Shteti nuk ua ndal pensionet veteranëve të rremë

Ekonomia October 22, 2018 - 07:56
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Mbi 38 mijë veteranë, në mesin e tyre mijëra të cilësuar si të rremë, do të vazhdojnë të paguhen nga buxheti shtetëror. Kërkesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për t’ua ndalur pensionet veteranëve të rrejshëm nuk ka gjetur miratim nga ana e Gjykatës Themelore, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mbi 57 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti shtetëror nga janari e deri më tash për të paguar pensionet e mbi 38 mijë veteranëve.

LEXO EDHE: Degradimi i diplomacisë

Edhe miliona të tjerë do të vazhdojnë të keqpërdoren, pasi institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë t’ua ndalin pensionet personave jomeritorë.

As kërkesa e Prokurorisë Speciale për ndalim të pagesave të veteranëve të rrejshëm nuk ka gjetur “dritën jeshile” për miratim.

Gjykata Themelore për shkak të disa mangësive ia ka kthyer kërkesën sërish Prokurorisë për plotësim.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se më datën 10 tetor 2018 nëpërmjet një komunikate ka njoftuar opinionin publik se lidhur me rastin në fjalë është vendosur që aktakuza t’i kthehet në përmirësim dhe në qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, andaj Gjykata ende nuk ka caktuar seancën gjyqësore lidhur me këtë rast.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka treguar për gazetën “Zëri” se për shkak të plotësimeve të kërkuara nga ana e Gjykatës Themelore ende nuk është marrë ndonjë vendim sa i përket kërkesës për t’ua ndalur pensionet veteranëve të rrejshëm.

“Jo, aktakuza qysh ka qenë në plotësim nuk është vendosur për atë kërkesë. Gjykata nuk ka vendosur, por i ka përtërirë disa mangësi dhe i ka kthyer në plotësim. Gjykata vendos mandej”, ka sqaruar shkurt Hoxha.

Ndryshe, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një përgjigje zyrtare për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se gjatë muajit të fundit janë paguar pensionet e mbi 38 mijë veteranëve.

Nga janari e deri në shtator të këtij viti numri i veteranëve është rritur për 1400, përderisa për pensionet e tyre vetëm për nëntë muaj janë shpenzuar mbi 57 milionë euro.

Gazeta “Zëri” ka siguruar shifrën e plotë të përfituesve të pensioneve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) bashkë me shumën e ndarë financiare për këtë kategori.

Duke iu referuar këtyre statistikave, në janar të këtij viti në listën e pensioneve kanë qenë 36 mijë e 794 veteranë, për të cilët janë shpenzuar 6 milionë e 297 mijë e 760 euro, në muajin shkurt 36 mijë e 989 veteranë, derisa shuma e pagesave pasqyrohet të ketë qenë 6 milionë e 261 mijë e 755 euro. Numri i veteranëve ka shënuar rritje edhe gjatë muajit mars, ku si përfitues janë regjistruar 37 mijë e 44 veteranë, pagesa e të cilëve i ka kushtuar buxhetit të shtetit 6 milionë e 234 mijë e 954 euro.

Rritje e njëjtë ka ndodhur edhe gjatë muajit prill me 37 mijë e 395 veteranë, të cilët i kanë marrë nga buxheti jo më pak se 6 milionë e 344 mijë e 129 euro.

Ndryshe, gjatë muajit maj janë regjistruar 37 mijë e 460 veteranë me 6 milionë e 381 mijë e 882 euro të shpenzuara të buxhetit, në qershor 37 mijë e 598 veteranë, për çka janë shpenzuar 6 milionë e 353 mijë e 858 euro, në korrik 37 mijë e 771 në shumën e 6 milionë e 398 mijë e 253 eurove, në gusht 38 mijë e 51 veteranë, për të cilët janë paguar 6 milionë e 448 mijë e 142 euro të buxhetit.

Vetëm në muajin që lamë pas (shtator) ky numër është rritur në 38 mijë e 184 veteranë, pagesa e të cilëve buxhetit i ka kushtuar 6 milionë e 439 mijë e 204 euro.

