Zbatimi i kodit +383, dështime të sërishme

Ekonomia October 24, 2018 - 08:11
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Kodi telefonik shtetëror i Kosovës +383 mund të vonojë së zbatuari në tërësi sërish. Ndonëse kanë kaluar katër muaj nga koha kur ky kod duhej të përfundonte funksionimin pa pikë problemi, i njëjti ende po has në vështirësi gjatë përdorimit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP) ende nuk ka marrë ndonjë vendim deri pas analizimit të situatës në afatin e fundit të paralajmëruar, më 31 tetor 2018.

LEXO EDHE: Ministri Rikallo detyrohet ta shuajë biznesin

Ndërkohë, përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës (TK) e quajnë sfidë arritshmërinë e këtij afati të caktuar kohor. Kështu thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim pranë Telekomit.

“Telekomi i Kosovës është duke punuar në vazhdimësi për implementimin e kodit të ri sipas planit të migrimit. Mirëpo duke marrë parasysh se ky implementim nuk varet vetëm nga resurset teknike të Telekomit të Kosovës, por varet edhe nga asistenca teknike e partnerëve ndërkombëtarë, tash për tash është e pamundur të parashikohet përmbushja e afatit të caktuar kohor nga ana e ARKEP-it”, deklarojnë në Telekomin e Kosovës.

Ata nuk e kanë mohuar mundësinë se janë duke bërë përpjekje serioze që implementimi teknik të përfundojë brenda afatit të vendosur.

“Duke ditur se arritshmëria e këtij afati përbën për Telekomin një sfidë në vete për shkak të shumë faktorëve që determinojnë implementimin final të këtij procesi, Telekomi i Kosovës është duke bërë përpjekje maksimalisht serioze që ky implementim teknik të përfundojë në afatin optimal”, theksohet në mes të tjerash.

Ndonëse përgjegjësia kryesore mbetet tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP), ky institucion ende nuk ka marrë ndonjë vendim për operatorët pavarësisht se kohë më parë deklaronte për gjoba të mundshme.                    

Drejtori i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” është shprehur se vendimi do të merret konform ligjit varësisht nga rrethanat.

“Bordi i ARKEP-it do ta marrë vendimin e duhur pasi ta analizojë situatën deri në implementimin e kodit, më datën 31 tetor. Ende nuk është marrë vendim dhe varësisht prej rrethanave do të merret vendimi adekuat me respektim të plotë të Ligjit për Komunikime Elektronike dhe të gjitha aktet e tjera të nxjerra nga autoriteti. Derisa të marrim vendimin nuk mundem të paragjykoj. Vendimi do të jetë plotësisht i pajtueshëm me veprimet dhe me komunikimet tona të përbashkëta”, ka treguar Gashi.

Ndryshe, 31 tetori 2018 është paralajmëruar si afat i fundit për operatorët e telefonisë mobile që të largojnë prefiksin e Monakos (+377) dhe të Sllovenisë (+386) nga përdorimi.

Tahiri: Qeveria e ka dështuar kodin telefonik

Ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë fajëson qeverinë “Haradinaj” për dështim të zbatimit të kodit.

“Kur ITU-ja ia ka ndarë kodin telefonik Kosovës, në dhjetor të vitit 2016, atëkohë është thënë që periudha e kalimit në kodin +383 nga ana e operatorëve që veprojnë në Kosovë është një periudhë që lidhej me 18 muaj afat, që i binte në qershor të përfundonte. Fakti që nuk ka përfunduar është dështim i Qeverisë së Kosovës dhe i institucioneve përkatëse që merren me zbatimin e kodit telefonik”, është shprehur për “Zërin” ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Dështimi i kodit telefonik nuk është i vetmi të cilin e ka ngecur qeverisja e re sipas Tahirit. Ajo përmend edhe Marrëveshjen për Energji, kthimin e dokumenteve kadastrale e njohjen e diplomave.

