Blerjet e dyshimta dhe zaptimet e objekteve partiake

Ekonomia January 12, 2016 - 05:36

Pas “zaptimit” disavjeçar, partia më e madhe parlamentare në Kosovë (Partia Demokratike e Kosovës) tashmë e ka blerë objektin që e shfrytëzoi për rreth dy dekada.

Pavarësisht konfirmimit për pagesën e qindra mijëra eurove për blerjen e zyrave që gjenden mbi lokalet e Odës Ekonomike të Kosovës, në Sheshin “Nënë Tereza”, shitja e këtij objekti ka ngritur shumë pikëpyetje. Pjesa e objektit ku janë zyrat e PDK-së kanë qenë pronë e ndërmarrjes shoqërore “Ndërmarrja e Re Drithnaja Zyrat”. Zyrat e PDK-së fillimisht i bleu nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, për 555 mijë euro. Mirëpo, biznesmeni Deshishku çuditërisht pasi shpallet fitues, tërhiqet nga gara, përderisa ndërmarrja shitet më vonë, por me një çmim më të lirë përreth 200 mijë euro.

Në valën e 44-të të privatizimit, përkatësisht më 7 korrik 2010, zyrat e PDK-së janë blerë për 371.111 euro nga biznesmeni nga Klina, Burim Marmullaku, i cili është vëllai i gruas së kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, i cili po ashtu është zyrtar i lartë në partinë që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi. Për dallim nga zyrat e PDK-së, privatizimi i të cilave vlerësohet si i dyshimtë, partia tjetër parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila udhëhiqet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i mban ende zyrat të uzurpuara.

Zyrat e AAK-së janë të regjistruara në Kadastrën e Prishtinës si pronë e Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi, të cilit madje nuk i paguhet as qiraja nga partia e Haradinajt. Në anën tjetër, zyrat e LDK-së që gjenden në kompleksin “Qafa” në Prishtinë jozyrtarisht thuhet se janë blerë para luftës nga ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi. Ky i fundit mohon të ketë dhënë para për zyrat e partisë, ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Nisma për Kosovën” janë në objekte private, për të cilat paguajnë mijëra euro qira mujore.

Shitja e dyshimtë e objektit të PDK-së

Të dhënat e ofruara nga Kadastra e Komunës së Prishtinës, tregojnë se objekti ku gjendet selia e PDK-së në sheshin “Nëna Terezë”, është në pronësi të Odës Ekonomikë të Kosovës, dhe të “Ndërmarrjes së Re Drithnaja Zyrat”. Por, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se OEK-u është pronar i 3/4 të objektit. Gërxhaliu ka thënë se në procesin e privatizimit PDK-ja përmes disa kompanive private ka privatizuar pjesën e objektit ku është e vendosur. “Si OEK kontestin kryesor e kemi me pronarët e ‘Zanzi Bar’, ndërsa për hapësirën që e shfrytëzon PDK-ja, e kompenson përmes pagimit të energjisë elektrike”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se ish-sekretari i OEK-ut, Basri Jupolli, po i mbron personat që kanë uzurpuar pronën e Odës Ekonomike të Kosovës. “Besoj që kjo është një mundësi që Prokuroria e Shtetit me ngritë padi të drejtpërdrejtë se si mund të mbrojë dikush uzurpatorin me të cilin ka nënshkruar marrëveshje me të në cilësinë e sekretarit të OEK-ut”, ka thënë ai. Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk kanë dashur të tregojnë se nën emrin e cilit person, apo kompani janë privatizuar hapësirat ku ndodhet selia e PDK-së. “Ndërmarrja e Re Drithnaja Zyrat” Sh.P.K., e tenderuar në valën e 44-të të Privatizimit është privatizuar me çmim prej 371,111 euro.

Objekti është privatizuar më 7 korrik 2010, në të cilën kanë qenë tre ofertues. Emrat e ofertuesve janë konfidencial dhe kanë qenë tre të tillë. Pra, emrat janë të qasshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjet e këtij institucioni. Por, siç ka mësuar gazeta “Zëri”, fillimisht objekti është privatizuar nga ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, por që pas presioneve të bëra nga PDK-ja, është tërhequr nga privatizimi. Tërheqjen e ka konfirmuar edhe vetë biznesmeni Deshishku, por ka hezituar të bëjë publike arsyen.

