Banorët e Artakollit paralajmërojnë protesta para Qeverisë

Ekonomia October 15, 2018 - 08:36
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Banorët e zonës së Artakollit në Vushtrri kanë protestuar përsëri në kërkim të riasfaltimit të rrugës që lidh të tetëmbëdhjetë fshatrat e kësaj ane. Protestuesit për rreth 15 minuta kanë bllokuar autorrugën Mitrovicë – Prishtinë, në fshatin Pestovë, por me kërkesën e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, rruga është zhbllokuar. Pas një jave protesta do të zhvendoset para Qeverisë së Kosovës nëse nuk sigurohen mjetet për rrugën, shkruan sot gazeta "Zëri".

Banorët e tetëmbëdhjetë fshatrave të zonës së Artakollit të Vushtrrisë, të cilat i lidh “Rruga R220” Bukosh- Gllavotin, kanë protestuar të dielën në Pestovë. Ata kanë bllokuar për pak kohë autorrugën Mitrovicë – Prishtinë, duke kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të gjejë mjete për ta riasfaltuar rrugën Bukosh – Gllavotin, e gjatë 18 kilometra, më së largu deri në fund të këtij viti.

Sipas Këshillit Organizativ të  protestës, ajo çfarë po kërkojnë këta banorë është vetëm tejkalimi i gjendjes emergjente të rrugës që lidh fshatrat e zonës së Artakollit dhe e cila po paraqet problem tej mase për shkak të gropave dhe të pluhurit, duke rënduar kështu gjendjen e banorëve si në aspektin shëndetësor e po ashtu edhe të mjeteve të transportit.

Sipas Këshillit Organizativ, kërkesa e tetëmbëdhjetë fshatrave të Artakollit për Qeverinë është që së paku t’i jepet shtresa e parë e asfaltit në mënyrë që të tejkalohet gjendja emergjente përkohësisht, që është edhe kërkesa e tyre momentale për tejkalimin e gjendjes emergjente dhe jo përfundimi i projektit në tërësi.

Protestuesit thanë se nëse brenda javës që vjen Qeveria e Kosovës nuk siguron mjete për shtresën e parë të asfaltit të rrugës, atëherë protesta do të zhvendoset para Qeverisë së Kosovës. Përmes protestës banorët kërkuan nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Infrastrukturës, që të sigurojë mjete dhe të insistojë për ta shtruar shtresën e parë të asfaltit të kësaj rruge, sepse jeta, sipas tyre, u është bërë e padurueshme për shkak të gropave dhe të pluhurit të madh. Ata thanë gjithashtu se gjatë dimrit nëse mbetet kështu si është qarkullimi nëpër këtë rrugë do të jetë shumë i vështirë, ndoshta edhe i pamundur. 

Me protestuesit kishte dalë edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili tha se përkrah kërkesat e banorëve të këtyre fshatrave.

“Si Qeveri Komunale ne kemi përkrahur kërkesat e drejta të banorëve. Gjendja është e rëndë dhe Qeveria ka hapësirë t’i vendosë mjetet e nevojshme që banorët të mos hyjnë në dimër në këtë gjendje. Kërkesat e banorëve janë të drejta dhe unë i përkrah, unë kam biseduar edhe me ministrin e Infrastrukturës e edhe me ministrin e Financave lidhur me mjetet për këtë rrugë dhe kam marrë premtime se brenda javës që vjen do të gjendet zgjidhja për këtë problem. Unë kam dalë për t’ju përkrahur juve, sepse e di që kenë të drejtë”, tha kryetari Tahiri, i cili i ka lutur banorët që ta lirojnë autorrugën Mitrovicë – Prishtinë për qarkullim të automjeteve.

“Ashtu siç ju po dëshironi ta keni rrugën për të qenë të sigurt dhe të lirë për qarkullim, ashtu edhe njerëzit kanë nevojë që të qarkullojnë kësaj rruge, andaj kisha kërkuar nga ju që ta lironi rrugën”, i ka lutur kryetari Tahiri banorët protestues, të cilët duke miratuar kërkesën e tij i kanë sugjeruar kryetarit Tahiri që ta shtyjë punën përpara. “Kryetar, ju duhet të bëni presion atje lart, ne të kemi zgjedhur kryetar për t’i zgjidhur problemet që kemi. Ne kërkojmë që ju të bisedoni me ministritë dhe problemi të zgjidhet, sepse jemi në hall”, i thanë ata kryetarit Tahiri. 

Pas këtyre fjalëve protestuesit janë shpërndarë të qetë, por kanë siguruar se nëse problemi nuk zgjidhet brenda javës që vjen, protestat e banorëve do të organizohen para Qeverisë.

Vonesat e mëdha në ndërtimin e rrugës janë bërë për shkak të mungesës së fondeve, ndonëse Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.9 milion euro për ndërtimin e kësaj rruge. Kjo rrugë, e cila njihet si rruga alternative Mitrovicë - Prishtinë dhe e cila lidh 27 fshatrat të Vushtrrisë, të Obiliqit dhe të Prishtinës, ka filluar të ndërtohet në fund të prillit të këtij viti. Përveç trasesë dhe shtrimit me zhavorr, punët tjera nuk janë kryer, ndërsa në fazën e parë, siç thonë banorët, ishte paraparë të vihet një shtresë e asfaltit.

Projekti i rrugës 18-kilometërshe Bukosh – Gllavotin ka koston prej 1.9 milion euro dhe këto mjete janë siguruar nga Qeveria e Kosovës. Për këtë rrugë dhe për disa projekte të tjera infrastrukturore Tahiri kishte marrë mbështetje edhe nga ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, dhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, por pavarësisht premtimeve dhe përkrahjes së dy njerëzve më të fuqishëm në Qeverinë e Kosovës për infrastrukturën rrugore, projekti i “Rrugës R220” është përcjellë me zvarritje dhe me vonesa të mëdha, pikërisht për shkak të mungesës së mjeteve. /ZERI