Qeveria franceze, e interesuar për “Trepçën”

Ekonomia October 16, 2018 - 08:53
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Dy ambasadorët e Francës, njëri në Beograd dhe tjetri në Prishtinë, kanë takuar në Mitrovicë kryetarin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” Ardian Sylën, me të cilin kanë biseduar për gjendjen në “Trepçë”, në veri dhe në jug. Ata kanë ofruar mbështetje për ngritjen e “Trepçës”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gjendja në gjigantin ekonomik kosovar “Trepça” vazhdon të jetë e njëjtë edhe pas funksionalizimit të Bordit Mbikëqyrës. Prodhimi vazhdon të jetë i nivelit të ulët, ndonëse punëtorët kryejnë punën rregullisht. Miratimi i Ligjit për “Trepçën” para dy vjetëve nuk i ka ndihmuar fare Ndërmarrjes, sepse janë bërë vonesa me formimin e Bordit Mbikëqyrës, ndërsa nuk është miratuar as statuti dhe as nuk është regjistruar Ndërmarrja.

LEXO EDHE: Greva mbetet opsion për SBASHK-un

Gjithçka pritet të nisë për së mbari kur të miratohet statuti i “Trepçës” në Kuvendin e Kosovës, për hartimin e të cilit janë formuar dy komisione, njëri për vlerësimin e aseteve që janë në pronësi të “Trepçës” dhe komisioni tjetër që do të ofrojë zgjidhje për çështje sociale të punëtorëve. Këto dy komisione tanimë kanë filluar dhe janë në përfundim të punës dhe pastaj do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, e cila do ta procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës. E gjithë kjo punë ka marrë tre muaj kohë, sipas marrëveshjes së Bordit të “Trepçës”, sindikalistëve dhe Qeverisë.

Por për “Trepçën” janë të interesuar francezë, të cilët janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë në transformimin e plotë të kombinatit “Trepça”. Dy ambasadorë të Francës, njëri në Beograd dhe tjetri në Prishtinë, kanë vizituar bashkërisht dhe kanë biseduar me menaxhmentin e “Trepçës”, edhe në veri, edhe në jug.                                                       

Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, ka takuar dy ambasadorët francezë, Fréderic Mondoloni, ambasador në Beograd dhe Didier Chabert, ambasador në Prishtinë, me të cilët ka diskutuar për gjendjen aktuale në “Trepçë”, në jug. Ata takuar edhe menaxhmentin e “Trepçës” në veri, me të cilin kanë biseduar edhe për gjendjen në “Trepçë” në atë pjesë. Gazeta është përpjekur të kontaktojë me drejtorin e “Trepçës” në veri Jovan Dimkiq, por ai nuk ka pasur qasje në telefon.

Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se francezët kanë shprehur interesimin për të ndihmuar transformimin e “Trepçës”, edhe në jug, edhe në veri. “Të dy ambasadorët ofruan mbështetje të parezervë në transformimin e ndërmarrjes ‘Trepça’. Ndërmarrja ‘Trepça’ është duke kaluar nëpër një periudhë tranzicioni, ku së shpejti statuti i ‘Trepçës’ SHA pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me të cilin vendoset një hap i madh drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të ‘Trepçës’”, ka thënë Syla.

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, ka thënë se ndihej mirë që ka qëndruar në Mitrovicë me ambasadorin francez në Beograd dhe është njoftuar për gjendjen, sidomos për atë në kombinatin “Trepça”.

“Bashkë me ambasadorin e Republikës së Francës në Beograd kemi takuar drejtuesit e kombinatit ‘Trepça’ në jug dhe në veri dhe kemi biseduar për gjendjen e kombinatit. Qeveria franceze është e interesuar të ndihmojë në transformimin e plotë të ‘Trepçës”’, tha Chabert.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hysni, ka ripërsëritur se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë shpejt. “Pa miratimin e draft-statutit dhe pa u regjistruar Ndërmarrja nuk ka ecje përpara. Në ‘Trepçë’ duhet të mendohet për inkuadrimin e punëtorëve të rinj në prodhim, sepse aktualisht mosha mesatare e tyre është mbi 60 vjet. Çfarë pune mund të bëhet me punëtorë të kësaj moshe? Kemi rreth 300 punëtorë që janë pranuar më vonë e që mund të sistemohen në prodhim, por gjithsesi duhet të pranojmë punëtorë të rinj. Ndryshe, një version i draftstatutit është në Qeveri, por ai është kundërshtuar nga punëtorët e ‘Trepçës”’, ka thënë Hyseni, i cili ka sqaruar se në vitin 2013 “Trepça” ka pasur 1.520 minatorë, ndërkaq tani i ka vetëm 1.300. Sipas tij, pa u regjistruar Ndërmarrja dhe pa miratimin e draftstatutit nuk mund të pranohen as punëtorët e rinj.

“Punëtorët zakonisht i marrin pagat më datën 12 ose 13 të muajit dhe nuk ka asnjë problem sa u përket pagave. Në minierën e Stan Tërgut ka prodhim, ndonëse jo në nivelin e dëshiruar. Ky nivel i prodhimit është që prej pasluftës me ndonjë ndryshim të vogël”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni.   

Në anën tjetër, derisa “Trepça” në jug edhe më tutje përballet me problem të funksionalizimit të Ligjit për “Trepçën”, si dhe me mungesë të statutit, “Trepça” në veri ka paralajmëruar ndërtimin e një fabrike për prodhimin e baterive dhe të akumulatorëve, në Zveçan. Qeveria e Serbisë për ndërtimin e kësaj fabrike ka ndarë 13 milionë euro. /ZERI