Inspektoratit të Punës do t’i shtohen edhe 15 inspektorë

Ekonomia October 13, 2018 - 10:28
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Nga viti i ardhshëm Inspektoratit të Punës pritet t’i shtohet edhe 15 inspektorë të rinj, edhe pse nevojat janë më të mëdha për të mbuluar gjithë territorin e vendit.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) Sociale, Çerkin Dukolli, njëkohësisht kryesues i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, ka thënë  se kanë bërë kërkesë edhe për 15 inspektorë të rinj, kërkesë kjo që mund të mos miratohet në mungesë të buxhetit.Më tej, ai u shpreh se numri i tyre, momentalisht 42 inspektorë, është i vogël.

“Ne kemi kërkuar rritjen e inspektorëve të punës, mbetet të shihet se sa do të ketë hapësirë, realisht edhe buxhetore, prandaj po shpresojmë që për vitin e ardhshëm, minimalisht 10 vetë do të jenë shtesë, eventualisht deri në 15”.

“Përveç kësaj kemi edhe një rekomandim nga raporti i Progresit që duhet të rritet, sa i përket aspektit të sigurisë, shëndetit në punë, që duhet të rritet numri i inspektorëve”.
Sipas tij, më me rrezik vazhdon të jetë sektori i ndërtimtarisë, ndër sektorët e tjerë, megjithatë zëvendësministri është shprehur se kompanitë janë duke ofruar kushte në bazë të dispozitave ligjore.

“Në këtë aspekt ne e kemi edhe një plan veprimi si Këshill Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, përderisa masat e fundit, inspektorati i ka marrë që me ekipe mobile, realisht vetëm në Prishtinë për momentin janë duke funksionuar tetë ekipe mobile inspektuese, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë, përderisa të gjitha këto angazhime tona që i kanë bërë, qoftë si inspektorat, qoftë si, më tepër si këshill, kemi bërë një lloj identifikimi sepse rrezikshmëria më e madhe është në sektorin e ndërtimtarisë”, tha ai për Ekonomia Online.

Kryesuesi i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë ka thënë se gjatë inspektimeve Inspektorati i Punës ka arritur të vë mbi 200 gjoba vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2018.

“Sa jam i informuar nga inspektorati i punës, vetëm në 8 mujorin e kaluar të këtij viti janë diku 206 gjoba që janë dhënë”.

Ndërkohë, ai ka përsëritur se rolin më të madh në siguri dhe shëndet e kanë punëdhënësit dhe punëtorët, raporton EO.

“Gjithsesi janë punëtorët dhe punëdhënësit ata që ndihmojnë më së shumti në plotësimin e kushteve të tyre për të ngritur nivelin e sigurisë dhe shëndetit në punë”.

Ai ka njoftuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahet një konferencë në Shqipëri, për paraqitje të të dhënave për vendet e rajonit sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Nga janari i këtij viti deri në muajin tetor kanë ndodhur 98 aksidente në vendin e punës, ku kanë mbetur të vdekur 18 persona dhe 80 kanë pësuar lëndime trupore.