Vushtrri: Për projektin e kyçjeve individuale në ujësjellës, 1.5 milion euro

Vushtrri: Për projektin e kyçjeve individuale në ujësjellës, 1.5 milion euro

Ekonomia December 26, 2019 - 07:50
Detajet
Image

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e ka quajtur jetik projektin për kyçjen e mbi 9000 familjeve vushtrriase në rrjetin e ujësjellësit, derisa sqaron se Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen për mbështetje financiare të projektit me 300 mijë euro. Në realizimin e projektit marrin pjesë edhe familjet, por ato lirohen nga pagesa e taksës për kyçje prej 125 eurosh, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Dështon marrëveshja LVV - LDK, Kosova në krizë politike

Mbi 9000 familje të Vushtrrisë do të kyçen në rrjetin e ujësjellësit, në bazë të një projekti që ka koston prej 1.5 milion eurosh e të cilin është duke e realizuar Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me CDI-në zvicerane. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në takimin e fundit për këtë vit me qytetarët e Vushtrrisë ka thënë se projekti më jetik për qytetarët e komunës së Vushtrrisë është ai i kyçjes së mbi 9000 familjeve në rrjetin e ujësjellësit. “Projekti i Komunës së Vushtrrisë për kyçje individuale në rrjetin e ujësjellësit ka filluar të realizohet. Fillimisht kyçja ka filluar në Balincë, për të vazhduar në çdo lagje e në secilën shtëpi të qytetarit të Vushtrrisë. 9000 familje në Vushtrri do të kyçen në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa kostoja e projektit është mbi 1.5 milion euro. Ky premtim, nga më të rëndësishmit për qytetarin tonë, tani ka marrë udhën e mbarë të realizimit. Bashkë me qytetarin e Vushtrrisë çdo ditë po bëjmë ndryshimin e domosdoshëm në Vushtrri, do ta dërgojmë ujin te secila familje”, ka thënë i pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Në anën tjetër, 300 mijë euro të planifikuara nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor për projektin e kyçjeve në rrjetin e ujësjellësit ende nuk i janë ndarë Komunës së Vushtrrisë, ndonëse opozita në Vushtrri e ka kritikuar kryetarin Tahiri se nuk i ka marrë këto mjete nga Ministria.

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka sqaruar se Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka refuzuar t’i ndajë mjetet. “Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka refuzuar dhe ende refuzon t’i ndajë ato mjete (300 mijë euro). Ne i kemi bërë kërkesë kësaj ministrie që t’i japë mjetet e premtuara që nga qeverisja e kaluar. Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka refuzuar dhe ende refuzon ta nënshkruajë projektin, që siguron 300 mijë euro për realizimin e projektit e në mungesë të tyre Komuna po e realizon projektin e kyçjeve individuale edhe me pjesëmarrjen financiare të qytetarëve”, ka thënë Tahiri, i cili ka konstatuar se pushteti i kaluar është duke dezinformuar qytetarët. “Nëse i kanë marrë 300 mijë euro ata (pushteti i kaluar), atëherë le të tregojnë se ku i kanë lënë paratë”, ka pyetur ai, duke siguruar se do ta sjellë ujin në çdo shtëpi e në çdo fshat të Vushtrrisë. “Të gjithë qytetarët që marrin pjesë për kyçje tani lirohen nga taksa e kyçjes prej 125 eurosh. Deri te kjo zgjidhje është arritur me kërkesë të Komunës e në bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit të Ujit dhe me KRU-në ‘Mitrovica’”, ka sqaruar Tahiri, duke shpjeguar edhe për kërkesën që zyrtarisht ia ka bërë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për nënshkrimin e MoU-së për kyçje individuale në ujësjellës për 9000 familjeve vushtrriase. “Komuna e Vushtrrisë në bashkëfinancim me donatorë si CDI-ja, përkatësisht Qeveria e Zvicrës, ka realizuar projektin për shtrirjen e rrjetit primar të ujësjellësit në të gjithë fshatrat e komunës së Vushtrrisë, ndërsa atë sekondar në pjesën më të madhe të tyre. Tanimë nga projekti kanë mbetur për kyçjen individuale nëpër fshatra. Në Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 janë ndarë mjete financiare në shumën prej 300 mijë eurosh për komunën tonë me dedikimin për zgjerim të rrjetit sekondar dhe për kyçje individuale në rrjet. Kjo shumë është paraparë nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, kodi 18108. Këto mjete janë aprovuar me buxhetin e Republikës së Kosovës me kërkesën e Komunës së Vushtrrisë, të datës 07.12.2018, të adresuar Komisionit për Buxhet e Financa me rastin e amendamentimit të Draftligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019”, shkruan mes të tjerash në kërkesën e Komunës së Vushtrrisë të dërguar ministrit të Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vlerësuar se janë realizuar edhe shumë projekte të tjera, ndërsa ka precizuar se për projekte kapitale Komuna e Vushtrrisë e ka buxhetin prej 4.726.391 eurosh për vitin 2020.

Ndryshimet pozitive në shumë fusha në Komunën e Vushtrrisë i ka vlerësuar edhe Programi i USAID-it, TEAM-i, respektivisht drejtori i programit, Stephen Carpenter, i cili tha se kanë ndodhur ndryshime të mëdha në komunën e Vushtrrisë. “Jam dëshmitar i shumë ndryshimeve në komunën e Vushtrrisë për këtë 3 vjet sa jam drejtues i TEAM-it”, tha ai. //ZERI