Korrupsioni po i largon investitorët kroatë

Ekonomia November 08, 2018 - 11:16

Ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq, gjatë një interviste për ‘Zërin’ ka shprehur shqetësimin se shumë investitorë kroatë janë të dekurajuar nga mungesa e transparencës në tenderët publikë. Sipas saj, ndonjëherë edhe pse kompanitë i përmbushin kriteret ndodh që ato përjashtohen nga gara pa shpjegime të qarta.

Zëri: Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Kroacisë është i një niveli shumë të ulët, ku importet vjetore nga Kroacia nuk arrijnë as 60 milionë euro, përderisa eksportet janë simbolike, mbi 2 milionë euro. Si të thellohet një bashkëpunim i tillë ekonomik?

Kapitanoviq: Jemi gati për thellimin e bashkëpunimit tonë në këtë sektor dhe gjithashtu në fusha të tjera me interes të përbashkët. Ekziston një numër i marrëveshjeve bilaterale edhe në fushën ekonomike, por zbatimi duhet të jetë i drejtë. Ekziston edhe hapësira për thellimin e ekonomisë sonë në veçanti, duke marrë parasysh marrëdhëniet tona miqësore dhe historike. Kroacia gjithmonë e ka përkrahur Kosovën në periudha të ndryshme kohore. Për fat të keq shumë investitorë janë të dekurajuar nga mungesa e transparencës në tenderët publikë, në procedurat e prokurimit, pengesat janë në faza të ndryshme të ciklit të biznesit, ndonjëherë edhe pse kompanitë i përmbushin kriteret, shpesh ndodh që ato përjashtohen nga gara pa shpjegime të qarta.

Zëri: A keni ndonjë rast konkret?

Kapitanoviq: Kemi disa raste të ndërmarrjeve zakonisht të vogla dhe të mesme. Pastaj kemi shembuj kur nënshkruhet një kontratë dhe e njëjta nuk respektohet plotësisht. Në të vërtetë shumë investitorë janë dekurajuar pikërisht për shkak të kësaj miqësie dhe të marrëdhënieve tradicionale, kjo përbën një kapital që është humbur dhe se duhet të punohet më shumë në këtë aspekt, si dhe ka nevojë për t’i rritur përpjekjet, për ta përmirësuar konkurrencën dhe transparencën.
 

Zëri: A ka interesim të kompanive kroate për të investuar në Kosovë, në cilën fushë është interesimi më i madh?

Kapitanoviq: Ka interes në infrastrukturë, në infrastrukturën hekurudhore, në rindërtimin e hekurudhave. Keni pasur infrastrukturën hekurudhore, por të njëjtën keni nevojë ta rindërtoni. E di se ka shumë punë që duhet bërë në sferën e menaxhimit të mbeturinave, pastaj ne me siguri mund të punojmë më shumë për shkëmbimin tregtar ose për burimet alternative të energjisë diellore dhe të erës. Kemi shembuj të disa kompanive që punojnë në sektorin solar, por siç thashë nevojitet përmirësim në transparencë dhe në prokurim publik, ndoshta edhe për procedura administrative më të shpejta dhe më të thjeshta.

 

Zëri: A qëndron problemi te korrupsioni?

Kapitanoviq: Zakonisht ka lidhje (korrupsioni) dhe të kthehemi te procedura e prokurimit, ndoshta një “Stop-shop” mund të ndihmojë reformën e prokurimit publik. Sigurisht që tani për çfarë keni nevojë është një hap i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin, duke nxitur reformën e mirë të prokurimit publik, pasi kjo ka pasoja shumë të mëdha në sferat siç janë investimet, pastaj ofrimi i shërbimeve lokale, shërbimit të kujdesit shëndetësor, arsimor, të gjitha janë të ndërlidhura./ZERI