ATK nënshkruan memorandum me Ambasadat e Britanisë, Gjermanisë dhe GIZ-in

Ekonomia November 14, 2018 - 11:58
Lexo detajet!

Administrata Tatimore e Kosovës ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim – Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.

Me anë të këtij memorandumi synohet që të ofrohet ndihmë për Administratën Tatimore të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në fushën e raportimit financiar dhe analizës së pasqyrave financiare.

Sakip Imeri, drejtor i përgjithshmen i ATK-së tha se kjo është ngjarje e veçantë nga fakti se nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes tre institucioneve. Sipas tij ATK është e orientuar drejtë ofrimit të shërbimeve moderne dhe se me kapacitetet që i ka ATK është e gatshme të përkrah të gjitha iniciativat e qeverisë në funksion të ekonomisë së lirë.

“Nga viti 2010 ATK është përkrahur nga GIZ përmes ambasadës gjermane për ngritjen e kapaciteteve për të arritur viteve të fundit një partner të përhershëm. Në vitin 2010 Britania e madhe ka financuar një projekt dhe së fundmi është duke na asistuar në dy projekte, në fushën e bashkëpunimit në media e cila është bërë publike në emisione të veçante siç është Drejtësia në Kosovë”, tha Imeri.

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell tha se në Kosovë ekonomia jo formale është shumë e lartë, zvogëlon buxhetin dhe lehtëson korrupsionin. Kjo sipas tij direkt prek jetën e qytetarëve.

“Unë besoj fuqishëm që ka shumë zyrtarë në ATK që janë të dedikuar në punën e tyre që janë të gatshëm të bëhen heronj e ri të Kosovës. Projektligji mbi sinjalizuesit e korrupsionit do të përkrahet nga ne. Në fund ne jemi partnerët e juaj, Britania e Madhe ka nevojë për një shtet të fortë të Kosovës”, tha ai.

Ambasadori gjerman Christian Held tha se është sinjal i madh që sot janë me ambasadat dhe GIZ-in. Ai tha se roli i tyre është që të lehtësojnë punën dhe të përforcojmë institucionet e Kosovës duke e përforcuar sundimin e ligjit.

“Tani më jemi duke bashkëpunuar që një dekadë në përforcimin e bashkëpunimin me institucionet dhe ATK-në… ATK është pjesë e shtetit dhe është vet shteti, ajo nuk është për ndonjë parti apo biznes. Gjithçka çka ne mund të bëjnë është ngritja e kapaciteteve të bashkëpunimit, secili punëtorë i ATK-së të ndihet krenar që i shërben këtij vendi”, tha ai.

David Oberhuber drejtor i GIZ-it për Kosovë tha se ata tashmë kanë bashkëpunim shumë të mirë.

“Por kur organizata e merr punën seriozisht për të cilin edhe respektohet dhe për këtë duhet të jetë edhe ATK. Jemi të lumtur që ndihmojmë për ngritjen e profesionalizmit të ATK”, tha Oberhuber./kallxo.com