Greva mbetet opsion për SBASHK-un

Ekonomia October 16, 2018 - 08:34
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ende nuk ka hequr dorë nga organizimi i veprimeve sindikale. Në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre për korrigjim të Ligjit për Paga në Kuvend, në SBASHK shprehen të vendosur për grevë të tërësishme në sistemin arsimor në vend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ende nuk ka hequr dorë nga organizimi i veprimeve sindikale. Rangimi i ulët i mësimdhënësve në Ligjin për Pagat, siç po pretendojnë përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), i ka detyruar ta mendojnë opsionin e grevës.

LEXO EDHE: Nis ligjërimi i imamëve në burgje

Megjithatë, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë shpresë për përkrahje të kërkesave të kësaj sindikate. Në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” në këtë institucion thonë se çdo plotësim-ndryshim i Ligjit pritet të bëhet përmes procedurave të Kuvendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dhe ka proceduar në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Pagat. Çdo plotësim dhe ndryshim mund të bëhet përmes amendamentimit në procedurat e Kuvendit. Ky projektligj është në rend dite për shqyrtim në mbledhjen e Kuvendit të hënën.

Ky është leximi i parë, pas së cilit kalon në shqyrtim në komisionet e Kuvendit, ku mund të shqyrtohen nenet për ndryshim, të cilat pastaj në formë amendamentesh do të votohen në lexim të dytë në seancë plenare”, thuhet në sqarimin e Zyrës për Informim në Qeveri.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaron se ka shpresa për korrigjim të Ligjit për Paga.

Ai në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka treguar për ecurinë e takimeve që kanë pasur me deputetët e Kuvendit, biseda të cilat i quan shpresëdhënëse.

“Po zhvillojmë biseda me deputetët që janë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Administratë, ku ka shkuar Ligji dhe ata janë të pajtueshëm që është bërë keq për sistemin arsimor. Do të ketë procedura mbase ata i kanë dy mundësi, ta kthejnë Ligjin ose ta dërgojnë në leximin e parë, siç është procedura gjatë debatit publik të bëjnë ndryshime, pasi kanë leje nga Qeveria dhe të bëjnë ndryshime në kërkesat tona, që janë reale”, ka sqaruar përfaqësuesi i SBASHK-ut.

Ai beson se në leximin e dytë Projektligji do të shkojë i kompletuar me korrigjimet e nevojshme.

“Unë besoj se kështu do të ndodhë. Do të ketë diskutime dhe ndryshime në ligj, sepse është në pozitë të keqe me këtë ligj. Pastaj kur shkon në leximin e dytë besoj se do të jetë i kompletuar dhe i korrigjuar, ose në të kundërtën, nëse deputetët nuk i përfillin kërkesat tona dhe pas leximit të parë nuk i bëjnë ndryshimet adekuate dhe e dërgojnë të tillë si sot, atëherë neve nuk na mbetet tjetër, kësaj gjendjeje do t’i përgjigjemi me veprime sindikale që krejt sistemi arsimor do të jetë në grevë”, ka theksuar Jasharaj në mes të tjerash.

Por, ai ka bërë të ditur se aktualisht nuk janë në organizim të ndonjë greve, pasi deklarojnë se kanë marrë premtime për përfillje të kërkesave. “Koeficientet kanë qenë më të ulëta dhe pas bisedave, takimeve kemi arritur ta ndryshojmë gjendjen duke e ngritur. Ata e kanë dhënë koeficientin 2 për arsimin fillor, 2.3 për të punësuarit në arsim të mesëm. Ne kemi kërkuar që këto koeficiente të ngrihen për 30 për qind dhe mbase do të shohim a do të përfillet kërkesa komplet legjitime ose a do të ketë ngritje më të vogël nga kërkesa jonë. Ne do të insistojmë që pozicioni i sistemit arsimor të shkojë në vendin meritor në Ligjin e Pagave. Ne kemi shkuar me koeficientin 2.7 te arsimi i mesëm dhe 2.5 te arsimi fillor, që shumëzohet me vlerën e koeficientit 239 dhe me koeficientet tona do të ketë ngritje të lehtë”, ka përfunduar i pari i SBASHK-ut.

Ankesa të shumta rreth Ligjit për Paga

Kërkesat e reja të sindikatave në Kosovë për ndryshime në Ligjin e Pagave po ndodhin si pasojë e moszbatimit të kritereve të duhura në këtë ligj. Të paktën kështu kanë vlerësuar njohësit e fushës së sundimit të ligjit në Kosovë.

Riza Smaka, njohës i çështjeve ligjore, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar ecurinë e Ligjit të Pagave konform ligjit.

