Pastrohen mbi 35 deponi ilegale të mbeturinave

Ekonomia October 29, 2018 - 08:55
Bëhet fjalë për pastrimin e këtyre deponive

Image

 

Në Mitrovicë dhe në komunat përreth, Skenderaj, Vushtrri e Drenas, janë identifikuar mbi 100 deponi ilegale të mbeturinave. Në Mitrovicë deri më tani janë pastruar 6 deponi të mbeturinave, në Skenderaj 13, në Vushtrri 8 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa në komunën e Drenasit janë identifikuar 57 deponi ilegale të mbeturinave, por pastrimi i  tyre nuk ka filluar ende, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me tonë mbeturina janë larguar nga deponitë ilegale të mbeturinave në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Skenderaj, Vushtrri, si dhe në komunën e Drenasit, në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

Në Mitrovicë deri më tani janë pastruar 6 deponi të mëdha të mbeturinave, si dhe disa të vogla, në Skenderaj 13, në Vushtrri 8 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa në komunën e Drenasit janë identifikuar 57 deponi ilegale, por pastrimi i tyre nuk ka filluar ende. Komunat kanë angazhuar kompanitë për pastrimin e të gjitha hapësirave të shndërruara në deponi mbeturinash, të cilat kanë paraqitur rrezik për shëndetin e qytetarëve.

LEXO EDHE: Përçarjet e mëdha në Degën e PDK-së në Skenderaj

Drejtori për Ambient në Komunën e Mitrovicës, Asllan Isufi, i tha “Zërit”, të premten, se në komunën e Mitrovicës janë identifikuar 9 deponi të mëdha ilegale të mbeturinave dhe disa të vogla: deponia në afërsi të kampit danez të KFOR-it në Zhabar (brigjet e lumit Ibër), deponia në Shipol, deponia në Vaganicë, deponi të vogla, aksi rrugor (baypas) Vaganicë – Bair, deponia afër QMF-së në Iliridë, deponia në fshatin Bare, deponia në lagjen “2 Korriku”, deponia në Zhabar të Epërm (aksi rrugor që shkon nga “Emona” tek ish-kampi danez i KFOR-it dhe deponia te ish-LUX-i, brigjet e lumit Silnica. 

“Me identifikimin e deponive kemi pasur për objektiv pastrimin e hapësirave publike dhe shesheve, pastrimin e deponive të vogla brigjeve të rrugëve (arterieve kryesore) të qytetit, largimin e të gjitha mbeturinave në komunën e Mitrovicës, minimizimin e sasisë së mbetjeve të depozituara në deponi (si rezultat i zvogëlimit të sasisë dhe kostos së magazinimit, operimit dhe kohëzgjatjes së deponisë), ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave përmes largimit të burimeve ilegale, ngritjen e ndërgjegjësimit të publikut për mjedisin e kujdesit jetësor dhe mënyrën e ndarjes së mbeturinave, krijimin e infrastrukturës së përzgjedhjes së mbeturinave, krijimin e infrastrukturës përçuese për mbeturinave bioorganike, krijimin e një mekanizmi të qëndrueshmërisë për klubet e gjelbra për zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese nëpërmjet mbështetjes nga kompanitë mbledhëse”, ka thënë drejtori Isufi.

Sipas tij, janë gjetur lokacionet për deponimin e mbeturinave të grumbulluara; për ato ndërtimore në Frashër, deponia në Gërmovë, lokacioni 2 dhe mbeturinat komunale gjithashtu në Gërmovë, në lokacionin 1. “Janë zhbërë (pastruar) deponitë e mbeturinave në ‘Lagjen e Romëve’, te Liqeni Artificial, aksi rrugor në hyrje të tunelit (Shupkovc, pjesë nga PIM-i), te moteli në Lisicë, varrezat ortodokse, deponia ilegale prapa ETC-së, afër fakultetit ICBM, aksi rrugor prapa Kolegjit të Biznesit dhe ETC-së, si dhe deponia aksi rrugor Vidishiq – Bare”, ka shpjeguar drejtori Isufi, i cili ka shtuar se menjëherë është ndërmarrë një aksion për mbjelljen e 280 drurëve dekorativë te shkolla dhe te QMF-të.

