Lekaj premton që do të dëgjohen shqetësimet e banorëve të Hanit të Elezit, lidhur me 'Bechtel Enkan'

Ekonomia October 22, 2018 - 22:21

Qytetarëve të Hanit të Elezit po u pengon zhurma që kompania “Bechtel Enka” po bën gjatë punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”. Për këtë arsye, komuna ka marrë vendim për ndërprerjen e punimeve në atë zonë pas orës 23:00.

Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Hanit të Elezit u përplasën lidhur me një vendim që kjo e fundit mori për ndërprerjen e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, pas orës 23:00, shkruan lajmi.net.

Pal Lekaj, ministër në këtë dikaster, kishte thënë se ndërprerja e punimeve është bërë për qëllime personale të dikujt.

Ai i kishte bërë thirrje komunës që të ketë në konsideratë rëndësinë e këtij projekti dhe të mos bllokojë punimet.

Mirëpo, një takim i sotëm i Lekajt me të parin e Hanit të Elezit, Rufki Sumën, siç duket e përafruar zgjidhjen e problemit.

Suma, në një prononcim ka thënë se temë diskutimi e këtij takimi ishte pikërisht shqetësimi i qytetarëve të Hanit të Elezit, si dhe vendimi i komunës.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ministria ka shfaqur mirëkuptim lidhur me  problemet e banorëve dhe se një gjë e tillë pritet që të zgjidhet shpejtë.

“Kemi biseduar pikërisht për këto, vërejtjet e qytetarëve si dhe për problemet që i kemi. Jemi dakorduar që të mbahet edhe një takim tjetër i përbashkët për t’i parë të gjitha ato që janë të mundura të realizohen dhe diçka që është e pranueshme për qytetarët. Edhe ministri thotë se nuk duhet të pengohen punimet kur nuk ka arsye, mirëpo nëse e kemi një të tillë duhet t’i prezentojmë edhe në Qeveri edhe te ata. Besojmë se ky problem do të kryhet ngase kjo ka qenë edhe kërkesë e kryeministrit”, ka thënë ai.

Ndërkaq që sot po ashtu është vendosur që të mbahet edhe një takim tjetër me përfaqësuesit e konsorciumit, “Bechtel Enka”.

Se ministria që ai drejton do të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve të Hanit të Elezit e tha edhe vetë ministri Pal Lekaj.

“Me kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma, biseduam për shqetësimet që qytetarët e kësaj komune kanë rreth punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”. U dakorduam që të shqyrtojmë të gjithë kërkesat e tyre. Pas këtij procesi, bashkë me kryetarin Suma, do të zhvillojmë një takim edhe me përfaqësuesit e punëkryesit Bechtel Enka”, shkroi Lekaj.

E përveq shqetësimeve që kanë banorët e Hanit të Elezit me zhurmën e shkaktuar nga makineritë e “Bechtel Enkës”, ata shpeshë herë janë ankuar edhe për ndotjen si dhe bllokimin e vonesat në komunikacion përgjatë magjistrales Kaçanik-Han i Elezit.