5.000.000.000 € ia falëm Serbisë

Ekonomia November 10, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje
Image

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2000 e deri në fund të muajit shtator të vitit 2018 Kosova importoi nga Serbia produkte ushqimore dhe joushqimore në vlerë prej 5 miliardë eurosh, derisa prodhuesit kosovarë në këtë shtet gjatë kësaj periudhe kohore eksportuan produkte në vlerë prej 300 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë po rriten nga dita në ditë, pavarësisht përkeqësimit të vazhdueshëm të raporteve politike në mes të këtyre dy shteteve. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se gjatë vitit 2017 importet nga Serbia kanë arritur rekordin që nga përfundimi i luftës e deri më tash.

Gjatë këtij viti kompanitë serbe në vendin tonë eksportuan produkte në vlerë prej hiç më pak se 449 milionë euro, derisa në anën tjetër kompanitë kosovare në këtë shtet eksportuan produkte në vlerë prej 48 milionë eurosh e ku gjatë këtij viti deficiti tregtar ka qenë rreth 400 milionë euro, më i madhi deri më tash. Situatë thuajse e ngjashme ka qenë edhe gjatë vitit 2016, ku gjatë këtij viti kompanitë serbe në Kosovë eksportuan produkte ushqimore e joushqimore në vlerë prej 387 milionë eurosh, derisa ato kosovare në këtë shtet eksportuan prodhime në vlerë prej 41 milionë eurosh.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se gjatë vitit 2015 kompanitë serbe në Kosovës eksportuan produkte ushqimore e joushqimore në vlerë prej 382 milionë eurosh, derisa ato kosovare në këtë shtet eksportuan produkte në vlerë prej 32 milionë eurosh. Më tutje, duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se produktet ushqimore me bazë gruri, por edhe materialet ndërtimore janë ndër produktet kryesore që Serbia eksporton në vendin tonë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thënë për gazetën “Zëri” se ky vendim ndikon në zhvillimin ekonomik, pasi sipas tij produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë përdorur masa me qëllim nën çmimin e prodhimit. “Ky është vendim i Qeverisë. Unë si ministër i Tregtisë i kam kryer obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë që i kam si ministër.

Në këtë rast MTI-ja i ka propozuar Qeverisë së Kosovës këtë masë 10 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës me qëllim që t’i mbrojë produktet vendore dhe kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, pas është vërejtur që produktet që Serbia dhe Bosnja po importojnë në Kosovë janë produkte që kanë përdorur masa, me qëllim që ato produkte të vijnë në tregun e Kosovës nën çmimin e prodhimit e me këtë ato dëmtojnë prodhimin tonë vendor”, ka thënë ai.

BE-ja pret të hiqet taksa

Bashkimi Evropian pret nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin hapa drejt vazhdimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Kështu deklaruan për radion “Evropa e Lirë” zyrtarët në Bruksel pas paralajmërimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se nuk do të takohet me homologun kosovar Hashim Thaçin derisa të jetë në fuqi taksa që ua ka vënë Kosova importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kjo thuhet të ketë qenë edhe tema kryesore e takimit të dy presidentëve, të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq, tha se masa që ka ndërmarrë Kosova ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës minon bashkëpunimin rajonal dhe “nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. “E kemi bërë të qartë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është shkelje e detyrimeve të Kosovës që dalin nga CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore). Ne qartë presim që Kosova ta tërheqë këtë masë”, tha Kocijançiq.

Deputetët përkrahin produktet vendore

Klubi i Prodhueseve të Kosovës së bashku me deputetë të Republikës së Kosovës nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik kanë vizituar të premten marketin “Plus Center”. Në komunikatën e dërguar për medie thuhet se qëllimi i vizitës ishte njoftimi nga afër me zbatimin e Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit, në veçanti një pjesë të këtij ligji, ku parashihet vendosja e flamujve të vendit të origjinës afër produkteve e që ka për synim informimin më të mirë të qytetarëve me prejardhjen e produkteve. Më tutje në komunikate thuhet se pronari i “Plus Center”, Sylejman Neziri, i falënderoi deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik për vizitën dhe i njoftoi për problemet me të cilat janë ballafaquar deri më tani.

Ai njëkohësisht shprehu kënaqësinë e zbatimit të këtij ligjit, posaçërisht vendosjen e flamujve pranë produkteve, ku tha që kjo masë është dashur të ndërmerret shumë më herët. “Deputetja Sala Berisha Shala e falënderoi për mirëpritje dhe për iniciativën e vendosjes së flamujve, edhe pse neni që i obligon shitësit të vendosin flamujt do të fillojë së zbatuari në fund të dhjetorit të këtij viti. Ajo po ashtu ftoi qytetarët që të konsumojnë prodhime vendore, duke i siguruar për kualitetin e tyre.Deputetët vazhduan vizitën e tyre edhe në “Oxa Group”, në fabrikën e përpunimit “Tefik Çanga”, ku u njoftuan me procesin dhe me sfidat e prodhimit.

Naser Hoxha, pronar i “Oxa Group”, tregoi për konkurrencën jolojale dhe sfidat e prodhimit në Kosovë. Deputetët i morën parasysh këto probleme dhe ofruan mbështetjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në shqyrtimin e tyre dhe siguruan në mbështetjen e vazhdueshme për zhvillim të sektorit të prodhimit”, thuhet në komunikatën për medie.  

 

Viti                  Importe                 Eksporte

 

2017    449.918.000    48.246.000 

2016    387.647.000    41.331.000

2015    382.129.000   32.262.000

2014    368.234.000    27.292.000

2013    285.356.000    14.463.000

2012    278.388.000    14.968.000

2011    254.917.000    7.198.000

2010    260.471.000    3.941.000

2009    210.901.000    3.504.000

2008    208.951.000    9.893.000

2007    222.534.000    19.280.000

2006    191.053.000    20.910.000

2005    152.257.000    8.158.000

2004    161.281.000    10.060.000

2003    156.410.000    6.754.000

2002    193.840.000    4.745.000