352 mijë objekte pa leje, 400 aplikacione për legalizim

Ekonomia February 03, 2016 - 07:36

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje nuk po del ashtu siç është llogaritur nga shteti. Nga 352 mijë e 836 ndërtime, aq sa është numri i atyre që janë regjistruar në regjistrin shtetëror në tërë territorin e Kosovës, deri më tani për legalizim kanë aplikuar rreth 400 palë.

Aplikimi për legalizim ka nisur më 16 shtator 2015 dhe afati i fundit për aplikim është data 16 mars 2016. Sipas kësaj ecurie, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me komunat, do të detyrohet që të shtyjë edhe më tej fazën e aplikimit për legalizim.

Sipas njohësve të planifikimit hapësinor problemi kryesor është te kërkesat që i ka vendosur si kriter për aplikim Qeveria.

“Problemi kryesor qëndron në kërkesat për legalizim që nuk përkasin me realitetin dhe gjendjen faktike, e sidomos kërkesat për projekte me përmbajtje që vështirë janë të zbatueshme dhe me kosto të madhe. Vetë UNESCO në një raport këshillues për vendet e Ballkanit ka sugjeruar lehtësime në procesin e legalizimit, e Kosova aplikon kritere të pazbatueshme që gjenerojnë kosto dhe punë të panevojshme. Ministria duhet të ndryshojë kritere ashtu siç ka premtuar e jo të eksperimentojë”, ka thënë arkitekti Valdet Osmani, i cili më herët ka qenë kritik edhe në përpilimin e Ligjit për Legalizim.

“Asokohe dhe më pas kam sugjeruar lehtësira për pjesën teknike dhe të mos kërkohet projekti, por vetëm raporti teknik me matje bazike dhe fotografi të gjendjes ekzistuese që është praktike për objekte të përfunduara”, thotë Osmani.

Në Prishtinën e 46 mijë ndërtimeve, aplikuan 177 të interesuar

Valdete Tahiti, zyrtare për Komunikim me publikun në MMPH, thotë se Ministria i ka kryer me kohë të gjitha obligimet që dalin nga Ligji nr. 04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke nxjerrë tri udhëzime administrative dhe një udhëzues për legalizim.

Ajo shpreson se ditëve në vijim të ketë më shumë aplikime.

“Në përgjithësi vërehet një numër i vogël i aplikuesve për legalizim, por me shpresë se deri më 16 mars 2016 do të ketë aplikime me një numër të shtuar. Gjatë raportimeve nga 27 komunat vërehet se gjithsejtë janë 403 aplikime në nivel vendi. Vetëm  Komuna e Prishtinës në fazën e parë të procesit, ka regjistruar në regjistër 46 mijë ndërtime pa leje, por aplikimi është tejet minor krahasuar me këtë numër”, ka thënë Tahiri.

Por, në anën tjetër në Komunën e Prishtinës thonë se numri i kërkesave për aplikim është shumë i vogël në raport me numrin e ndërtimeve.

“Duke mos i llogaritur mbi 6000 aplikime të procesit të vitit 2010, që në bazë të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje konsiderohen aplikime, deri më tani i kemi 177 aplikime të reja. Procesi i aplikimit do të përmbyllet më 16 mars 2016, andaj shfrytëzojmë rastin që të bëjmë apel të qytetarët që të aplikojnë në kohë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë Miranda Mullafazliu - Bejta, zyrtare e lartë për informim në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, Abetare Domi, udhëheqëse e zyrës për informim në Komunën e Gjakovës, ka treguar se në komunën e tyre janë regjistruar 8501 ndërtime pa leje, por që deri më tani vetëm 60 palë kanë dërguar aplikacionet e nevojshme për trajtim të objektit të tyre.

