Milionat që u keqpërdorën me barnat e shtrenjta

Ekonomia October 18, 2018 - 07:46
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Miliona euro janë keqpërdorur nga buxheti i shëndetësisë për barna të listës esenciale, duke i favorizuar operatorët ekonomikë me çmime astronomike. Një tabletë “Imatinib”, e cila përdoret për mjekimin e leukemisë, para një viti është paguar 32 euro, ndërsa e njëjta para pak ditësh është blerë me vetëm 3.69 euro. Gazeta “Zëri” ka raportuar e para në tetor të vitit të kaluar për këtë skandal financiar me ilaçe të shtrenjta, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Miliona euro vlerësohet se janë keqpërdorur nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë vetëm në tenderët për furnizim me tableta “Imatinib”, i cili bar përpos që përdoret për mjekimin e leukemisë kronike, shfrytëzohet edhe për mjekimin e tumoreve malinje në lukth, pasi që çmimi i furnizimit për këtë institucion shtetëror ishte shumëfish më i lartë se çmimi në tregun me pakicë.

Një tabletë e tillë (Imatinib), e cila para një viti i kishte kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ishte blerë 32 euro, derisa çmimi në tregun me pakicë ishte katërfish më i lirë.                                              

Për çmimet e tilla astronomike të këtij bari kishte raportuar para një viti gazeta “Zëri”, ku kishte faktuar se çmimi në barnatore është dukshëm më i lirë.

Këtë vit, pas raportimeve të vazhdueshme të medieve për këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka blerë të njëjtin bar me 3.69 euro, ose rreth 28 euro më lirë se një vit më parë.                 

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se me tenderin e ri për furnizim me tableta “Imatinib” buxheti i shtetit është kursyer për 414.324 euro, derisa për tenderin tjetër për furnizim me preparate për hemodializë buxheti është kursyer prej 571.369 eurosh.

“Në total nga të gjitha aktivitetet e deritanishme të prokurimit MSH-ja ka arritur të kursejë rreth 6 milionë euro nga ‘Planifikimet sipas kontratave paraprake dhe vlerave të parashikuara’”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Medie të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Uran Ismajli.

Nga 32 në 3.69 euro

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se sa i përket këtij produkti gjatë vitit 2018 MSH-ja ka iniciuar aktivitet e prokurimit: “Furnizim me citostatikë nga lista esenciale”, me numër të prokurimit 206/18/074/111, ku më datën 14/08/2018 ka lidhur kontratë publike “Furnizim me citostatikë nga lista esenciale”, me numër të prokurimit 206/074/111 me kontraktuesin “Rona Farm”, për blerje të këtij produkti me çmim të kontraktuar për njësi 3.69 € dhe me vlerë të përgjithshme të kontratës 75.276.00 euro.                                                                                                 

Më tutje në përgjigjen e Zyrës për Medie të Ministrisë së Shëndetësisë thuhej se në kohën kur është publikuar hulumtimi në gazetën “Zëri” e që më pastaj MSH-ja kishte identifikuar se kontrata është e dëmshme për “Imatinibin”, pasi që ajo tejkalonte vlerën reale të tregut dhe dëmtonte rëndë buxhetin e shtetit, pas shumë përpjekjeve dhe hulumtimeve të çmimeve të tregut është arritur të nënshkruhet kontrata e re për këtë produkt.

“Në vitin e kaluar ka qenë e vlefshme kontrata e vitit 2016 e një prodhuesi gjenerik të këtij produkti, e cila ka pasur vlerën 313.600 euro për 9800 tableta (ose 32 euro për një tabletë). Në procedurën e radhës së tenderimit në vitin 2017, e cila i kishte kaluar disa faza dhe ishte në prag të përfundimit të nënshkrimit, vlera e kontratës ishte 648.000 euro për 27000 tableta, ose 24 euro për një tabletë.                                     

Ministri Uran Ismaili kishte urdhëruar një analizë në sektorin e farmacisë me shumicë dhe pakicë.

Pas kësaj analize të çmimeve të të njëjtit produkt edhe në rajon u pa qartë se çmimi tejkalonte shumëfish vlerën reale të tregut dhe produkti është ritenderuar.

Në procedurën e radhës është arritur të bëhet kontraktimi i këtij produkti gjenerim me vlerë të kontratës prej vetëm 75.276 eurosh për 20400 tableta (ose 3.69 për një tabletë). Shuma e kursyer me kontratën e re është: 414.324 euro.

Pra, si konkludim në vitin 2016 ‘Imatinibi’ është blerë 32 euro për një tabletë, në fund të vitit MSH-së i është ofruar për nënshkrim kontrata me 24 euro një tabletë, kurse si rezultat përfundimtar është blerë me 3.69 euro një tabletë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës për Medie të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kursime prej 571.369 eurosh edhe për blerjen e preparateve për hemodializë

Më tutje zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se deri më tash Ministria e Shëndetësisë ka kursyer hiç më pak se 571.369 euro edhe në tenderët për blerje të preparateve për hemodializë, pasi që për vite të tëra kompania private me të cilën Ministria e Shëndetësisë kishte kontratë, “Meditech”, ka arritur të krijojë monopol në hemodializë për shkak të pajisjeve të saj, me të cilat kryhen shërbimet dhe materiali shpenzues i cili duhet të jetë kompatibil nga i njëjti prodhues i pajisjeve.

