MTI-ja, 'e palëkundur' për taksën ndaj produkteve serbe

Ekonomia November 08, 2018 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, po qëndron i palëkundur në vendimin e tij për vendosjen e masës prej 10 për qind në importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Por, ish-kreu i MTI-së Bajram Hasani, që dikur drejtonte këtë dikaster, rekomandon që masa adekuate e vendosur ndaj këtyre mallrave do të duhej të ishte 30 për qind e jo vetëm 10 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës prej 10 për qind në importet e mallrave që vijnë nga Serbia e Bosnjë Hercegovina i ka gëzuar prodhuesit vendorë.

Pronari i kompanisë “Meka Hallall-Food”, Burim Piraj, shpreh entuziazmin e tij për shtytje të zhvillimit të kompanisë me punësimin e punëtorëve të rinj.

Derisa ministri i ri i Tregtisë thotë ta ketë marrë këtë vendim pikërisht me qëllim të mbrojtjes së produkteve vendore. Në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ministri Shala tregon se ky vendim ndikon në zhvillimin ekonomik, pasi sipas tij produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina kanë përdorur masa me qëllim nën çmimin e prodhimit. “Ky është vendim i Qeverisë. Unë si ministër i Tregtisë i kam kryer obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë që i kam si ministër. Në këtë rast MTI-ja i ka propozuar Qeverisë së Kosovës këtë masë 10 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës me qëllim që t’i mbrojë produktet vendore dhe kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, pas është vërejtur që produktet që Serbia dhe Bosnja po importojnë në Kosovë janë produkte që kanë përdorur masa me qëllim që ato produkte të vijnë në tregun e Kosovës nën çmimin e prodhimit e me këtë ato dëmtojnë prodhimin tonë vendor”, është shprehur ministri Shala.

Ministri qëndron i palëkundur nga vendimi, duke deklaruar se e ka kryer detyrën, për të cilën dogana dhe institucionet përgjegjëse duhet ta zbatojnë plotësisht. “Unë e kam kryer detyrën, Qeveria e ka marrë vendimin, vendimi është në fuqi, dogana dhe institucionet e tjera janë përgjegjëse ta zbatojnë vendimin”, ka shtuar më tutje ai. Por, ky vendim nuk u prit me kaq dëshirë nga ndërkombëtarët.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, deklaroi për gazetën “Zëri” se ky veprim është shkelje e obligimeve të Kosovës, duke iu referuar marrëveshjes së CEFTA-s. “BE-ja po kërkon sqarime urgjente në lidhje me vendimin e papritur të sotëm nga Qeveria e Kosovës për të imponuar një rritje prej 10% të taksave të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. BE-ja pret që Kosova, e cila aktualisht mban kryesimin e CEFTA-s, të përmbushë plotësisht detyrimet e CEFTA-s dhe të revokojë masën”, ka thënë Kocijançiq.

