Ndërmarrjet shoqërore u kthehen në kompetencë komunave serbe

Ekonomia November 09, 2018 - 08:15
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Lideri i Listës Serbe dhe një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të privatizimit në veri të Kosovës e në mjediset me serbë, Goran Rakiq, nëpërmes një komunikate për mediet në veri ka thënë “se është ndaluar privatizimi, i cili ekonomikisht dhe politikisht ka rrezikuar mbetjen e popullit serb në Kosovë”, ndërsa ndërmarrjet u janë kthyer në kompetencë komunave me shumicë serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse ende është larg formimi i të ashtuquajturit Asociacion i Komunave Serbe, i cili siç parashikon Beogradi do të jetë një “Republikë” në vete për shkak se pjesë e saj do të jenë dhjetë komuna me shumicë serbe, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore është ndaluar në këto komuna.

LEXO EDHE: Plani i gardianit për arratisjen e malazezit ishte zbuluar nga Drejtoria e Burgut

Siç ka njoftuar nëpërmes një komunikate Lista Serbe, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, ndërmarrjet shoqërore tani u janë kthyer në kompetencë komunave me shumicë serbe.

“Me një punë shumëvjeçare të përfaqësuesve të Listës Serbe, posaçërisht të kryetarëve të komunave me shumicë serbe, ministrit në dorëheqje Ivan Teodosijeviq dhe të deputetëve të Listës Serbe e gjitha prona e ndërmarrjeve shoqërore që ndodhet në territorin e komunave me shumicë serbe është bartur në kompetencë të vet komunave. Me këtë vendim është ndalur përfundimisht privatizimi, i cili ekonomikisht dhe politikisht ka rrezikuar mbetjen dhe qëndrimin e popullit serb në gjithë Kosovën në vitet e kaluara”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Rakiq: Ky vendim do të avancojë zhvillimin

E kryetari i Listës Serbe dhe i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se ky vendim do të avancojë zhvillimin dhe ambientin ekonomik nëpër komuna, por edhe do të krijojë kushte më të mira për qytetarët. 

“Procesi i privatizimit në Kosovë është bërë në mënyrë të gabuar dhe shumë herë është kritikuar jo vetëm nga përfaqësuesit politikë të serbëve, por nga vetë shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare, andaj ky proces vetëm sa ka kthyer prapa ekonominë dhe gjithë qytetarët, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët. Ky sukses ka treguar në vepër se Lista Serbe përkujdeset për interesat e qytetarëve dhe në këtë mënyrë arsyeton mbi 90 për qind të votave të fituara në zgjedhje”, ka thënë Rakiq.

Sipas Listës Serbe, rreth 75 lokale dhe objekte të ndërmarrjes tregtare “Lux” tashmë i janë kthyer në kompetencë Komunës Veriore të Mitrovicës.

Përpjekjet për t’i liruar pronat shoqërore të uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës asnjëherë nuk kanë pasur sukses

. Sa herë që AKP-ja është përpjekur të bëjë diçka, përballë i ka dalë Goran Rakiq, i cili për një moment, zyrtarët e AKP-së dhe policët që shoqëronin ata i ka quajtur “kauboj”.

Para pak kohësh, zyrtarë të AKP-së, i patën thënë “Zërit” se në veri të Kosovës, gjegjësisht në veri të Mitrovicës janë uzurpuar 40 prona të AKP-së, të shumtën objekte dhe lokale të ish-ndërmarrjes shoqërore tregtare “Lux”, të cilat me gjithë përpjekjet nuk kanë mundur të privatizohen të gjitha.

Serbët e veriut të Mitrovicës në disa valë të privatizimit nuk kanë lejuar shitjen, duke mos e njohur autoritetin e AKP-së, por deri në marsin e vitit 2015 në veri janë privatizuar 75 objekte dhe lokale të ndryshme, në mesin e të cilave edhe kafeneja “Dolce Vita”, e njohur si vendi i qëndrimit të pjesëtarëve të grupit të ashtuquajtur “Rojet e urës”, nga e cila ata dilnin në rrugë dhe keqtrajtonin shqiptarët të cilët kalonin urën.

