Ekonomia

Ku pritet të shkojnë taksat e qytetarëve pas përfundimit të autostradave?

Ku pritet të shkojnë taksat e qytetarëve pas përfundimit të autostradave?
16 tetor 2018 • 11 : 12

Derisa shumë qytetarë merrnin rrugën për në vendet e tjera për të gjetur ilaç për sëmundjet e tyre, shteti derdhte para për ndërtimin e autostradave. Nuk shkoi shumë kohë e dolën edhe rezultatet e PISA’së, e nxënësit kosovarë dolën me rezultatet më të dobëta në botë. Pavarësisht këtyre rezultatave, vazhduan investimet në autostrada, e u lanë anash fushat e tjera. Por, duket se kjo gjendje do të ndryshojë. Në Qeveri thonë se buxheti do të marrë kahje tjetër. Gazeta Express ka folur me ekonomistët Lumir Abdixhiku, Muhamet Mustafa e Naim Gashi të cilët kanë treguar se ku duhet të shkojnë taksat e qyetetarëve.

Asfalti ishte premtimi kryesor i secilës parti që synoi të merrte pushtetin ndër vite.

Madje, me premtimin për shtrimin e rrugëve me asfalt e ndërtimin e autostradave, shumë prej kandidatëve edhe i fituan zgjedhjet e edhe sot e kësaj dite udhëheqin me komunat e Kosovës.

Përveç komunave, edhe secila qeveri që erdhi në pushtet, pothuajse gjithë buxhetin e shtetit e orientoi në ndërtimin e rrugëve e autostradave, disa prej të cilave i kushtuan shtetit me miliona euro humbje, si shkak i neglizhencës.

Ndërkohë, që fushat e tjera të cilat kishin nevojë për investime, pothuajse gjithmonë u lënë anash. Edhe pse qytetarët kërkonin vazhdimisht shërim jashtë vendit, pasi që ai nuk iu ofrohej në Kosovë e nxënësit kosovarë dolën me rezultatin më të dobët në botë në testin e PISA’së, në këta sektorë nuk pati investime.

Por, një gjë e tillë duket se nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë.

Pas përfundimit të projekteve infrastrukturore, buxheti i Qeverisë pritet të marrë kahje tjetër. Paratë e shtetit viteve të tjera pritet të orientohen kah siguria, zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia.

Së paku kështu deklarojnë nga ekzekutivi.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se shumica e projekteve infrastrukturore janë nga kontratat e viteve paraprake, dhe si të tilla Qeveria i ka respektuar dhe ka vazhduar me projekte të tjera të nevojshme.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi i ka thënë Gazetës se Qeveria është e përkushtuar që brenda tri viteve t’i përfundoj këto projekte.

Gashi thotë se prioritet e Kryeministrit Haradinaj që nga marrja e pushtetit kanë qenë fuqizimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik dhe arsimi. Derisa thotë se në fokus të Qeverisë do të jetë edhe përmirësimi i sistemit shëndetësor në vend.

“Që në fillim të mandatit Ministrisë së Shëndetësisë i është dhënë buxhet shtesë, derisa tani përmes përmirësimit të menaxhimit, po tentohet që të avancohen shërbimet për pacientët”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës.

E nga njohësit e ekonomisë investimi në autostrada me para të buxhetit po konsiderohet si i gabuar, pasi që siç thonë se këto projekte do të mund të financoheshin nga kreditë afatgjate.

Deputeti nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku i ka thënë Gazetës se alokimi i deritanishëm i Buxhetit të Republikës nuk ka adresuar asnjëherë nevojat bazike të qytetarëve.

“Për më tepër nuk ka krijuar as bazën e nevojshme për një rritje ekonomike që gjeneron vende të reja pune e mirëqenie. Investimet kapitale, ato të rrugëve e autostradave, do të mund të financoheshin nga kreditë afatgjate - siç bën secili shtet normal - e jo nëpërmjet parave të buxhetit”, thotë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, është e domosdoshme që shpërndarja buxhetore të bëhet në tri fusha që krijojnë mirëqenie e sigurojnë ambient të favorshëm ekonomik.

Deklaron se investimet më të mëdha duhet të bëhen në shëndetësi, arsim e gjyqësi. Derisa thotë se ndarja e buxhetit në këto tri fusha është domosdoshmëri.

“Mjetet e tanishme në këto fusha janë të ndërlidhura me rezultatet që i kemi; pra arsimin me rezultatet e PISA-s; shëndetësinë para kolapsit; e gjyqësinë inekzistente. Shpërndarja e buxhetit në këto tri fusha është domosdoshmeri; është investim i paalternativë”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe njohësi i ekonomisë, Muhamet Mustafa thotë se disa projekte infrastrukturore kanë mundur të presin së paku pesë deri në dhjetë vite. Mustafa deklaron se tani do të duhej të investonim në shëndetësi, pasi që siç thotë me vite është lënë pas dore.

“Gjithmonë do të ketë nevoja për investim në infrastrukture rrugore, por mund te thuhet se projektet me kosto më të larë po përfundojnë për 1 ose 2 vite. Në të ardhmen ndërtimi i rrugëve do të ishte mire të bëhej me burime tjera financiare e jo me kesh nga buxheti.

Tash do të duhej të investonim për të krijuar standarde ndërkombëtare në shëndetësi e cila është lënë me vite pas dore”, thuhet në përgjigjet e Mustafës drejtuar Gazetës.

Deklaron se duhet të investohet në pajisje, hapësirë dhe kapital njerëzor dhe të reduktohen shpenzimet për shërim jashtë vendit. Ndërsa, si fusha të tjera në të cilat nevojitet të investohet thotë se janë edhe edukimi dhe bujqësia.

“Hapësira që krijohet  nga reduktimi i investimeve në infrastrukture rrugore duhet të shfrytëzohet për të krijuar kushtet për shërbime dinjitoze shëndetësore, pastaj për edukim, inovacione dhe kërkime dhe mbështetje të bujqësisë dhe NVM”, tha Mustafa.

Ndërkohë, njohësi tjetër i ekonomisë, Naim Gashi thotë se pas përfundimit të autostradave, projektet e Qeverisë duhet të orientohen në krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e prodhimtarisë vendore dhe uljen e varësisë së ekonomisë nga importet.

Deklaron se e gjithë kjo mund të arrihet duke ndërlidhur sistemin e arsimit me tregun e punës.

‘Pra investime në arsimin profesional dhe arsimin e lartë në mënyrë që pas përfundimit të shkollimit të rinjtë të jenë të aftë për tu përfshirë në tregun e punës”, thotë Gashi.

Derisa shton se sektorë të tjerë që gjenerojnë vende të reja të punës janë edhe bujqësia e agropërpunimi, dhe sektori i IT-së dhe shërbimeve online.

“Një sektor që gjeneron vende punë është bujqësia dhe agropërpunimi. Nga 10 deri në 20 mijë euro është kostoja e krijimit të një vendi pune në bujqësi, ndërsa për një vend pune në industri nevojiten mbi 100 mijë euro”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës

Si sektor i cili duhet të jetë prioritet nacional thotë se është ai i IT-së, pasi siç deklaron të rinjtë tanë kanë shkathtësi në fushën e IT dhe njohjes së gjuhëve të huaja, prandaj në të ardhmen ky sektor mund të jetë profitabil. Derisa, shton se duhet të investohet edhe në energji, miniera dhe sektorin e turizmit.  

© zëri.info