Financimin e qëndrueshëm të komunave, Tahiri e quan hap kyç drejt reformave në nivel lokal

Ekonomia November 13, 2018 - 18:31
Lexo tjera detaje

Në kuadër të mbështetjes për komunat dhe proceseve reformuese, në mbledhjen e 75-të Qeveria e Kosovës miratoi Koncept-Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal dhe disa vendime në favor të mbështetjes së Komunave.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se Koncept-Dokumenti për Financat e Pushtetit Lokal, ofron një qasje të re të financimit të kompetencave komunale; ofron qartësi për financimin e zjarrfikësve, inspektorëve të tregut, inspektorëve sanitarë dhe fito-sanitarë.

“Përtej kësaj, forcon autonominë dhe disiplinën e komunave në menaxhimin e financave, duke ndihmuar edhe në përmirësimin e planifikimit. Njëkohësisht forcon transparencën në ndarjen e granteve komunale. Ky Koncept-Dokument garanton financim të shërbimeve sociale në komuna, sfidë kjo e potencuar përvitshëm nga Raporti i Progresit. Përtej kësaj, projektligji synon të vendosë parime, kritere dhe balancë të investimeve qeveritare, njëkohësisht të stimulojë performancën komunale”, ka thënë Tahiri, përmes një postimi në Facebook.

Ai më tej thotë se “Projektligji ofron zgjidhje për tejkalimin e sfidave të komunave me qëndrueshmëri të vogël financiare, njëkohësisht i përgjigjet kontestit që është krijuar me avancimet e ligjeve sektoriale”.

“Ky koncept-dokument dhe përgjithësisht fusha e financave të pushtetit lokal paraqet elementin më substancial që bashkërisht me vendimet dhe veprimet tjera të ndërmarra nga Qeveria t’i hap perspektivë të re zhvillimit ekonomik lokal”, ka shkruar Tahiri.