Në komunën e Vushtrrisë janë zhbërë dy deponitë më të mëdha që kanë ekzistuar, ajo në Pestovë dhe deponia më e madhe te varrezat e vjetra të qytetit, e cila shpie deri tek lumi Sitnica. Kjo e fundit është krijuar në fund të rrugës së varrezave të vjetra, duke mbuluar edhe argjenturën (bankinën), në mënyrë që kanë pamundësuar kalimin e lirë në atë pjesë. 

Drejtori i Shërbimeve në Komunën e Vushtrrisë, Sedat Rashica, ka thënë se disa hapësira tashmë janë shndërruar në vende të cilat do të gjelbërohen. “Puna që kemi bërë ka dhënë rezultate në të gjithë territorin e komunës. Kemi bërë një eliminim të qëndrueshëm të deponive ilegale. Janë pastruar lokacionet e shndërruara në deponi mbeturinash te ish-moteli ‘Vicianum’, ku janë larguar rreth 60 kamionë me mbeturina dhe janë tërhequr dy kontejnerë, deponia në rrugën ‘Lumni Surdulli’, deponia në rrugën ‘Bahri Kuçi’. Është eliminuar dhe është pastruar deponia më e madhe, ajo në Pestovë”, ka thënë drejtori Rashica.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, duke folur për deponinë ilegale në Pestovë, tha se kjo deponi ka qenë problemi dhe shqetësimi më i madh për banorët e Pestovës.

“Iniciativa komunale e ndërruar të enjten për të pastruar deponinë e mbeturinave në fshatin Pestovë duket se ka dhënë efekt. Të enjten kishte filluar pastrimi i kësaj deponie me shumë mbeturina në Pestovë e të premten dukej një gjendje krejtësisht tjetër”, ka nënvizuar kryetari Tahiri.

Edhe në komunën e Skenderajt janë pastruar disa nga deponitë ilegale të mbeturinave, të cilat kanë qenë shqetësim për qytetarët e Skenderajt.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se ka vazhduar aksioni i pastrimit në gjithë komunën e Skenderajt.

“Po vazhdon aksioni i pastrimit në gjithë Skenderajn me mbështetje të kompanive të angazhuara me pajiset e veta motorike dhe me fuqi punëtore, të cilat kanë arritur t’i eliminojnë gjithsej 13 deponi ilegale, duke larguar mbi 290 tonë mbeturina inerte dhe mbetje të tjera. Fshatrat në të cilat janë eliminuar deponitë ilegale janë: Polaci (një deponi, 1.5 ton mbeturina inerte dhe të tjera), Tërnavci (1 deponi, 4 tonë mbeturina inerte dhe të tjera), Klinë e Epërme (2 deponi ,78 tonë mbeturina inerte dhe të tjera), Kryshefc (3 deponi, 66.5 tonë mbeturina inerte dhe të tjera), Marinë (2 deponi, 32 tonë mbeturina inerte dhe të tjera), Prekaz i Epërm (1 deponi, 17 tonë mbeturina inerte dhe të tjera) dhe Lubovec (3 deponi ,78 tonë mbeturina inerte dhe të tjera)”, ka precizuar kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Në komunën e Drenasit, ndërkaq, akoma nuk ka filluar pastrimi i deponive ilegale të mbeturinave.

Drejtoresha e Shërbimeve Publike në Drenas, Lumnie Krapi, i tha “Zërit”, të premten, se janë identifikuar 57 deponi ilegale të mbeturinave. Sipas saj, deponia më e madhe është në Korroticë dhe se pastrimi i deponive do të fillojë nga ajo deponi. Krapi tha se tashmë është angazhuar kompania, e cila do të bëjë pastrimin e të gjitha deponive ilegale të mbeturinave në komunën e Drenasit.