Ministria e Drejtësisë padit Komunën e Vushtrrisë

Ekonomia October 17, 2018 - 08:06
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ministria e Drejtësisë ka paditur Kuvendin e Vushtrrisë për shkak se nuk ka përfillur rekomandimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që femrat të përfaqësohen me 50 për qind në Komitetin për Politikë e Financa, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse Ligji për Vetëqeverisjen Lokale e thotë qartë se në të gjitha organet e kuvendeve të komunave duhet të ketë 50 për qind përfaqësim të femrës, sipas Ligjit për Barazi Gjinore, Komuna e Vushtrrisë, e Prishtinës, e Dragashit, e Malishevës dhe e Deçanit kanë shkelur ligjin.

LEXO EDHE: 10 zyrtarë policorë u arrestuan, ndërsa mbi 30 u suspenduan për nëntë muaj

Në këto komuna në vend se të jetë 50 për qind, femrat në organet e legjislativit lokal është përfaqësuese me vetëm 30 për qind.

Këto komuna madje nuk kanë përfillur as urdhëresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, e cila ka urdhëruar komunat që t’i ndryshojnë përbërjet e Komitetit Politik e Financa, në mënyrë që femra të përfaqësohet me 50 për qind.

Për shkak se nuk është përfillur rekomandimi i MAPL-së, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka paditur Komunën e Vushtrrisë për shkak se “nuk ka respektuar urdhrat e MAPL-së gjatë procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për Politikë e Financa”.

Kësisoj MAPL-ja, duke interpretuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale ka konstatuar se konstituimi i KPF-së në Vushtrri është bërë në kundërshtim me ligjin.  KPF-ja, si organi më i rëndësishëm i Kuvendit të Vushtrrisë përbëhet prej 9 anëtarëve, në të cilin subjektet politike përfaqësohen sipas votave të fituara në zgjedhje. Nga 9 anëtarë sa ka KPF-ja, 6 janë të gjinisë mashkullore dhe 3 të gjinisë femërore. 

Aliu: Subjektet politike nuk kanë vullnet për t’u përfaqësuar nga femrat

“KPF-ja është konstituar në kundërshtimin me Ligjin për Barazi Gjinore, sepse nuk ka garantuar përfaqësim të barabartë të femrave në këtë trupë të rëndësishme të Kuvendit të Vushtrrisë. Është shkelur kriteri që përcakton ky ligj, sipas të cilit përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe institucionet tjera publike arrihet kur të sigurohet përfaqësimi prej 50 për qind të femrave, duke përfshirë edhe organet vendimmarrëse”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Padia është bërë pasi Kuvendi i Vushtrrisë nuk ka arritur që t’i zbatojë urdhrat e MAPL-së, e cila ka kërkuar që vendimi i Kuvendit të Vushtrrisë, sa i përket konstituimit të KPF-së, të rishqyrtohet dhe të harmonizohet me ligjet në fuqi. 

Në fillim të tetorit Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se meqë Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim sipas kërkesës së MAPL-së për ta harmonizuar KPF-në sipas ligjeve, MAPL-ja, konform Nenit 82 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Nr. 03/L040 ka dërguar rastin në gjykatën kompetente. 

MAPL-ja më 7 shkurt të këtij viti ia kishte dërguar Kuvendit të Vushtrrisë kërkesën për rishqyrtim të aktit, ndërsa KK-ja e Vushtrrisë nuk kishte përfillur kërkesën dhe në këtë mënyrë ka bërë shkelje të ligjit.

Në anën tjetër kryesuesi i Kuvendit të Vushtrrisë, Nasuf Aliu, i ka thënë “Zërit”, të martën se janë subjektet politike të Vushtrrisë, të përfaqësuara në Kuvend, ato të cilat nuk kanë vullnet për t’i përfaqësuar femrat në KPF me 50 për qind, siç është paraparë me Ligjin për Barazinë Gjinore

Të zbatohen rekomandimet

“Edhe ne kemi dëgjuar për padinë e ushtruar nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo lidhur me këtë njoftoj se unë si kryesues dhe Zyra e Kuvendit kemi ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’i bërë ndryshimet në përbërjen e KPF-së. Gjatë muajit shkurt, saktësisht më datën 22 shkurt 2018, pika 3 e rendit të ditës, ne e kemi proceduar rishqyrtimin e vendimit të Kuvendit të Komunës me nr. 01.23/18, të datës 25.01.2018 (mund të gjendet edhe në formë elektronike në faqen e Komunës si provë procesverbali i mbledhjes së Kuvendit, me numër të referencës 79/18, i aprovuar më datën 29.03.2018), do të thotë kemi proceduar në seancën e Kuvendit, që sipas vërejtjes (rekomandimit) nga MAPL-ja KPF-ja të plotësohet 50 me 50 për qind në aspektin gjinor, mirëpo pas shume diskutimesh u konstatua se nuk ka vullnet të mjaftueshëm nga subjektet politike që të bëjnë ndryshime në përfaqësimet e tyre në KPF”, ka sqaruar kryesuesi i Kuvendit të Vushtrrisë, Nasuf Aliu.

Kryesuesi i Kuvendit të Vushtrrisë shton se ai dhe zyrtarët profesionalë janë ftuar në gusht në Departamentin  Ligjor të MAPL-së për të diskutuar në lidhje me rekomandimin e MAPL-së dhe zbatimin e tij. 

“Jemi përgjigjur në ftesë dhe jemi zotuar se këtë rekomandim e respektojmë dhe konform kësaj përsëri do ta fusim në rend dite në seancat e ardhshme, në shtator, tetor ose në momentin e duhur kur mund t’i bindim ndonjë nga grupet politike që t’i bëjnë modifikimet. Andaj, ne kemi gjasa të mëdha që me një nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Vushtrrisë të arrijmë të dakordohemi që përfaqësimi i tyre me një këshilltar nga gjinia mashkullore të zëvendësohet me një të gjinisë femërore dhe si rrjedhojë gjasat janë që në seancën e tetorit (të enjten e fundit, më 25.10.2018) ta kemi përsëri këtë pikë në rend dite”, është shprehur kryesuesi Aliu, sipas të cilit deri më tani është respektuar kuota gjinore sipas Ligjit për Zgjedhje prej 30 për qind të përfaqësimit të femrës në trupat punues të Kuvendit.

“Zotimet tona mbesin në respektimin e plotë të ligjeve gjegjëse, në këtë rast në respektimin e Ligjit për Barazinë Gjinore”, ka siguruar kryesuesi i Kuvendit të Vushtrrisë, Nasuf Aliu.