Shatri: Nuk mundet askush t’i ndalë pagesat

Veteranët e rremë do të vazhdojnë të përfitojnë pensione në emër të buxhetit shtetëror gjatë, pasi nuk ekziston asnjë nen i kornizës ligjore me të cilin u ndalohen pensionet pa u marrë vendim nga organet e drejtësisë.                                                                                        

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, për gazetën “Zëri”.

“Nuk ka asnjë formë që dikush mund t’ia ndalë një pagesë dikujt që është e bazuar në një ligj ekzistues. Procesi i verifikimit, i shqyrtimit të kërkesave të aplikimeve për të marrë një status është i hapur, por kjo bëhet me një numër të vogël me ndonjë individ që ka mbetur i vonuar. Mundet të fitojë statusin, nuk është problem, por t’u ndalet atyre që e kanë marrë statusin njëherë, nuk mundet t’u ndalet derisa të përcaktohet një formë që do të veprohet më tutje”, ka shpjeguar Shatri.

Më tutje ka insistuar se askush nuk guxon t’ia ndalë përfitimin dikujt që e ka fituar atë me vendim në baza ligjore.

“Nuk guxon askush t’ia ndalë një përfitim dikujt i cili e ka fituar atë me vendim të caktuar në bazë të ligjit. Pagesa ndalet kur bëhet një procedurë ligjore me të cilën vërtetohet kush ka qenë i vërtetë ose jo. Jo pse dikush ka qejf”, ka shtuar më tutje ai.                                                                                      

Para një muaji Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Veteranët”, në mesin e tyre janë: ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Prokuroria Speciale me të ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit deklaroi se nga pagesat e kundërligjshme deri më tani buxheti i shtetit është dëmtuar me hiç më pak se 68 milionë e 153 mijë e 14 euro.

Qeriqi: Fajet i ka Prokuroria

Për gjithë rritjen enorme të numrit të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve, Xhevdet Qeriqi, ka fajësuar Prokurorinë dhe organet e tjera të drejtësisë.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” ky ka konfirmuar faktin se buxheti po vazhdon të keqpërdoret nga veteranët që nuk janë përfitues të vërtetë të statusit.

“Faji qëndron tek Prokuroria dhe tek organet e drejtësisë, sepse ato duhet të marrin një vendim për t’ua ndalur pensionin atyre që janë pa meritë në ato lista. Por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh dhe buxheti po vazhdon të keqpërdoret qysh ka vazhduar edhe më herët, edhe sot po vazhdon të keqpërdoret në këtë drejtim. Unë ndihem shumë keq që njerëz pa pikë merite gjenden në ato lista, përfitojnë në emër të UÇK-së. Në anën tjetër po keqpërdorin buxhetin”, ka thënë Qeriqi.

Ky ka treguar se javën që vjen do të kërkojë shërim jashtë vendit për plagët e marra nga lufta, me të cilat ballafaqohet ende, por zotohet se nuk ka kërkuar asnjë cent nga buxheti shtetëror i Kosovës me arsyetimin se nuk ka dashur ta keqpërdorë.

“Unë jam invalid, kam plagë të luftës, edhe sot jam keq me shëndet, javën e ardhshme po pres për një operim në Turqi, por duhet donatorët dhe njerëzit e vullnetit të mirë të më ndihmojnë. Nuk kam dashur ta keqpërdor buxhetin e Kosovës, në këtë anë njerëzit e afërt me politikën, me Komisionin, po përfitojnë duke u thirrur si luftëtarë të vërtetë”, ka shtuar më tutje ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas vlerësimit të kryetares së trupit gjykues, e cila është ngarkuar me rastin në fjalë, para një jave ka vendosur që aktakuza ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve t’i kthehet në përmirësim dhe në qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Gjykata, kjo është bërë për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konform Nenit 241, paragrafit 1, pikës 1.4 të KPP-së.

Po ashtu sipas kësaj gjykate janë dhënë edhe arsye lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike”.

Arsyeja e kthimit të aktakuzës, sipas kryetares së trupit gjykues, bie për shkak se diapozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.