A po ka keqpërdorime në autostradën e Gjilanit?

Ekonomia November 15, 2018 - 17:45
Lexo Detajet

Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë e cila do të bëj lidhjen e Prishtinës me Kosovën Lindore ka nisur punimet në prill të këtij viti.

Për këtë projekt deri në muajin tetor janë shpenzuar rreth 5.5 milionë euro.

Këtë e kishte bërë të ditur për lajmi.net, ministria e Infrastrukturës duke shtuar se punimet në autostradë janë duke shkuar sipas planifikimeve.

Tutje, nga kjo ministri është thënë se procesi i shpronësimit ka përfunduar dhe i mbetet ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe Ministrisë së Financave që të përfundojnë procedurat e tyre.

Mirëpo, dyshime për keqpërdorime në këtë autostradë janë publikuar sot nga Lëvizja FOL pasi këta të fundit kanë monitoruar kontratën milionëshe.

Sipas kësaj organizate gjatë monitorimit të kontratës është vërejtur se procesverbali i hapjes së tenderit dhe prokurimit nuk janë të njëjtat. Tutje,nga FOL kanë deklaruar se kompanitë janë ankuar se punimet janë vonuar si rezultat i mungesës së shpronësimit.

I kontaktuar për këtë çështje, këshilltari i ministrit të Infrastrukturës Argjend Zejnaj ka thënë se nuk është në dijeni për këtë çështje.

Ndërsa zëvendësministri i kësaj ministrie, Rexhep Kadriu ka thënë se ende nuk e ka pa raportin e Lëvizjes FOL ndërkohë ka mohuar se ka keqpërdorime në këtë tender.

Po ashtu, mediumi ka tentuar të flasë edhe me prokurorin special, Sylë Hoxha nëse prokuroria ka nisur hetime rreth këtyre keqpërdorimeve por kontakti ka qenë i pamundur.

Të martën lajmi.net ishte në terren për të shikuar nga afër punimet që po bëhen në këtë autostradë ku ka vërjetur një ritëm të ngadalshëm të punimeve.

Theksojmë se kontrata e këtij projekti kap vlerën e 88.6 milionë eurove.