Ish-ministri Hasani: Taksa ndaj produkteve serbe e vendosur nga mllefi

Ekonomia November 07, 2018 - 15:24
Detajet

“Është një masë e vendosur prej një mllefi”, kështu e fillon komentimin ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani për vendimin e Qeverisë së Kosovës në vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Hasani në një prononcim për Zërin, ka deklaruar se reagimi i Qeverisë ka ardhur si një kundërshtim për lobimet që po i bën Serbia për tërheqjen e njohjeve nga Kosova.

“Qeveria e Kosovës për shkak të fillimit të diplomacisë së Serbisë në lobimin e fuqishëm e tërheqjeve të njohjeve ndaj Kosovës e ka marrë këtë vendim. Është një reagim i Qeverisë. Me këtë vendim, përjashtohen vendimet që  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka marrë më herët që jemi bazuar në ligje konkrete. Taksa duhet të jetë jo 10 për qind po së paku 30 për qind. Kosova e ka të nënshkruar marrëveshjen e Stabilizimi Asociimit dhe marrëveshjen e CEFTA-s. Për t’i zbatuar këto duhet mbështetur në ligj”, ka thënë Hasani.

Ish-ministri shprehet i bindur se kjo marrëveshje nuk mund të jetësohet gjatë, për shkak të presionit ndërkombëtar.

“Jam shumë i bindur se këtë marrëveshje për shkak të presionit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian nuk mund ta përballojnë gjatë, do ta tërheqin dhe kjo masë prej 10 për qindëshit është një taksë por lejon importin. Nëse vendoset një taksë për Serbinë dhe Bosnjën prej 30 për qind do ta reduktonin importin dhe do t’iu jepte mundësi prodhuesve vendor, por kjo është më tepër simbolikë”, ka theksuar në mes tjerash ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës vendosi masë prej 10 për qind në importin e mallrave  nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Ky vendim u mirëprit edhe nga prodhuesit vendor. /ZËRI/