“Sa i përket dialogut të Brukselit, nuk është marrë me ketë punë kjo qeveri e re. Jo vetëm që ka dështuar e vonuar çështjen e kodit, por janë edhe disa marrëveshje që janë në pritje të zbatimit e që Serbia i ka bllokuar. Nuk ka një angazhim nga ana jonë si shtet në bisedimet e Brukselit, po flasim për Marrëveshjen për Energjinë, për kthimin e dokumenteve kadastrale, për njohjen e diplomave e fushave të tjera”, ka shtuar në mes të tjerash ish-ministrja e Qeverisë së Kosovës.

Tahiri ka insistuar se Qeveria është përgjegjëse për këtë çështje, duke pasur parasysh faktin se është autorizuar edhe nga Kuvendi të merret me dialogun e Brukselit dhe me zbatimin e marrëveshjeve në tërësi.

“Nuk ka mjaftuar që kryeministri të thotë nuk kam kohë të merrem me dialogun dhe ta bartë te presidenti, sepse presidenti nuk është ekzekutiv, kjo ka qenë punë e Qeverisë si organ ekzekutiv dhe si institucion, se Qeveria është autorizuar nga Kuvendi të merret me dialogun e Brukselit dhe me zbatimin e marrëveshjeve”, ka përfunduar ajo.

Operatori telefonik IPKO zotohet se ka implementuar në tërësi kodin telefonik në prill të këtij viti. Kështu është shprehur zëdhënësja e IPKO-s, Edona Zogu, për gazetën “Zëri”.

“Kërkesat veç kanë qenë prej anës së IPKO-s. IPKO ka bërë kërkesën me sugjerimin për ta shtyrë edhe pak afatin, por në të njëjtën kohë IPKO e ka implementuar kodin telefonik +383 qysh në prill të këtij viti. Realisht, teknikisht ne kemi implementuar kodin +383. Në tërësi është i implementuar”, ka theksuar zëdhënësja e IPKO-s.

Më tutje ajo ka treguar se më herët kanë kërkuar shtyrje të afatit me qëllim që konsumatorët të jenë të qasshëm nga të gjithë operatorët në botë.

“Ne kemi kërkuar shtyrjen e afatit me qëllim që konsumatorët tanë të jenë të qasshëm prej gjithë operatorëve në botë, në mënyrë që t’u lejohet operatorëve ndërkombëtarë t’i bëjnë ndryshimet në sistemet ose ta hapin rangun për kodin e ri shtetëror”, ka potencuar Zogu.

Kërkohet shkarkimi i Bordit të ARKEP-it

Për zvarritjet e vazhdueshme të kodit telefonik shtetëror ekspertët e telekomunikacionit kërkojnë shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Kërkesë kjo e ekspertit të telekomunikacionit, Agron Dida.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Dida ka thënë se rregullatori duhet të marrë masa sipas ligjit për të shqiptuar gjoba ndaj operatorëve që kanë vonuar zbatimin.

“Kjo është detyrë që duhet ta përfundojë Rregullatori me vendimet e drejta që duhet t’i marrë rreth kësaj çështjeje. Rregullatori në marrëveshje me operatorët kryesorë tek ne atëherë kur është aprovuar kodi është caktuar një datë kur do të përfundojë bartja e kodeve. Dhe e kanë pasur detyrë ta kryejnë këtë në korrik. Kjo nuk është bërë ende dhe nuk ka shenja që po bëhet. Rregullatori duhet të marrë masa sipas ligjit, pra duhet të shqiptojë gjoba të caktuara për mosveprim, sepse është në dëm të publikut”, ka sqaruar Dida.

Sipas tij, po tolerohet sjellje e papërgjegjshme e operatorëve në treg, pasi dëmet veç janë shkaktuar.

“Duhet të merren përgjegjësi prej udhëheqësit të rregullatorit deri te faktorët tjerë, veçanërisht Bordi i Rregullatorit duhet të shkarkohet. Nëse do të kisha fuqi politike do ta shkarkoja Bordin e Rregullatorit, sepse nuk po i kryen detyrat e veta. Dëmi veç është shkaktuar, po tolerohet sjellje e papërgjegjshme e operatorëve në treg”, ka përfunduar eksperti i telekomunikacionit.

Kujtojmë se kodi telefonik i Kosovës arriti të funksionalizohet pas përpjekjeve disavjeçare për shkak të mospajtueshmërisë mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ky kod u miratua nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) në dhjetor të vitit 2016.