“Është e vërtetë se ‘Lesna’ e ka fituar atë pjesë, më pas jam tërhequr..., besoni arsye për tërheqje kam pasur”, ka thënë shkurt Deshishku, pa dashur të komentojë më shumë. Më tej, burime të gazetës kanë bërë të ditur se ish-deputeti i LDK-së e kishte blerë hapësirën e godinës në vlerë prej 555 mijë euro, ose rreth 200 mijë euro më shumë sesa është privatizuar në raundin e mëpasmë.

Përmes një hulumtimi njëmujor gazeta “Zëri” ka gjetur se pas presioneve dhe tërheqjes së Deshishkut, hapësirën ku tani gjendet PDK-ja e ka privatizuar kompania Ndërmarrja e Re “Guri” nga Klina me pronar Burim Marmullakun, i cili është vëllai i gruas së kryetarit të Klinës, që vjen nga radhët e PDK-së, Sokol Bashota. Kjo kompani figuron edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Aktivitet primar e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa kapitalin që e ka deklaruar korrespondon me shumën fikse të cilën kjo kompani e kishte derdhur në arkat e AKP-së në vlerë prej 371.111 euro.

Burim Marmukllaku e ka konfirmuar se objekti ku është vendosur selia e PDK-së është pronë e privatizuar nga ai. “E kemi privatizuar ne. PDK-ja më paguan qira mujore rreth 1800 euro. Për detaje rreth kontratës mund të shkoni në PDK, ju tregojnë ata”, ka thënë Marmullaku për “Zërin”, ndërkohë që e ka pohuar se e ka mik të shtëpisë kryetarin e Klinës. Marmullaku ka edhe përfitime tjera nga objekti ngase mbi të është e vendosur antena e IPKO-s. Ai ka thënë se nga kjo kompani merr një qira mujore prej 500 eurosh.

Gazeta po ashtu ka siguruar informata të sakta se kunati i kryetarit Bashota e ka ndërtuar edhe një kompleks të madh banesor në qendër të qytetit të Klinës, të cilat i ka lëshuar në shitje. Banesat i ka reklamuar edhe në rrjetin social “Facebook” nën emrin e kompanisë “Guri-Klinë” SH.P.K. Engineering/Construction. Ndërkaq, zyra për informim e Komunës së Klinës dhe kryetari Bashota nuk kanë dashur të përgjigjen rreth favorizimeve që mund t’i jenë bërë kunatit të tij për dhënien e lejeve të ndërtimeve apo lidhjeve të tij familjare me të. Për këtë çështje nuk ka dashur të japë asnjë sqarim PDK-ja.

 AAK-ja uzurpoi 1000 metra katrorë

Derisa PDK-ja përmes kompanive të afërta me ta ka arritur ta privatizojë objektin ku ndodhet selia e partisë nga përfundimi i luftës, AAK-ja nuk ka zgjedhur mjete për pullazin e partisë. Që nga paslufta partia e Ramush Haradinajt është e vendosur në objekt të uzurpuar. Zyra për informim e kësaj partie nuk ka dashur të japë asnjë sqarim rreth selisë. Zëdhënësi i kësaj partie ka thënë se për këtë punë duhet të kontaktohet sekretari i  partisë, Valon Tolaj. Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar me sekretarin Tolaj, dhe megjithëqë qe ai ka premtuar se do të përgjigjet, një gjë të tillë nuk e ka bërë për disa javë.

Rina Govori, zyrtare e Kadastrës në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se ai objektet në Kadastrën e Prishtinës është i regjistruar në emrin e Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi, konkretisht në parcelën me numër 7433-0. Zyrtarë të këtij Instituti, i cili është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, kanë treguar se në dokumente që janë nënshkruar që nga paslufta, nuk figuron se AAK-ja paguan qira. Sipas tyre, subjekti politik i cili udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, deri në vitin 2004 kishte lidhur një kontratë për qiradhënie të këtij objekti, në vlerë prej 4 marka për metër katror dhe se kontrata ishte nënshkruar më 4 prill 2000, por nuk figuron askund se është paguar qiraja.

