Embargo ndaj Serbisë përfshin mijëra artikuj, dyshime nëse Kosova do t'i qëndrojë presionit

Ekonomia November 07, 2018 - 17:36
Lexo tjera detaje

Kosova blen gjithçka nga Serbia, prej ujit e miellit deri tek kafshët e gjalla. Qeveria e Kosovës ka vendosur që të sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje ndaj qasjes e saj politike agresive ndaj Kosovës. Secili produkt serb që hynë në Kosovë do të taksohet me 10 për qind. Njëjtë edhe produktet e Bosnjës. Express ju sjell një listë të gjatë me mijëra produkte të cilat do të cilave u vihet taksa shtesë, por do të kursehen produktet ndërkombëtare që në Kosovë hyjnë nga Serbia. Kryeministri Ramush Haradinaj ishte i vetëdijshëm se po fillonte një dramë me vendimin e tij, por ka dyshime nëse qeveria do t’i bëjë ballë presionit

Miliona euro ka kushtuar vetëm uji i pijshëm që Kosova e ka importuar nga Serbia gjatë gjashtë muajve të vitit 2018. Kjo është vetëm vazhdimësi e një tregtie tejet të njëanshme  që bëhet mes Kosovës e Serbisë. Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë ndajë mijëra produkteve serbe që hyjnë në Kosovë si kundërpërgjigje

Ekzekutivi kosovar  vendosi që ta sanksionojë Serbinë përmes mallrave që kjo i eksporton në Kosovë.  Përveç Serbisë, e sanksionuar me vendim të Qeverisë doli edhe Bosnja e Hercegovina.

Tarifë shtesë prej 10 për qind do të kenë të gjitha produktet serbe e boshnjake që hyjnë në Kosovë, vetëm se këtu nuk përfshihen produktetet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e në Bosnjë.

Kosova importon mijëra mallra që prodhohen nga kompani të mëdha botërore në Serbi, e që shiten më vonë në Kosovë. Këto nuk do të jenë të sanksionuara.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për Gazetën Express se produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi nuk u kanë vënë taksa shtesë pasi

“Ato nuk janë produkte serbe, janë brende ndërkombëtare qe vijnë nga vende mike të Kosovës dhe si të tilla nuk mund t’i sanksionojmë pasi vendet prej nga vijnë këto brenda janë vende aleate, mike te Kosovës”, thotë Shala.

Sipas ekonomistit Hekuran Murati, Qeveria mori vendim të tillë, pasi dëshiron t’i tregojë Bashkimit Evropian se mund të bëjë tollovi, nëse nuk liberalizohen vizat.

“Vendimi i sotëm për taksë 10% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, vjen nga një pozitë e dobësisë, jo e fuqisë. Ky vendim duhet të shihet ashtu si është - një tentim i dëshpëruar i Qeverisë tonë për t'a shantazhuar BE-në, tani që po shihet fushës se vizat nuk do të hiqen, edhe pasi dhamë tokë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai nuk beson se vendimi i Qeverisë do të zgjasë më shumë se deri në fund të javës ose në fund të muajit

Kur kryeministri tregoi të martën për vendimin që ka marrë, tha se pret që situata të dramatizohej. Menjëherë në adresë të tij shkuan reagime nga Bashkimi Evropian. I pari ishte ai i Zyrës së Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini.

“Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic.

Qeveria e Kosovës nuk po zmbrapset as pasi që mori një reagim të tillë. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, thotë se nuk kanë plan për t’u kthyer mbrapa.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim që vjen pas rrethanave politike dhe ekonomike në vend. Nuk ka plan për tërheqje tëvendimit”, thotë Gashi.

Përveç Serbisë, cak i sanksioneve nga Qeveria e Kosovës është edhe Bosnja e Hercegovina.

Ministri i Tregtisë thotë se arsyeja e taksimit të produkteve me origjinë boshnjake është qasja politike që ky shtet ka ndaj Kosovës.

“B e H nuk njeh qenien e shtetit tonë, nuk njeh dokumentet e udhëtimit, nuk njeh targat tona dhe si rrjedhojë paraqet pengesa të paimagjinueshme për bizneset, produktet tona”, ka thënë ai.

Diplomacia boshnjake i ka reaguar vendimit të Qeverisë në Kosovës. Ministri i Jashtëm Igor Crnadak.

“Ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë shtesë prej 10 për qind për produktet e importuara nga Bosnja është në kundërshtim me të gjitha rregullat e tregtisë së lirë në rajon, gjithashtu edhe në kundërshtim me promovimin e raporteve rajonale. Bosnja kundër këtij veprimi të Prishtinës do të reagojë edhe në mekanizmat e CEFTA-s, dhe do të kërkojë që ky vendim i Prishtinës të jetë në agjendën e radhës të takimit të ministrave të Punës së Jashtme që do të mbahet në Mal të Zi, më 28 dhe 29 nëntor”, thuhet në reagimin e lëshuar nga MPJ-ja e Bosnjës.

Ndërkohë Gazeta Express ka siguruar një listë “kilometërshe” të doganës së Kosovës numërohen qindra mijëra mallra që Serbia i prodhon për t’i shitur në Kosovë.

Dogana e Kosovës ka konfirmuar për Express që nga sot ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë. Secili produkt serb taksohet nga sot në doganat e Kosovës. Siç tregojnë nga këtu, edhe gruri hynë në listën e produkteve për eksportimin e të cilit serbët paguajnë taksën shtesë prej 10 për qind. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të cilit iu konfirmua sot një takim me shefin e shtetit serb nuk i ka dhënë mbështetje këtij veprimi të Qeverisë, përderis shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq tha se Serbia nuk mund të bëjë asgjë për ta ndalë këtë vendim duke shtuar se kjo masë i dedikohet BE’së pasi Kosova sipas tij në këtë mënyrë ka shprehur pa kënaqësinë për mosliberalizimin e vizave.