Importohen 81 mijë kilogramë fishekzjarrë nga Kina

Importohen 81 mijë kilogramë fishekzjarrë nga Kina

Ekonomia December 19, 2019 - 09:56
Detajet

Për ndriçimin e qiejve, për zhurmimin në tokë e për kundërmimin e barutit në ajër Kosova edhe sivjet nuk ka kursyer aspak. Të pamëshirshëm ndaj shëndetit dhe ndaj sigurisë së qytetarëve janë treguar edhe këtë fundvit bizneset, institucionet e qytetarët kosovarë, të cilët për dallim nga vitet e kaluara sivjet kanë rritur kërkesat për blerje të mjeteve piroteknike, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Kosova shpenzon mbi 6 milionë euro në fishekzjarrë

 Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë konfirmuar për “Zërin” se vetëm këtë vit janë importuar 81 mijë kilogramë mjete piroteknike, vlera e të cilave po del të jetë 6.3 milionë euro. Ndërsa sipas njohësve të sigurisë në vend, nga institucionet përkatëse duhet të ndërmerren hapa për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e mjeteve piroteknike. Ata po ashtu kanë kërkuar bërjen e analizave për barutin, i cili gjendet në këto mjete pasi mund të mos jetë në përputhje me standardet evropiane.

Gjatë këtij viti Kosova ka importuar 81 mijë kilogramë fishekzjarrë, e tërë kjo sasi është importuar nga Kina. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për “Zërin” se vlera e mjeteve piroteknike e importuar është 6.3 milionë euro. “Gjatë këtij viti i tërë importi i fishekzjarrëve ishte nga Kina. Deri më tani kemi të importuara rreth 81.000 mijë kg me vlerë prej 6.3 milionë eurosh”, ka thënë ai për “Zërin”.

Stavileci ka informuar që taksa të paguara për këtë import janë me vlerë rreth dy milionë euro. “Taksa doganore të paguara janë rreth 2 milionë euro. Ka një rënie nga vitet e kaluara. Vitin e kaluar kishim të importuara mbi 100.000 kg mjete piroteknike”, ka thënë ndër të tjera Stavileci. //ZERI