Lekaj: Kaq do të paguhen nga buxheti për zgjatjen e pistës nga aeroporti

Ekonomia October 19, 2018 - 13:33

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se kostoja e zgjatjes së pistës së Aeroportit do të mbulohet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pas inspektimit të punimeve në zgjatjen e pistës, Lekaj tha se këtë vit do të paguhen vetëm 2.2 milionë euro.

“Zgjatja e kësaj piste e tëra do të kushtojë 32 milionë dhe do të paguhet për 2 vite: këtë vit 2.2 milionë euro, në vitin 2019 do të paguhen 10 milionë euro, ndërsa vitin pasues 20 milionë euro”, tha Lekaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do t’i kryejë obligimet kontraktuale ndaj kontraktorit.

Lekaj tha se punimet në zgjatjen e pistës pritet të përfundojnë në fund të vitit të ardhshëm, përkundër që pjesa më e madhe e pagesave do të realizohen në vitin 2020.

“Ky projekt të përfundojë 1 vit para kohe pa asnjë kosto shtesë”, tha Lekaj.

Gjatë këtij muaji, njohësi i çështjeve ekonomike, Hekuran Murati, kishte publikuar një analizë për kontratën për zgjatjen e pistës duke ardhur në përfundim që janë shkelur disa ligje të Kosovës.

Murati duke u thirrur në një prononcim të Lekajt e kishte bërë edhe një analizë financiare të idesë që pagesa të bëhet duke hequr dorë nga taksa koncesionare. Murati kishte thënë se Kosova do të paguajë dhjetëra miliona më shumë për shkak të këtij modeli të pagesës.

Por, Lekaj tash thotë se pagesa do të bëhet direkt nga buxheti.

Ministri tha se me zgjatjen e pistës do të rritet siguria në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.

Haldun Firat Kokturk, drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës tha se punimet janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ai e pranojë që në kontratë një nga opsionet për financim ka qenë edhe heqja dorë nga taksa koncesionare, mirëpo qeveria ka vendosur të paguajë nga buxheti i Kosovës.