Banorët e Çikatovës ndalojnë makinerinë e 'Ferronikelit'

Ekonomia November 05, 2018 - 08:32
Kjo është arsyeja
Image

Komuna e Drenasit duke pretenduar se pyjet e Çikatovës së Vjetër janë pronë e “Ferronikelit” dhe se ato janë shpronësuar në vitet e 70-ta ka marrë leje nga ndërmarrja që t’i presë ato për t’ia mundësuar makinerisë së “Ferronikelit” gërmimet për xehe, por banorët nuk kanë lejuar. Ata thonë se pronat që janë shpronësuar janë bërë rrafsh me tokë, ndërsa ato që nuk janë shpronësuar nuk janë prekur, shkruan sot gazeta "Zëri".

Banorët e Çikatovës së Vjetër kanë protestuar kundër Komunës së Drenasit, e cila me leje të ndërmarrjes “Ferronikeli” ka dashur t’i presë pyjet e Çikatovës së Vjetër, duke pretenduar se janë prona të saj, pa u konsultuar fare me banorët e fshatit. Më të zëshmit janë “Morinët”, të cilët nuk pajtohen në asnjë mënyrë me konstatimet e Komunës së Drenasit se pronat janë shpronësuar në vitet e 70-ta. Ata thonë se pronat u takojnë atyre, duke siguruar se malet janë trashëguar nga të parët e tyre.

LEXO EDHE: AKP-ja nxjerr në shitje toka të uzurpuara

Njëri prej banorëve, Ardian Morina, thotë se argument se këto toka janë të tyre është se çdoherë janë pyetur nga fabrika kur kanë dashur të bëjnë kërkime gjeologjike dhe çdoherë për këtë u është bërë kompensimi.

“Ka dyqind vjet që kjo tokë është pronë e familjes.

Komuna ia ka falur pronat ‘Ferronikelit’, po ia mban anën ‘Ferronikelit’ në dëm tonë. Ne jemi pezmatuar edhe më shumë kur morëm vesh se Komuna pa u konsultuar me neve ka marrë leje nga ‘Feronikelit’ për prerjen e drunjve në malet tona, që pretendojnë se janë të tyre. Komuna disa herë ka tentuar që me forcë të hyjë në tokat tona, por nuk i kemi lejuar”, ka thënë ai, duke shtuar se problemi qëndron në faktin se kur janë kompensuar pronat banorët nuk janë pajtuar dhe nuk e kanë pranuar kompensimin e ofruar nga ndërmarrja dhe kanë vazhduar ta kërkojnë të drejtë nëpërmes gjykatës.

Ankohen për moskompensim

Banorët e Çikatovës së Vjetër kanë dalë dhe kanë ndaluar makinerinë e “Ferronikelit” që të gërmojë për xehe në pronat e tyre. Morina tha se janë 5 hektarë tokë që ia ka marrë “Ferronikeli” dhe nuk ka asnjë dëshmi që toka i është kompensuar. 

“Toka na është marrë dhe po vazhdon të merret nga ‘Ferronikeli’ për ta eksploatuar për xehe. Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje paraprake dhe unë siguroj se nuk është paguar asnjë cent për këto toka. Komuna vetë po dëshiron t’ia falë tokat tona ‘Ferronikelit”, i ka thënë “Zërit” Morina nëpërmes telefonit, i cili ka shtuar se pronat që janë kompensuar janë bërë rrafsh nga gjurmimet, sepse është nxjerrë xehe, ndërsa pronat që nuk janë kompensuar nuk janë prekur. 

“Komuna po bën presion te ne, pronat që po i kërkon Komuna nga ne nuk janë kompensuar. Kjo që po thotë Komuna se pronat janë në emër të ‘Ferronikelit’ nuk ka asnjë dëshmi, ata thonë kështu. Ne nuk kemi asnjë dëshmi që pronat tona janë paguar ose janë kompensuar në ndonjë formë. Ata po duan të na i marrin pa i paguar, pa i kompensuar dhe ne këtë nuk e lejojmë”, ka thënë Morina, duke përsëritur se toka që u është marrë për “Ferronikelin” më 27 maj të vitit 1977 është gërmuar, ndërsa ato prona për të cilat nuk është arritur marrëveshje deri në vitin 2014 nuk janë prekur, sepse janë prona tona, konkretisht këta 5 hektarë pronë imja. “Jemi duke biseduar me ta (menaxhmentin e ‘Ferronikelit’) qe 12 vjet, por nuk kemi arritur asnjë marrëveshje. Ndonjë veprim që kanë ndërmarrë kur kanë bërë ndonjë hulumtim për xehe, gjithmonë na kanë paguar, shpimet që i ka bërë ‘Ferronikeli i ka paguar. Tash po do të na i presë pyjet e menjëherë të nxjerrin xehe nga aty, kjo nuk bën. Nuk i kemi lejuar të hyjnë në pronat tona, kanë ardhur edhe me Polici, s’i lejojmë se nuk na janë kompensuar. Ne jemi duke i mbrojtur pronat tona. Edhe anëtari më i vogël i familjes sime ka për të dalë w për t’i mbrojtur”, ka siguruar Morina.

Komuna e Drenasit: Pronat janë të regjistruara në emër të “Ferronikelit”

Në anën tjetër, në Komunën e Drenasit kanë thënë se pronat janë të regjistruara në emër të “New Co Ferronikeli”, në zonën kadastrale Çikatovë e Vjetër. “Ato prona janë regjistruara në emër të ‘Ferronikelit’ në vitet e 70-ta në bazë të kompensimit që është kryer. Është zhvilluar procedura e shpronësimit për ato. Shpronësimi është bërë në atë kohë, në vitet e 70-ta”, thuhet mes tjerash në një përgjigje të Komunës së Drenasit. 

E ndërkaq banorët e Çikatovës së Vjetër janë zotuar se nuk do të heqin dorë nga pronat e tyre dhe se nuk do të lejojnë makinerinë e “Ferronikelit” të futet në to e as Komunën që t’i presë drunjtë. “Nuk i lejojmë asnjërin prej tyre që të futet në pronat tona, paraprakisht duhet të na kompensojnë”, ka thënë shkurt Ardian Morina, banor i fshatit. /ZERI