Ku furnizohen me produkte ushqimore serbët e veriut të Mitrovicës?

Ekonomia November 16, 2018 - 15:24
Lexo detajet!

Qytetarë serbë të veriut të Mitrovicës, pronarë dyqanesh e biznesesh, punëmarrës e afaristë janë ankuar se çmimet e të gjitha produkteve të cilat importohen nga Serbia janë rritur për 10 për qind. Ata druajnë se do të ketë ndryshim çmimi edhe te materiali ndërtimor pas vënies së taksës prej 10 për qind nga Qeveria e Kosovës, shkruan "Zëri".

Por për shumicën e serbëve të veriut të Mitrovicës ngritja e çmimeve të produkteve serbe në veri të Mitrovicës nuk do të paraqesë asnjë problem, pasi ata zakonisht furnizohen në dyqanet në jug të Mitrovicës.

Sidomos serbët e shfrytëzojnë ETC-në, të cilën e shfrytëzojnë po aq sa edhe shqiptarët.

Por serbët frikësohen se vendosja e taksës prej 10 për qind në importin e produkteve nga Serbia e Bosnja do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve nëpër dyqanet në jug, madje disa nga ata edhe e dëshirojnë këtë me shpresën se shqiptarët do të bëjnë presion te Qeveria e Kosovës që ta heqë taksën.

Se çmimet e produkteve të ndryshme kanë lëvizur edhe në jug e thotë edhe një shqiptar Mehmet Haziri, i cili ka siguruar se tashmë çmimi i miellit është rritur.

Qeveria e Serbisë në anën tjetër, si dhe vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kanë kërkuar nga Prishtina që ta heqë taksën, në të kundërtën dialogu nuk do të vazhdojë.

Gjithashtu Lista Serbe është kërcënuar se do ta ngrejë popullin në protestë nëse kjo taksë nuk hiqet, shkruan më tutje "Zëri". 

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se të gjitha vendimet që merr Lista Serbe i harmonizon me qeverinë e Serbisë dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq, duke siguruar serbët se masa që ka ndërmarrë Prishtina “10 për qind taksë në produktet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës që hyjnë në Kosovë” do të hiqet, pasi që me këtë masë nuk pajtohet Serbia.

Ai ka porositur Prishtinën që t’i përmbahet Marrëveshjes së CEFTA-s, në të kundërtën serbët nuk do të rrinë duarkryq. Sipas Rakiqit, Prishtina nuk ka të drejtë të vendosë masa të asnjë lloji në produktet serbe. /ZERI