Qeveria i shpenzoi kot 1.2 milion euro për INTERPOL

Ekonomia November 20, 2018 - 17:50
Lexo tjera detaje

Dështimi i sotëm i Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL, krahas dështimit diplomatik ka edhe koston e vet financiare.

Qeveria e Kosovës qe një kohë të gjatë një ndër temat kryesore me të cilat është marrë ka qenë anëtarësimi në këtë organizatë.

Madje kishin marrë vendim që të shpenzojnë 1.2 milion euro për lobim në shtete të ndryshme të botës që të anëtarësohet në INTERPOL.

Në tetor të këtij vitit, kabineti qeveritar kishte vendosur të ndajë 1.2 milion euro për këtë qëllim.

Dështimi i sotëm nënkupton se këto mjete janë shpenzuar kot. Këto janë mjetet e që ishin ndarë me vendim të veçantë të Qeverisë.

Vendimi i datën 19 tetor ia bartë Ministrisë së Punëve të Brendshme 1.2 milion euro.

Kryeministri Haradinaj ishte pyetur nga Kallxo.com se në çfarë forme të lobimit është paraparë të shpenzohen këto mjete.

Mirëpo Haradinaj nuk kishte dhënë detaje të hollësishme, duke shtuar se “vjen dita kur raportojmë”

“Kur të raportojmë pse janë përdorë tani ju shpjegojmë, tani nuk kam informatë më shumë. Vjen dita raportohet. Është një praktikë që në disa raste edhe në bazë të ligjit kemi të drejtë në një konfidencialitet të caktuar dhe raportimet bëhen në mënyra të caktuara. Kjo është një praktikë e zakonshme e ndarjes së këtyre fondeve por raportimi bëhet pas dedikimit e jo tash”, kishte thënë Haradinaj kur ishte marrë ky vendim.

Ish ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kishte thënë se në të kaluarën kur Kosova kishte provuar të antarsohej në INTERPOL, nuk ishin ndarë mjete për lobim.

“Nuk ka pasur buxhet për INTERPOL për lobim ose për çfarëdo qoftë që lidhet rreth INTERPOL-it. Buxheti është i MPB dhe brenda saj ekziston zyra për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për sundim të ligjit që është një surrogat i zyrës nacionale të INTERPOL”, kishte thënë ish ministri Hyseni për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Image