Gjermania dhe Zyra e BE-së në Kosovë, apel kundër importit të veturave të vjetra

Ekonomia October 16, 2018 - 20:16
Lexo tjera detaje

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt i është bashkuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kundër projektligjit që mundëson importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet.

Duke cituar reagimin e Zyrës së BE-së në Twitter, Heldt ka thënë se Kosova do të përmirësohej me vetura moderne, madje ka këshilluar që të kalohet në vetura hibride dhe elektrike.

“I bashkohem zhgënjimit. Kosova do të ishte më mirë me vetura moderne, madje të synonte veturat hibride apo elektrike”, ka shkruar Heldt duke “ricicëruar” reagimin e BE-së në Twitter.

Zyra e BE-së përmes Facebookut, ka shprehur zhgënjimin për vendimin e deputetëve që veturat e vjetra deri në 15 të lejohen të importohen në Kosovë, duke thënë se projektligji është në kundërshtim me ligjet e BE-së.

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik për rritjen e vjetërsisë së veturave të importuara deri në 15 vjet, përkundër shqetësimeve që kemi ngritur në Komitetin për MSA javën e kaluar. Kjo lëvizje do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është kundër synimeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

“Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për mbrojtjen e ajrit dhe është në kontradiktë me rezolutën e Kuvendit për ndotje të ajrit që u votua në shkurtin e këtij viti si prioritet i lartë në nivelin shtetëror”, thuhet në reagim.

Image