Rritet për 2 milionë euro buxheti për pensione të veteranëve

Ekonomia November 10, 2018 - 08:10
Lexo tjera detaje
Image

60 milionë e 571 mijë e 776 euro janë paraparë të ndahen për pensione të veteranëve gjatë vitit 2019. Rritja e shumës në 2 milionë euro më shumë për këtë kategori po kritikohet nga kryesuesit e Komisionit për Buxhet e Financa dhe nga ekspertët e ekonomisë. Ata po propozojnë caktim të pensioneve të dinjitetshme vetëm për veteranët e vërtetë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mbi 2 milionë euro më shumë janë parashikuar të ndahen për pagesa të pensioneve për veteranët e luftës gjatë vitit 2019. Për ndarjen e kësaj shume janë kundër ekspertët e ekonomisë, derisa përfaqësuesit e veteranëve janë të gatshëm t’i kërkojnë pensionet me rritje nëse realizohet ngritja e pagës minimale. Kështu ka deklaruar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, për gazetën “Zëri”. “Nëse ngrihet paga minimale, atëherë edhe pensioni i veteranëve duhet të ngrihet, kjo gjë është edhe me ligj, prandaj unë besoj se nëse ngrihet paga minimale duhet të rriten edhe pensionet e veteranëve. Në momentin që rriten pagat duhet të rriten edhe pagat e veteranëve të luftës, që është edhe me ligj e garantuar”, është shprehur Gucati.

Ndërkohë ai deklaron se është pro rivlerësimit të veteranëve për të nxjerrë në pah numrin e saktë të tyre. “Nuk jam i sigurt a po rritet numri i veteranëve, sepse nuk kam të dhëna momentalisht a po rritet ose jo. Ne mendojmë se ky buxhet është i mjaftueshëm për veteranë edhe pse ka bërë bujë fyerja e listave, dalja e listave publike të keqpërdoruesve. Jam gjithmonë ithtar i asaj që të kthehet prapë në rivlerësim të veteranëve dhe rivlerësimi të nxjerrë numrin e saktë të veteranëve”, ka theksuar në mes tjerash.

Në bazë të deklarimeve publike kjo shifër pritet të ngrihet edhe më shumë në vitin 2020 deri në 5 milionë euro më shumë sesa aktualisht.

Rritet numri i veteranëve

Muajin e kaluar gazeta “Zëri” ka raportuar se nga janari deri në shtator numri i veteranëve është rritur për 1 mijë e 400, ndërsa për pensionet e tyre janë shpenzuar mbi 57 milionë euro për 9 muaj. Vetëm në muajin shtator numri i veteranëve që kanë përfituar pensione ka arritur në 38.184, duke u rritur për rreth 1400 vetë brenda një periudhë nëntëmujore, përkatësisht nga janari në shtator 2018.

Prokuroria e Shtetit ka dyshime se në listat e veteranëve janë rreth 20 mijë veteranë të rremë, të cilët marrin pensione nga shteti. Për këtë gjë para një muaji Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Veteranët”, në mesin e tyre janë: ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës ose të autoritetit zyrtar”, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 

 Gjykata Themelore ia ktheu aktakuzën për përmirësim sërish Prokurorisë Speciale.

Hadërgjonaj: Buxheti kthehet në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore

Veteranët të cilët po dyshohen se nuk janë meritorë të këtyre pensioneve nuk mund të gëzojnë edhe gjatë përfitimet nga shteti. Në bazë të deklaratës së zëvendëskryetares së parë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore mjetet buxhetore duhet të kthehen sërish në buxhetin e Kosovës.

Kështu është shprehur ajo në një përgjigje për gazetën “Zëri”. “Derisa veteranëve u është njohur statusi duhet ndarë pagën me buxhet, por të njëjtën kohë duhet të veprohet në forma tjera, të cilat i identifikojmë se a janë të vërtetë, nëse disa s’janë duhet të hiqen. Buxheti duhet të sigurohet, buxheti duhet të kthehet nëse ligji e konstaton se ka bërë shkelje ligjore ose është bërë veteran pa të drejtë, duhet t’i kthejë mjetet që i ka marrë, kështu që ato kthehen prapë në buxhet”, ka sqaruar ajo.

Ndërsa çështjen e veteranëve në tërësi e ka konsideruar si një problem derisa nuk rregullohet ligji. “Çështja e veteranëve është një problem në vete që duhet të rregullohet ligji, në mënyrë që të mos mundnin çdo ditë të bëhen veteranë të rinj. Për këta që janë buxheti duhet të sigurohet, kurse ata që nuk janë duhet të merren institucionet, të cilat janë përgjegjëse për t’u marrë me këtë çështje”, ka shtuar Hadërgjonaj.

Të njëjtin sqarim e ka dhënë edhe ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë Haki Shatri. Për gazetën “Zëri” Shatri ka treguar se buxheti është siguruar për t’i mbuluar përfituesit e tanishëm derisa të korrigjohet numri dhe të zbritet dhënia. “Veteranët e rrejshëm do t’i vërtetojë gjykata. Ne nuk e dimë, as nuk mund të paragjykojmë pavarësisht se e dimë se është numër i madh i tyre. Buxheti është siguruar për t’i mbuluar këta që janë tash për tash shfrytëzues, kur të korrigjohet numri zbritet dhënia dhe përshtatet”, ka sqaruar Shatri.

Ndërsa kërkesat e veteranëve për ngritje të pensioneve thuajse i ka shuar. Ai ka thënë se buxheti është 2 miliardë e 300 milionë, ndërsa kërkesat janë për 6 miliardë. “Kufijtë i kemi 2 miliardë e  300 milionë euro, kërkesat i kemi për 6 miliardë. Kërkesat janë më të mëdha sesa mundësitë dhe shuma e Qeverisë është zyrtare. Kategoria e veteranëve është mbuluar me një parallogari të vitit që jemi tash, sa kanë qenë shfrytëzues here shuma vjetore dhe kalkulohet përafërsisht e lejohet të hyjë në buxhet. Nëse teprojnë tërhiqen paratë, nëse nuk dalin shtohen. Kjo vlen për të gjitha vijat buxhetore. Këtu janë lejuar mjetet”, ka përfunduar ai.

Kërkohen pensione të dinjitetshme për veteranët meritorë

Ekspertët e ekonomisë po kërkojnë pensione të dinjitetshme vetëm për veteranët e vërtetët. Kështu ka propozuar eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa. “Duhet të sigurohet një pension i dinjitetshëm për veteranët që janë të vërtetë, por nuk mund të rritet buxheti për veteranë të cilët edhe në institucionet juridike, në Prokurori dhe të gjithë komandantët po e shohin se në atë listë nuk ka aq shumë veteranë”, ka rekomanduar Mustafa.

Ndërkohë veteranët e rremë, sipas tij, duhet të caktohen nga gjykata, komandantët e Komisioni. “Prandaj të rrisim buxhetin për ata që janë vërtetë veteranë, por është e nevojshme të caktohet një buxhet i dinjitetshëm për veteranët e vërtetë. Veteranët e rremë duhet t’i caktojë gjykata, komandantët ose Komisioni”, ka pohuar njohësi i rrethanave ekonomike.

Prokuroria Speciale me të ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit deklaroi se nga pagesat e kundërligjshme deri më tani buxheti i shtetit është dëmtuar me hiç më pak se 68 milionë e 153 mijë e 14 euro./ZËRI