Mirëpo deri në përfundim të kontratës për shkak të blerjes së preparateve për hemodializë me çmime shumë më të lira Ministria e Shëndetësisë planifikon të kursejë mbi 1.5 milion euro taksa të qytetareve të Kosovës.

“Duke u bazuar në kontratat e mëhershme, MSH-ja është furnizuar me materialin për hemodializë nga kompania ‘Meditech’. Gjatë vitit 2018 MSH-ja këtë aktivitet të prokurimit nuk e ka realizuar sipas kontratave paraprake me procedurë të negociuar, mirëpo ka përdorur procedurën e hapur dhe e ka publikuar ketë aktivitet, me çka edhe e ka hapur mundësinë e konkurrencës për këtë material dhe ka arritur të nënshkruajë kontrata me disa kontraktues. 

Gjithsej materiali për hemodializë ka 19 artikuj, ku për këta artikuj janë dhënë kontratat, ndërsa edhe 6 artikuj të tjerë janë në fazën përfundimtare me çka edhe kemi publikuar vendimin për dhënie kontrate. Për 12 (dymbëdhjetë llote) produkte për hemodializë për vitin 2018 buxheti i kursyer është në vlerë: 571.369.35 €”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më tutje burime të gazetës brenda Ministrisë kanë thënë se në kohen kur tenderin e fitonte kompania e njëjtë një filtër për hemodializë është blerë me një çmim mesatar prej 9.5 eurosh, derisa filtrat e njëjtë aktualisht blihen me një çmim prej rreth 5.5 eurove.                                                                      

Po ashtu një preparat tjetër i domosdoshëm për dializë bikarbonati në tenderët paraprakë është blerë me çmim prej 5.6 eurosh për njësi, derisa aktualisht blihet me çmim prej 1.7 eurosh për njësi.

“Po ashtu në të kaluarën preparati tjetër ‘Acetat’ është blerë me çmim prej rreth 3.3 eurosh për njësi, derisa aktualisht blihet me çmim prej 1.7 eurosh për njësi. Po ashtu edhe ‘Av-set’ më herët është blerë më çmim prej 5 eurosh, derisa aktualisht blihet 2.09 euro. Kursimi vetëm për një vit nga thyerja e monopolit llogaritet të jetë mbi 1.5 milion euro”, kanë bërë të ditur burime të gazetës “Zëri” brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Demhasaj: Prokuroria t’i hetojë tenderët e kaluar

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset e prokurimit në vend thotë se përmes monopoleve në vazhdimësi është abuzuar me buxhetin e shtetit.                       

 Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se prishja e monopoleve pa dyshim se përbën një lajm pozitiv, por sipas tij Ministria e Shëndetësisë duhet të shkojë më tutje dhe të zbardhë komplet keqpërdorimet e taksave të qytetarëve përmes tenderëve për furnizim me barna.

“Nëse sivjet kompanitë kanë aplikuar me çmime shumë më të lira sesa vitin e kaluar, atëherë kjo dukuri e cila është stopuar nga Ministria e Shëndetësisë duhet të hetohet nga Prokuroria. Këta të fundit duhet të merren shumë seriozisht me pronarë të kompanive që kanë zhvatur me buxhetin e shtetit, duke i shitur barna Ministrisë me çmime shumë më të larta sesa është çmim i tyre nëpër barnatore që gjenden në gjithë vendin. Përmes këtyre tenderëve është abuzuar shumë me para të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.

Loti     Operatori aktual furnizues   Vlera e kont. 2017     Vlera e kont. 2018     Ndryshimi                 

1          “Pharma Leader”        328.746.60 €               220.787.84 €               107.958.76 €

2          “Pharma Leader”        382.518.72 €               277.591.71 €               104.927.01 €

3          “Pharma Leader”         456.833.52 €              236.008.96 €               220.824.56 €

4          “Pharma Leader”        301.147.99€                176.632.17 €               124.515.82 €

6          “Meditech”                 40.483.80 €                 34.486.20 €                 5.997.60 €

7          “Meditech”                  40.483.80 €                34.486.20 €                 5.997.6.0 €

8          “Ko-Med”                               108.00 €                      116.00 €                      -8.00 €

9          “Meditech”                             12.240.00  €                12.240.00 €                 00.00 €

10        “Meditech”                             4.080.00 €                   4.080.00 €                   00.00 €

11        “Yesspharma”             29.670.00 €                 29.412.00 €                 258.00 €

12        “Yesspharma”             50.945.00 €                 50.502.00 €                 443.00 €

13        “Yesspharma”             5.635.00 €                   5.180.00 €                   455.00 €

Kursimi total me kontrata të ngjashme për produkte të njëjta                            571.369.35 €