“Ligji i Pagave në sektorin publik ishte dashur të bëhej në konformitet me këto elemente: niveli profesional që kërkohet për vendin e punës, shkalla e ndërlikueshmërisë së mundshme, shkalla e përgjegjësisë për punët e kryera ose që duhet të kryhen, kushtet me të cilat duhet të kryhet puna dhe puna e palëve, sepse disa kanë përgjegjësi me palë e disa nuk kanë”, ka shpjeguar Smaka.

Nëse do të përfilleshin elementet e lartcekura, sipas njohësit të sistemit ligjor në Kosovë, nuk do të kishte bazë për t’u ankuar.

“Të gjitha këto do të duhej të ishin llogaritur me koeficient përkatës edhe shuma e tyre do të kishte dhënë pasqyrën reale të nivelit të pagave. Dhe në rrethana të tilla askush normal nuk do të kishte kurrfarë baze për t’u ankuar. Këto kritere themelore nuk janë përfillur, prandaj mund të ketë vend për ankesa. Andaj, në këtë gjendje ka tendenca që në këtë procedurë të padefinuar të përfitohet ndonjë status më i privilegjuar i profileve ose kategorive të caktuara”, ka theksuar Smaka.

Përveç këtyre ankesave, ka deklarime se Projektligji për Paga paraqet implikime buxhetore. Kështu ka deklaruar në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.

“Oda Amerikane beson se aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale do të kishte implikime të konsiderueshme buxhetore, duke zvogëluar në të njëjtën kohë mjetet buxhetore për investime kapitale, që janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, ka paralajmëruar Zeka.

Më tej ai ka shtuar se me këtë Projektligj do të rritet hendeku mes niveleve të pagesave në sektorin publik dhe në atë privat. “Po ashtu ne besojmë se i njëjti projektligj rrit edhe më tej hendekun ndërmjet niveleve të pagesave në sektorin publik dhe atë privat, duke pasur parasysh që ndërmarrjet e sektorit privat e kanë të pamundur të përcjellin trendët e rritjes së pagave nga institucionet publike”, ka treguar drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

MAP-i jep shpresë për korrigjime

Ndërkohë, Ministria e Administratës Publike (MAP) paralajmëronte për mundësinë e përfshirjes së kërkesave të SBASHK-ut. Në një përgjigje zyrtare për gazetën “Zëri” në këtë institucion patën deklaruar se Ligji për Paga gjendet në Kuvend ende në procedura parlamentare.

“Ligji për Pagat gjendet në Kuvend, në procedurë parlamentare. Duke u bazuar në sugjerimet që po vijnë nga subjektet e interesuara, MAP-i do të përdorë të gjitha mundësitë për përfshirjen e kërkesave të SBASHK-ut. Me këtë rast do të bëhen edhe përpjekje për realizimin e plotësimeve të tjera të nevojshme, në mënyrë që Ligji të garantojë stabilitetin fiskal dhe funksionim normal të tij”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë.

Projektligji për Paga në fillim nxiti pakënaqësitë e punëtorëve të arsimit, derisa ata të shëndetësisë paralajmëronin për kolaps të vërtetë nëse Projektligji nuk i dërgohej Qeverisë brenda afatit të caktuar kohor, në fillim të shtatorit.

Me Ligjin e ri për Paga do të pësojnë ndryshime përfitimet e zyrtarëve shtetërorë. Kështu, paga e kryeministrit, që është rritur në fillim të këtij mandati qeverisës nga 1260 euro në 2950, me Ligjin e ri do të bjerë në 2390 euro. Pagë të njëjtë sa të kryeministrit, 2390 euro, do të marrë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilit me ligj paga do t’i zvogëlohet për 165 euro. Edhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizit, që aktualisht merr pagë prej 3108 eurosh, do t’i zbritet paga për 718 euro më pak. Udhëheqësja e Kushtetueses do të paguhet njësoj si kryeministri e krye parlamentari.

Pagë më të lartë se të kryeministrit, të kryeparlamentarit e të kryetares së Gjykatës Kushtetuese do të gëzojë presidenti Hashim Thaçi. Nga buxheti i shtetit ai do të paguhet 2868 euro, nga 2672 sa paguhej në fillim, pra do t’i marrë 196 euro më shumë. Nga ky Projektligj pritet të përfitojnë gati 8 mijë e 600 pjesëtarë të Policisë, të cilët do t’u gëzohen pagave me rritje. Me ndryshimet aktuale, pra me miratimin e Ligjit për Paga, policët do të paguhen me nga 525 euro për çdo muaj. /ZERI