen e radhës, pasi të shohim në hollësi se çka më të vërtetë ndodhi me atë kontratë, të merret vendimi për shpallje publike për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të Stacionit të Autobusëve”, ka treguar Drenori. Po ashtu, gazeta posedon edhe kopje të projektit dhe në të shihet që kompania “Vëllezërit Thaqi” pa lejen e Komunës ka bërë ndryshime të projektit, duke hapur një hyrje në Stacion të Autobusëve nga rruga magjistrale Komoran – Skenderaj pa e ndërtuar fare nënkalimin që parashihej në kontratë.

Drenori: Nga fillimi kishte marrëveshje për “Elkos Group”

Megjithëkëtë, gazeta e posedon një dokument të Komunës që i ishte ofruar asamblistëve në formë të informatës, ku shihet që me datë 17.08.2015 Stacioni i Autobusëve kishte dalë përsëri në ofertë të hapur për t’u dhënë në shfrytëzim në afat të gjatë. Sipas këtij dokumenti, vlerën më të madhe të investimeve kishte ofruar “Elkos-Grup” me gjithsejtë një milion e shtatëqindepesëdhjetë mijë euro me 38 të punëtorë, e dyta është kompania “Shkëmbi”, me vlerë investime treqind mijë euro dhe dhjetë punëtorë dhe e treta është kompania “Valdrini” me dyqind mijë euro e 15 punëtorë. Asamblisti Drenori po pretendon që në krye të herës kur ishte marrë vendim që ndërmarrja të jepej në shfrytëzim, terreni i ishte përgatitur kompanisë “Elkos” që të ndërtojë një qendër tregtare brenda Stacionit. “Nuk do të kalonte kohë e gjatë për ta kuptuar se kompania nuk po mund të përmbushte zotimet që dalin nga kontrata për të investuar vlerën e zotuar dhe zyrtarët e këtij operatori kishin arritur marrëveshje interne me përfaqësues të ‘Elkos Group’ (rrjetit të marketeve ETC) që kompania “Vëllezërit Thaqi” do të tërhiqej nga kontrata për ta vazhduar më pas marrjen e tij ETC-ja. Kjo e fundit i kishte kërkuar këtij operatori që investimet në Stacion të Autobusëve të bëheshin në anën e pasme të Stacionit, duke bërë jashtëligjshëm, hyrje dhe dalje nga rruga magjistrale Komoran - Skenderaj, pa u ndërtuar fare nënkalimi. Të gjitha këto veprime janë bërë nën syrin e zyrtarëve komunalë të cilët paguheshin nga taksapagues të Drenasit për të mbikëqyrur të gjitha investimet e këtij operatori”, ka thënë Drenori.

Thaqi: Komuna nuk po vjen ta marrë Stacionin

Gazeta ka pritur disa ditë për të marrë përgjigje nga Komuna e Drenasit lidhur me këtë problem, por ata nuk janë përgjigjur. Derisa në Prokurorinë e Shtetit nuk kanë dashur të deklarohen lidhur më këtë rast, gazeta ka kontaktuar hetuesit që janë në kuadër të Policisë së Krimeve Ekomomike nga ku e kanë konfirmuar se kanë nisur një hetim mbi një urdhëresë të lëshuar nga Prokuroria. “Po, jemi duke zhvilluar hetimet në bazë të një urdhrit të Prokurorisë që është lëshuar që rreth dy muaj. Ne do të mbledhim dëshmitë dhe do t’ia dërgojmë Prokurorisë, nuk mund t’ju them asgjë më shumë, por mund të them se ka gjetje deri më tani”, ka thënë hetuesi i rastit.

Avni Thaqi, pronar i NTSH “Vëllezërit Thaqi”, ka pranuar që aktualisht e ka nën menaxhim Stacionin, ani pse i është shkëputur kontrata. Ai ka thënë se nuk po largohet nga aty me faktin se një gjë të tillë akoma nuk ia ka kërkuar Komuna. “Është e vërtetë që ne kemi kërkuar që të shkëputet kontrata. Shkëputjen e kontratës e ka aprovuar edhe Kuvendi. Tash jam duke e pritur Komunën që të vijë dhe ta bëjë prerjen në Stacion, pra duhet ta pranojë zyrtarisht, duhet të shihet se si ka qenë dhe në çfarë gjendje po e lë, e kështu. Akoma nuk ka ardhur asnjë komision për ta pranuar, dhe unë nuk mund ta lë vetë tash që kush të dojë të bëjë çfarë të dojë. Kujt më ia lënë Stacionin? Për këtë punë më kanë dërguar edhe në Gjykatë, më thirri prokurori për deklaratë. I thashë: a po e merr t’i Stacionin që unë po eci, veç jepma një letër që e ke pranuar. Jam lodh me këtë muhabet”, ka thënë Thaqi. Ai ka mohuar të ketë pasur marrëveshje interne me “ETC”-në. “Nuk kam pasur kurrfarë marrëveshje interne me ETC-në, thjesht kam kërkuar të tërhiqem, çka bëjnë ata e kujt ia japin në menaxhim nuk është problem i imi”, tha Thaqi.

Pronari i “Elkos Group”, njehësh deputeti i PDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se nuk ka informata nëse ka dalë fitues apo se çka është duke ndodhur. “Ne kemi konkurruar, konform kërkesave të Komunës që Stacionit t’i ruhet destinacioni dhe për qendër tregtare, pra sipas projektit të paraparë. Unë nuk kam informata që kam dalë fitues ose diçka e tillë. Nëse kemi dalë me ofertën më të mirë, atëherë presim që Komuna ta rregullojë komplet anën juridike dhe të na thërret”, ka thënë Kelmendi. Ndërkaq, Drenori ka thënë se paraprakisht i ishte drejtuar me një e-mail zyrtar edhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, dhe se nuk kishte marrë përgjigje nga ai. Ndërkaq, në kohën kur ishte lidhur kontrata në mes të kompanisë “Vëllezërit Thaqi” dhe Komunës, pjesë përbërëse e grupit të këshilltarëve të asamblistëve të PDK-së ka qenë edhe Elmi Thaqi, i cili është njëri prej vëllezërve në kompaninë “Vëllezërit Thaqi”.