”Gjithnjë sipas kësaj kontrate, pra asaj që ishte valide deri në vitin 2004, në nenin 5 thuhet se qiramarrësi nuk mund të bëjë kurrfarë ndryshimi apo adaptimi të lokaleve pa pëlqimin e qiradhënësit. Sipërfaqja e një kati sipas një matjeje ajrore është 348m2 që do të thotë 3x348=1.044 m2”, thuhet në përgjigjet e Institutit drejtuar gazetës “Zëri”. Tutje në përgjigjen e Institutit thuhet se nga shikimi i këtij objekti shihet se në pjesën perëndimore ka disa shitore të hapura si në bodrum ashtu edhe në katin përdhes, por nuk dihet se a është edhe kjo pjesë e lokalit pronë e Institutit. Derisa Instituti nuk e di saktë nëse ajo është pronë e saj, shfrytëzuesit e dy lokaleve që janë të kapur për selinë e AAK-së, kanë thënë se është pronë e tyre. Në atë operojnë dy biznese “Super Viva” dhe bar-restoranti “Infinit”, të dyja janë në pronësi të Arton Bogiqit. “Dy lokalet janë tonat dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me Aleancën, i kemi që para luftës”, ka thënë njëri ndër pronarët, Arben Bogiqi.

 Partia e Limajt në shtëpinë e Mahmutit

Gazeta ka pritur disa javë dhe nuk ka marrë përgjigje as nga Zyra për informim e partisë së Fatmir Limajt lidhur me objektin e selisë së tyre. Të dhënat e Kadastrës të Komunës së Prishtinës tregojnë se objekti të cilin e ka në shfrytëzim “Nisma për Kosovën” është në emrin e Selvete Pllana Mahmutit. Objekti gjendet në lagjen “Qyteza Pejton”, në parcelën me numër 7294-0. Gazeta ka mësuar se Selvete Pllana Mahmuti është bashkëshortja e Bardhyl Mahmutit, publicistit dhe ish-politikanit nga Maqedonia.

Ndërkaq, në zemër të Prishtinës është e vendosur edhe selia e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Partia e Visar Ymerit paguan 2000 euro në muaj për zyrat e objektit që i shfrytëzon te “Qafa”. “Qiraja mujore bruto është 2000 euro në muaj. Objekti është 390.65 metra katrorë dhe emri i pronarit është Burhan Zhdrella. Kontrata është e lidhur ndërmjet NSH ‘Bear Communications’ si shfrytëzuese e objektit në tërësi e marrë me qira nga pronari dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ si qiramarrëse e 2 kateve të objektit prej NSH ‘Bear Communications’. Ne këtë objekt jemi prej 01.04.2014”, ka thënë zyrtari për informim i LVV-së, Frashër Krasniqi.

LDK-së objektin ia bleu Bukoshi para luftës

Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur ende në objektin ku e përfundoi veprimtarinë e tij ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, që ishte themelues i kësaj partie. Zyra për informim e LDK-së nuk ka dashur të përgjigjet lidhur me selinë. Gazeta ka mësuar nga disa zyrtarë të LDK-së që objekti që gjendet te “Qafa” është pronë e partisë dhe ka sipërfaqe rreth 200 metra katrorë.

“Objekti është blerë para luftës, nuk e di prej kujt, por objekti figuron në emër të LDK-së, jo të ndonjë individi të caktuar. Bile të gjitha faturat e shërbimeve publike vinë në emër të partisë. Me sa di, Bujar Bukoshi në atë kohë kur ka qenë, ishte shitur lokali i vjetër dhe ishte blerë ky”, kanë bërë të ditur zyrtarë të LDK-së. Për këtë çështje gazeta ka kontaktuar me Bukoshin, por ky i fundit mohon se ka dhënë para për blerjen e zyrave të cilat i shfrytëzon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zyrtarja e Kadastrës së Prishtinës ka thënë se në Kadastrën e Komunës së Prishtinës ky objekt nuk është i regjistruar në emër të askujt. Ndërkaq, në Ndërmarrjen Pronësore Banesore kanë bërë të ditur se ai objekt nuk ka qenë pronë e tyre.