Prishtina, pas komunave tjera me realizim të projekteve

Prishtina, pas komunave tjera me realizim të projekteve

Ekonomia December 27, 2019 - 11:27
Lexoni detajet

E mori kryeqytetin nën sloganin “Jepi krah Prishtinës”, por kryetarit aktual Shpend Ahmetit i janë thyer krahët në qeverisje, pasi që 2019-n po e përmbyll me shumë pak projekte kapitale të finalizuara. Ahmeti ka humbur edhe besimin e Kuvendit Komunal të kryeqendrës, pasi ata i kanë vënë në pah pa hezituar dështimet përgjatë tërë vitit, shkruan zot gazeta "Zëri".

Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera.

Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë,

Mosrealizimi i projekteve ka nxitur edhe reagime. Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, në një deklaratë dhënë “Zërit” pohoi se kryeqyteti nga të gjitha matjet është komuna me më së paku realizim të projekteve.

“Komuna e Prishtinës me kryetar Shpend Ahmetin në të gjitha matjet del të jetë komuna me më së paku realizim të projekteve të planifikuara në krahasim me komunat tjera të Republikës së Kosovës. Për 9 muaj qeverisje, sipas raporteve zyrtare nga Komuna, nga rreth 50 milionë euro të ndara për investime janë investuar vetëm 9 milionë euro. Kjo qeverisje, nëse e marrim me statistika të matjes së punës, del të jetë qeverisja më e dobët që nga paslufta”, ka thënë asamblisti i LVV-së.

Të njëjtën gjë për “Zërin” e ka pohuar edhe Agim Gashi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunë. Ai tha se gjatë nëntëmujorit të parë në Prishtinë janë shpenzuar vetëm 19,5% e mjeteve.

“Diku rreth 19,5% janë shpenzuar mjete në nëntëmujorin e parë. Tani për tani kur po flasim nuk i kemi të dhënat e sakta për të konstatuar shkallën e realizimit të projekteve, mirëpo ajo çfarë vërehet në bazë të një analize krahasimtare, ne jemi shumë të bindur që rreth mbi 25 milionë euro mjete do të barten në vitin e ardhshëm buxhetor. Kjo do të thotë që qeveria komunale dhe kryetari i Komunës kanë qenë shumë të pasuksesshëm, sidomos në realizimin e planit për investime kapitale”, ka thënë Gashi./ZERI