“Ndërkaq, për objekte publike të kategorisë së I dhe II (meqenëse kategoria e tretë (III) i përket nivelit të Ministrisë) në pronësi të institucioneve publike private dhe shoqërore kemi pasur aplikime p.sh. Këshilli i Bashkësisë Islame ka aplikuar për trajtim legalizim të objekteve publike - xhami e të tjera, dhe të njëjtët do të trajtohen sipas procedurës rregullore të paraparë me Ligjin mbi Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, ka thënë Domi.

U ndërtuan shkolla pa leje

Gazeta nuk ka mundur të marrë përgjigje nga disa komuna tjera të mëdha lidhur me procesin e legalizimit. Por, në ueb-faqen e MMPH-së ekziston regjistri shtetëror me të gjitha ndërtimet pa leje që kanë paraqitur komunat. Regjistrimi i ndërtimeve ka qenë hap i parë, derisa hap i dytë është aplikimi, pas aplikimit do të bëhet shqyrtimi i dokumentacionit.

Komuna e Gjilanit ka regjistruar rreth 32 mijë ndërtime pa leje. Mbi 32 mijë ndërtime i ka të regjistruara edhe Komuna e Ferizajt. Prizreni rreth 27 mijë, Deçani rreth 12 mijë, etj. Sipas regjistrit që është publikuar për Komunën e Prishtinës rezulton se vetë institucioni publik kishte bërë ndërtime pa leje në kohën sa kryeqytetin e udhëhiqte LDK-ja.

Në regjistër janë dy shkolla fillore të evidentuara, shkolla “Xhemail Mustafa” dhe “Dardania”. Ndërkohë, sipas ligjit për to duhet të aplikojë institucioni përkatës që e ka bërë ndërtimin, po në atë komunë që ka ndodhur ndërtimi.

Ndërtime pa leje në Prishtinë ka edhe të institucioneve tjera. Në regjistër të Prishtinës është i evidentuar edhe një mbindërtim, i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rrugën “Luan Haradinaj”.

Një “thes” me dokumente për aplikim

Ligji i ka klasifikuar ndërtimet pa leje në disa kategori dhe secila prej tyre duhet të posedojë dokumentacione thuajse të njëjta për aplikim për legalizim. P.sh, ndërtesat shumëkatëshe janë futur në kategorinë e dytë.

Dhe, nëse një pronar dëshiron të aplikojë për legalizim duhet të posedojë këto dokumente: Dëshmi për pagesën e taksës administrative prej njëqind (100) eurosh; Tri (3) kopje fizike dhe një kopje digjitale, në format PDF dhe DWG të vizatimeve teknike dhe informatave tjera mbështetëse; Kopja e planit dhe certifikata e pronësisë jo më të vjetra se gjashtë muaj.

Nëse aplikuesi nuk është pronari i regjistruar i parcelës, dëshmi për autorizimin e aplikuesit nga pronari për të dorëzuar aplikacionin 1; Dokumentacioni i kompanisë projektuese (kompania që përgatit dokumentacionin për legalizim); Planin e Situacionit që përfshin rrugët dhe ndërtesat përreth në përpjesë 1:1000 ose 1:500; Planin e Parcelës që përfshin ndërtesën dhe objektet tjera në parcelë në përpjesë 1:500 ose 1:200; Baza e themeleve, kateve dhe kulmit në përpjesë 1:100 ose 1:50; Prerjet e konstruksionit në përpjesë 1:100 ose 1:50; Dukjet duke përfshirë edhe ndërtesat fqinje; Raporti i stabilitetit të strukturës; Raport i instalimeve të ujit; Raporti i instalimeve të rrymës; Raporti i instalimeve mekanike; Projekti për mbrojtje nga zjarri; Së paku dy (2) fotografi të ndryshme të ndërtimit, të bëra gjatë ndërtimi; Si dhe, pëlqimet nga ofruesit e shërbimeve publike si: + Aprovimi për kyçje në rrjetin energjetik + Aprovimi për kyçje në rrjetin e ujësjellësit.