"Nuk mundet askush t’i ndalë pagesat për veteranët"

Ekonomia October 22, 2018 - 10:40
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Mbi 57 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti shtetëror nga janari e deri më tash për të paguar pensionet e mbi 38 mijë veteranëve. Edhe miliona të tjerë do të vazhdojnë të keqpërdoren, pasi institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë t’ua ndalin pensionet personave jomeritorë. As kërkesa e Prokurorisë Speciale për ndalim të pagesave të veteranëve të rrejshëm nuk ka gjetur “dritën jeshile” për miratim. Gjykata Themelore për shkak të disa mangësive ia ka kthyer kërkesën sërish Prokurorisë për plotësim, shkruan "Zëri". 

Veteranët e rremë do të vazhdojnë të përfitojnë pensione në emër të buxhetit shtetëror gjatë, pasi nuk ekziston asnjë nen i kornizës ligjore me të cilin u ndalohen pensionet pa u marrë vendim nga organet e drejtësisë.                                                                                       

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, për gazetën “Zëri”.

“Nuk ka asnjë formë që dikush mund t’ia ndalë një pagesë dikujt që është e bazuar në një ligj ekzistues. Procesi i verifikimit, i shqyrtimit të kërkesave të aplikimeve për të marrë një status është i hapur, por kjo bëhet me një numër të vogël me ndonjë individ që ka mbetur i vonuar. Mundet të fitojë statusin, nuk është problem, por t’u ndalet atyre që e kanë marrë statusin njëherë, nuk mundet t’u ndalet derisa të përcaktohet një formë që do të veprohet më tutje”, ka shpjeguar Shatri.

Më tutje ka insistuar se askush nuk guxon t’ia ndalë përfitimin dikujt që e ka fituar atë me vendim në baza ligjore.

“Nuk guxon askush t’ia ndalë një përfitim dikujt i cili e ka fituar atë me vendim të caktuar në bazë të ligjit. Pagesa ndalet kur bëhet një procedurë ligjore me të cilën vërtetohet kush ka qenë i vërtetë ose jo. Jo pse dikush ka qejf”, ka shtuar më tutje ai. /ZERI