Qeveria negocion marrëveshjen mes Telekomit dhe “Z-Mobile”, zhbllokohen llogaritë

Qeveria negocion marrëveshjen mes Telekomit dhe “Z-Mobile”, zhbllokohen llogaritë

Ekonomia November 16, 2020 - 18:43

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot para Qeverisë lidhur me bllokimin e llogarive bankare nga kompania “Dardafon”, pjesë e së cilës është edhe kompania "Z-Mobile", si masë për shlyerjen e borxhit që ndërmarrja ia kishte kompanisë, raporton Zeri.info.

Pas kësaj Telekomi, Qeveria dhe "Dardafon" kanë mbajtur një takim pas të cilit drejtori i Departamentit për Relacion me Publikun në Telekom, Menduh Abazi, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje prej të cilës edhe janë zhbllokuar llogaritë.

“Angazhimi i bordit dhe manaxhmentit për zhbllokimin e llogarive sot u kurorëzua me sukses. Ashtu siç kemi paralajmëruar ditë më parë se do të ketë një takim mes Telekomit dhe Dardafon dhe qeverisë ashtu edhe ndodhi dhe ky takim solli marrëveshjen me ndërmjetësim dhe garancion edhe nga qeveria e vendit. Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të korporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri”, tha ai, raporton Zeri.info.

Abazi thekson se në bazë të kësaj marrëveshje, Telekomi obligohet që brenda 24 muajve duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyejë komplet borxhin ndaj "Dardafon" që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore.

“Pas kësaj marrëveshjeje, Bordi dhe menaxhmenti me përkrahjen e qeverisë do të nisin implementimin e planit për rimëkëmbje të Telekomit ku brenda një afati tre vjeçar do të investohet në rrjet dhe çështje tjera me rëndësi të cilat ndikojnë në rritjen e vlerës së korporatës dhe stabilitetin financiar e teknik të kompanisë”, përfundon ai. /Zëri