Regjistrimi i veturës kushtëzohet me pagesën e bërllokut

Ekonomia February 06, 2016 - 08:18

Disa komuna kosovare, me vendime subjektive dhe jashtëligjshëm, po i kushtëzojnë qytetarët që t’i paguajnë shërbimet e mbeturinave në rast se ata dëshirojnë t’i regjistrojnë veturat. Ky kushtëzim i ka vënë në siklet banorët e komunës së Klinës dhe të Istogut, të cilët po detyrohen të paguajnë borxhin e shërbimeve komunale, ose në të kundërtën t’i ngasin veturat pa regjistrim.

Në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kanë thënë se në bazë të një shkrese dërguar kryetarëve të komunave thuhet se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjin. “Kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave për kryerjen e obligimeve të tyre ndaj ndërmarrjeve publike komunale, nuk kanë bazë ligjore dhe si të tilla nuk mund të aplikohen.

Bazuar në nenin 128 të Ligjit Nr. 02/L-123 për Shoqëritë Tregtare si dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike Nr. 03/L-087, i cili ka përcaktuar se shoqëria aksionare është përgjegjëse për të gjitha borxhet dhe detyrimet e tjera me tërë asetet dhe pasurinë e saj dhe se askush nuk është përgjegjës për detyrimet e shoqërisë aksionare vetëm për shkak se është aksionare në këtë shoqëri”, thuhet në një shkresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në vitin 2012 dërguar kryetarëve të komunave.

MAPL: Do të shqyrtojmë këtë vendim komunal

Lumnije Demi, zyrtare për informim në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka thënë se ditëve në vijim do të trajtojmë këtë rast të kushtëzimeve në këto komuna dhe më pas konform legjislacionit do të ndërmarrim veprimet konkrete lidhur me shqetësimet e ngritura nga qytetarët.

Por, zyrtarë të komunave kanë thënë për gazetën se një veprim i tillë është marrë si pasojë e borxhit të lartë të qytetarëve që kanë ndaj kompanisë.

Jeta Balaj, zëdhënëse në Komunën e Istogut, ka pranuar se po ndodh një veprim i tillë.

Ajo e pranon se një gjë e tillë nuk është në pajtueshmëri me ligjin, por që këtë e arsyeton me borxhin e lartë të qytetarëve që kanë ndaj kompanisë.

“Në vitin 2011 duke pasur parasysh që një numër i madh i personave fizikë dhe juridikë- kompani kanë pasur obligime të shumta ndaj kompanisë ‘Ambienti’ me qëllim që të bëhet realizimi i këtyre obligimeve kemi menduar që është e drejtë edhe pse jo tërësisht në përputhje me ligjin që të bëjmë kushtëzimin vetëm për regjistrimin e automjeteve”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky kushtëzim nuk i cenon liritë dhe të drejtat e njeriut sepse nuk ka të bëjë me kushtëzimin e dokumentacioneve personale.

“Mendojmë se ky kushtëzim nuk cenon liritë dhe të drejtat e njeriut sepse nuk ka të bëjë me kushtëzim të dokumenteve personale, por me kushtëzimin siç është cekur edhe në Udhëzimin Administrativ Nr. 07/2011 për urdhëresat e ndalimit të shërbimeve komunale për detyrimin e pagesës së tatimit në pronë ku ceket që Komuna ka të drejtë të mos i kryejë këto obligime (regjistrim i automjeteve) derisa nuk është paguar tatimi në pronë. Pra për një vendim të tillë ne jemi bazuar në analogji sipas udhëzimit të cekur më lart”, ka thënë ajo. Sipas Balajt, nuk kanë pasur asnjë vërejtje nga qytetarët ose institucionet tjera për këtë vendim. “Ne do ta rishqyrtojmë këtë vendim dhe do ta revokojmë të njëjtin”, ka thënë ajo.

 KMDLNJ: Kushtëzimi komunal, shkelje e të drejtave të njeriut

Edhe Gjokë Lleshi, drejtor i shërbimeve publike dhe emergjente në Komunën e Klinës, ka thënë se Komuna nuk ka pasur formë tjetër që qytetarët të paguajnë shërbimet e pastrimit. 

“Unë jam për kushtëzime se nuk kemi formë tjetër që qytetarët të paguajnë shërbimet ose në të kundërtën do të na mbulojë bërlloku. Ky problem mendoj se do të duhej të hedhet në nivel qendror që të ketë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ) ka thënë se një veprim i tillë i komunave për kushtëzim të qytetarëve shkel të drejtat e qytetarëve. “Kjo dukuri ka qenë në diskutim edhe në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata u ka dhënë të drejtë qytetarëve që nuk mund të kushtëzohen për faturat me mbeturina në rast se ata dëshirojnë të regjistrojnë veturën. Përjashtim bëjmë vetëm pagesat e tatimit në pronë, ajo është e obligueshme. Këto dy komuna e shkelin ligjin në kushtëzimin e tyre, ku çdo shkelje e ligjit është edhe shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.