Dogana konfirmon se ka nisur zbatimi i vendimit për taksë ndaj mallrave serbe

Ekonomia November 07, 2018 - 12:28
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Zëdhënësi i Doganave të Republikës së Kosovës, Adriatik Stavileci, e ka konfirmuar se ka filluar zbatimi i vendimit të djeshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për taksën prej 10 për qind për produktet të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Po, po ka filluar”, ka thënë Stavileci shkurt në një përgjigje për Express.

Ky vendim i djeshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për taks shtesë prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po konsiderohet në kundërshtim më marrëveshjen e CEFTA-s.

Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë, dje ka reaguar Bashkimi Evropian, duke kërkuar që një vendim i tillë të pezullohet.

Reagime të ashpëra kanë ardhë edhe nga Serbia. Marko Gjuriq ka thënë se nëse nuk anulohet ky vendim, atëherë Serbia do të shqyrtojë ndërprerjen e dialogut në Bruksel.

Ndërsa ministri i Tregtisë së Bosnje dhe Herecogivnës, Mirko Saroviç, ka thënë se një vendim i tillë i Qeverisë së Republikës së Kosovës përbën precedent dhe shkel marrëveshjen e CEFTA-s.

Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm të krerëve të CEFTA-s lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë nga Qeveria e Republikës së Kosovës një vendim i tillë po promovohet si një mbështetje për prodhimet vendore.