Mallrat me mbishkrimin 'Kosova e Metohija' importohen nga biznesi i deputetit të LDK-së

Ekonomia November 19, 2018 - 22:26
Lexo Detajet

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala sot lëshoi urdhëresë me të cilën ndalohet shitja e produkteve në të cilat nuk i referohen Kosovës si shtet.

Shala urdhëroi që këto produkte të largohen menjëherë prej tregut, dhe të mos lejohen të futen në territorin e Republikës së Kosovës.

E njëra prej kompanive që është dëshmuar se mban produkte që kanë mbishkrimin “Kosovë dhe Metohi”, është Elkos/ETC – e cila është në pronësi të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Mallrat të cilat kanë mbishkrimin “Kosova dhe Metohija” janë produkte të lavanderisë dhe kujdesit shtëpiak, të cilat vijnë nga Serbia. E disa prej këtyre produkteve i importon Elkos Group, kompania e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendit.

Elkos është kompani e autorizuar për distribuimin e produkteve të kompanisë gjermane “Henkel”, e cila ka kontraktuar firmën serbe “Merix” për shpërndarjen e produkteve të saja në Republikën e Serbisë dhe në territorin e Republikës së Kosovës. Elkos, produktet e kompanisë Henkel, i importon nga firma serbe Merix dhe i distribuon në Kosovë, shkruan Insajderi.

Pikërisht në këto produkte të kujdesit shtëpiak dhe lavanderisë është shfaqur mbishkrimi “Kosova dhe Metohija”.

Mirëpo, për të shmangur këtë skandal, kompania Elkos ka mbuluar mbishkrimin “Kosovë dhe Metohi” përmes letrave që u ka vendosur mbi mbishkrimin origjinal.

Kompania Elkos është përfshirë edhe më parë në skandale. Gjatë këtij viti, në lokalet e ETC-së është gjetur një sasi e konsiderueshme e mishit të prishur.

Image