Ministri Rikallo detyrohet ta shuajë biznesin

Ekonomia October 24, 2018 - 08:04
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ka mjaftuar një shkresë zyrtare e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) që ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo të detyrohet ta shuajë biznesin e tij privat “Future System”. Reagimi i Antikorrupsionit ka ardhur tek pas raportimit të gazetës “Zëri” në maj të këtij viti për rastin “Rikallo”, ku bëhej e ditur se ky i fundit edhe disa muaj pas marrjes së postit të ministrit të Bujqësisë figuronte si pronar dhe si person i autorizuar në biznesin e tij “Future System”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gazeta “Zëri” ka siguruar vendimin e AKK-së për këtë rast, në të cilin konfirmohet se ministri Rikallo gjendej në konflikt interesi.

LEXO EDHE: Prokurorja që e mbylli një rast me drogë e heton rastin e djalit të shefit të AKI-së

“Ky rast ka filluar të shqyrtohet pas një informate të dërguar në adresë të AKK-së dhe sipas procedurës së paraparë janë analizuar informatat dhe është bërë verifikimi i informacionit dhe të dhënave të tjera të siguruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), është vërejtur se zyrtari i lartë Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, figuron si person i autorizuar në biznesin privat me emër “Future System”, që sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik kjo situatë paraqet konflikt të mundshëm interesi dhe papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në mes tjerash në vendimin e Antikorrupsionit.

Pas njoftimit me shkresë nga Agjencia Kundër Korrupsionit Rikallo ka pranuar të takohet me zyrtarët e këtij institucioni, të cilët e kanë njoftuar ministrin me faktet që posedon Antikorrupsioni për zyrtarizmin e biznesit të tij privat.

Ministri arsyetohej se biznesi nuk zhvillon aktivitete

Ndonëse e kishte pranuar faktin e pronësisë së biznesit, Rikallo ishte arsyetuar se biznesi nuk zhvillon aktivitete, por si i tillë ka mbetur vetëm i regjistruar.

“Në këtë takim zyrtari i lartë Nenad Rikallo është pajtuar me gjendjen, por është arsyetuar se biznesi në fjalë nuk zhvillon aktivitet, ka mbetur vetëm i regjistruar, ndërsa ka theksuar se mund të sjellë edhe dëshmi nga Administrata Tatimore e Kosovës, që dëshmojnë se biznesi nuk zhvillon aktivitet, por ka deklaruar se ka ndërmarrë edhe veprime konkrete që biznesi në fjalë të shuhet. Po ashtu ka deklaruar se do të veprojë sipas ligjit në fuqi për ta parandaluar situatën e mundshme të konfliktit të interesit, duke sjellë dëshmi se nuk do të figurojë si person i autorizuar në këtë biznes”, theksohet më tutje.

Nga shkresat e përmendura është bërë e ditur se është pranuar dokumenti zyrtar i lëshuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK), me të cilin dëshmohet se biznesi me emër “Future System” është shuar në mënyrë vullnetare.

Me këtë rast Antikorrupsioni deklaron se ministri e ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit, por paralajmërojnë se rastin mund ta rihapin në çdo rast me paraqitjen e rrethanave të reja.

“Vlerësojmë se pas veprimeve të ndërmarra nga Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke bërë ndryshimet në biznes, duke shuar në mënyrë vullnetare biznesin e tij privat, janë krijuar rrethana të reja dhe është shmangur gjendja e mundshme e konfliktit të interesit dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë”, përfundon vendimi.

Vendimi është nënshkruar nga drejtori i Antikorrupsionit, Shaip Havolli dhe i njëjti i është dërguar personit përgjegjës, në këtë rast ministrit Rikallo.

Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Rikallos

Përndryshe, një ditë pas publikimit të hulumtimit nga gazeta “Zëri”, më 25 maj, ku ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo edhe më tutje vazhdon të jetë pronar dhe person i autorizuar në biznesin e tij “Future System”, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet ndaj ministrit Rikallo.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” kishte treguar se Prokuroria Themelore ka pranuar lëndën e Rikallos nga Prokuroria Speciale, që shpejt pritet t’i ndahet një prokurori për trajtim të mëtutjeshëm.

“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një lëndë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast. Lënda së shpejti do t’i ndahet një prokurori të kësaj prokurorie për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.