Shumicën e këtyre lokaleve i kanë blerë shqiptarët, të cilët ndonëse të bindur se do të kenë vështirësi për t’i shfrytëzuar, megjithatë kanë marrë guximin t’i blejnë nga AKP-ja.

Nuk ka shkuar shumë kohë e kafeneja “Doce Vita”, të cilën e kishte blerë familja Peci, është bërë rrafsh me tokë, nga një zjarr që kishte shpërthyer.

Në këtë kafene, jorrallë pinin kafe dhe qëndronin kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri dhe Edita Tahiri, ish-kryesuese delegacionit të Kosovës në dialog me Serbinë.

Serbët kishin penguar aksionin e AKP-së

Por për lirimin e pronave të uzurpuara nga serbët AKP-ja ka ndërmarrë aksion dy herë, por në të dyja rastet ishte kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ai i cili nuk kishte lejuar.

Rakiq aksionin e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP) për lirimin e lokaleve dhe objekteve të ndërmarrjeve shoqërore të uzurpuara në veri të Mitrovicës (7 lokale afariste të ish-“Lux”-it) e kishte quajtur aksion kaubojsh, i cili, siç kishte thënë Rakiq, “nuk do të lejohet të zbatohet në veri të Mitrovicës”.

 Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte konfirmuar se kishte shtyrë aksionin për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të uzurpuara në veri të Mitrovicës, siç kishte thënë “në bashkëpunim të plotë dhe në koordinim me Policinë e Kosovës”.

“Pezullimi i lirimit të pronave shoqërore në veri të Mitrovicës nuk ka lidhje me ndonjë mossukses të institucioneve. Kërkesa e Policisë në veri për asistim të lirimit të pronave i është dërguar më 18 maj 2016, për datën 26 maj, ndërsa nuk ka qenë në plan që aksioni të realizohet më 26 maj, sepse aksioni është pezulluar më herët”, kishin thënë në AKP.  

 AKP-ja ishte përpjekur t’i privatizojë edhe rreth 10 lokale të “Lux”-it me sipërfaqe më të mëdha, të cilat ndodhen në rrugën kryesore të Mitrovicës së veriut, por procesi i privatizimit megjithatë ishte shtyrë derisa të formohej Bordi i AKP-së.

Pas shtyrjes Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, kishte kërkuar që vendimi për shtyrje të privatizimit të mbetet në fuqi edhe pas kompletimit të Bordit të AKP-së.

Rakiq edhe atëherë ishte zotuar se “me të gjitha mjetet demokratike do të pengohet ky aksion kaubojsh”. E lokali i njohur gjatë kohës sa ishte pronë e ish-ndërmarrjes “Lux”, si “Zelenika Lux”, në të cilën ndodhet kafeneja “Dolce Vita”, ishte blerë në shkurtin e vitit 2014 nga familja Peci, në valën e 23-të të likuidimit nga AKP-ja. “Më 5 shkurt të vitit 2014, AKP-ja ka konfirmuar shpalljen e fituesit me çmimin më të lartë.

Blerja e këtij lokali, pra të ‘Dolce Vita’, është bërë përmes likuidimit në valën e 23-të, që e ka shpallur AKP-ja”, pati konfirmuar një anëtar i familjes Peci, Ekremi. Por Sasha Radosavleviq, i cili shtirej si pronar i saj, nuk kishte pranuar që ta lirojë atë deri më 31 gusht 2016, kur nga persona të panjohur kafeneja “Dolce Vita” ishte djegur deri në themele.

Tani kur shumicën nga 75 lokale afariste të “Lux”-it në veri të Mitrovicës i kanë privatizuar shqiptarët dhe ata posedojnë me kontratat që kanë lidhur me AKP-në, nuk dihet se çfarë do të bëhet me pronat e tyre, pasi kryetari i Komunës Veriore, Goran Rakiq, këmbëngul se ato të gjitha i janë kthyer komunës në kompetencë.