Piraj: Do të ketë ndikim çdo taksë

Pronari i kompanisë “Meka Hallall-Food” Burim Piraj, i cili e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, e vlerëson vendimin si të qëlluar, me shpresën se nuk do të tërhiqet. Kështu është shprehur ai në një prononcim për gazetën “Zëri”. “Vendimi është shumë i qëlluar, pak me vonesë, por prapëseprapë shumë vendim i qëlluar. Shpresojmë që ky vendim të mos tërhiqet. Do të ketë ndikim shumë të madh. Të gjithë prodhuesit vendorë që preken nga importi i produkteve serbe të Bosnjës do ta kenë një shtytje për zhvillim më të madh. Çdo shtytje e zhvillimit të kompanisë e ka atë produktin final, punësimin e punëtorëve të rinj. Ne do të fillojmë me hapjen e vendeve të punës. Kjo nuk mund të ndodhë menjëherë, por nëse vazhdon të mbetet kjo shumë vende të punës do të hapen në shumë fabrika”, ka treguar Piraj. Sipas tij, do të ketë ndikim çdo taksë meqenëse tregu është i balancuar. Ai ka komentuar edhe presionin e ndërkombëtarëve, duke thënë se sa herë po bëjnë diçka të mirë po vijnë presionet, ndërsa Serbia vazhdimisht po gjen mbështetje. “Ne po e shohim se po kemi presione të përditshme sa herë po bëjmë diçka të mirë për vendin tonë. Duhet t’i përballojmë presionet. Kështu-ashtu nuk po gjejmë përkrahje prej bashkësisë ndërkombëtare. Kohën e fundit Kosova nuk është e përkrahur aspak, të gjitha përkrahjet po shkojnë nga ana e Serbisë. Të gjithë ata po duan të përgatisin Serbinë për ta futur në Evropë. Ndërsa nga ana tjetër Kosovës i bëhen barriera të ndryshme. Kosova është vendi i vetëm që i ka të gjymta traktatet e nënshkruara edhe të CEFTA-s, edhe të MSA-së, për arsye se traktati i qarkullimit të lirë nuk vlen vetëm për mallra”, ka shtuar më tutje. Vendimi i tillë u mirëprit edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, por gjeti kundërshtime të ashpra nga ish-drejtuesit e këtij dikasteri dhe ndërkombëtarët.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një deklaratë për gazetën “Zëri” tha se e përkrahin vendimin e Qeverisë në kuptim të interesit shtetëror. “Janë disa çështje të cilat me dinamikë jo të pritur ia kanë kthyer vëmendjen ekonomisë, pasi Kosova ka qenë e ngarkuar me tema të cilësisë vetëm politike. Është krijuar një presion nga strukturat e caktuara që të rriten pagat, pra ne duhet të kalojmë nga varësia e konsumit në rritje ekonomike. Ne kemi rritje stabile në kuptim të një norme që na përcjell, por kjo nuk po gjeneron edhe normë në të njëjtën kohë. Dje Qeveria ka marrë vendim, të cilin e kemi përkrahur në kuptim të interesit shtetëror dhe besoj që edhe sektori privat do të orientohet në këtë drejtim”, theksoi ai.

Ish-ministri Hasani: Taksa ndaj produkteve serbe, e vendosur nga mllefi

“Është një masë e vendosur prej një mllefi”, kështu e fillon komentimin ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani për vendimin e Qeverisë së Kosovës në vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në Serbi dhe në Bosnjë Hercegovinë.

Hasani në një prononcim për gazetën “Zëri” ka deklaruar se reagimi i Qeverisë ka ardhur si një kundërshtim për lobimet që po i bën Serbia për tërheqjen e njohjeve nga Kosova. “Qeveria e Kosovës për shkak të fillimit të diplomacisë së Serbisë në lobimin e fuqishëm të tërheqjeve të njohjeve ndaj Kosovës e ka marrë këtë vendim. Është një reagim i Qeverisë. Me këtë vendim përjashtohen vendimet që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka marrë më herët, që jemi bazuar në ligje konkrete. Taksa duhet të jetë jo 10 për qind, por së paku 30 për qind. Kosova e ka të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizimi-Asociimit dhe Marrëveshjen e CEFTA-s. Për t’i zbatuar këto duhet mbështetur në ligj”, ka thënë Hasani. Ish-ministri shprehet i bindur se kjo marrëveshje nuk mund të jetësohet gjatë për shkak të presionit ndërkombëtar. “Jam shumë i bindur se këtë marrëveshje për shkak të presionit ndërkombëtar Bashkimit Evropian nuk mund ta përballojë gjatë, do ta tërheqë dhe kjo masë prej 10-përqindëshit është një taksë, por lejon importin. Nëse vendoset një taksë për Serbinë dhe Bosnjën prej 30 për qind do ta reduktonin importin dhe do t’u jepte mundësi prodhuesve vendorë, por kjo është më tepër simbolikë”, ka theksuar në mes të tjerash ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës vendosi masë prej 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe nga Bosnjë Hercegovina./ZËRI